Mauricio Zamparini është zemëruar për rezultatin e marrë nga Palermo i tij në “San Siro” kundër Interit dhe mbi të gjitha për gjykimet e atyre që kanë folur për një Inter të madh dhe që kanë anashkaluar 3 golat e ekipit të tij. Ai nuk ka asnjë dyshim në lidhje me diferencat midis Juventusit dhe Interit: “Juventusi, që është parë kundër Sampdorias, luan futboll, Interi jo. Dhe diferencën midis nesh dhe zikaltërve e bën cilësia e stolit. Por, në një moment të caktuar kam menduar se mund të barazonim”. Më pas Zamparini ka shpjeguar se: “Duke lexuar gazetat e sotme, (djeshme) duket sikur kanë egzistuar vetëm pesë golat e Interit.
Ndërkohë, gjithçka ka filluar nga një penallti, që duke parë përsëritjen e imazheve, ndoshta ishte e tillë, por që nuk do të jepej kurrë në favorin tonë. Golat e tyre kanë ardhur si pasojë e episodeve, ndërsa tanët nga aksione shumë të bukura”. Sipas Zamparinit, Palermo ka paguar mungesat e Bovos dhe Balcaretit. “Zëvendësuesit e tyre, Goian dhe Melinte, nuk kanë qenë në lartësinë e duhur dhe mbrojtja jonë në pjesën e parë ka qenë shumë e dobët. Dhe kjo tregon se diferencën midis nesh dhe Interit e bën mbi të gjitha cilësia e zëvendësuesve”, ka përfunduar presidenti sicilian.