
Por, sikurse e thamë edhe më lart, kryendeshja e javës së 9-të është Vllaznia-Tirana. Të cilat ritakohen sërish, për llogari të një kampionati tjetër, atij të 71-të kombëtar. Në pozita jo fort komode, madje për kuqeblutë situata duket kritike. Nënkampionia në fuqi pret kampionët bardheblu, si në ndeshjen e fundit të kampionatit që shkoi, 23 maj 2009, një finale për nga rëndësia, ku kryeqytetasit pronësuan titullin e 24-t. Aty në “Qemal Stafa”. Kësaj here “portat” janë ndërruar. Vetëm se nga ajo ditë, në dy prej skuadrave më të vjetra dhe më me traditë në futbollin shqiptar, dy “Zonja” të vërteta, kanë rrjedhur shumë gjëra. Që nuk duan shumë mend të hetohen, sepse mjafton një shikim i renditjes aktuale të superligës, i ecurisë përkatëse në 8 javë kampionat, për të kuptuar valencat reale të kësaj përplasjeje. Të cilën, pavarësisht nga këro, mund ta konsiderojmë pa hezitim një “El Clasico” të futbollit shqiptar, në llojin e vet, nisur nga shumë faktorë historikë. Si të ishte, fjala vjen, në realitetin spanjoll, përplasja e titanëve Real Madrid-Barcelona. Në këtë qasje ndoshta s’mund të ketë asnjë pikëtakimi mes kampionatit shqiptar dhe “La Liga”-s, jo sepse dielli, hëna dhe qiejt respektivë nuk janë të njëjtë, por sepse realitetet e skuadrave të përfshira në referim janë tmerrësisht larg. Nëse në Spanjë, armiqtë madrilenë dhe katalanas, Real Madrid dhe Barcelona, janë bashkekzistues, për fat të mirë, në krye të tryezës, duke shijuar këto pozita edhe në sezonin aktual, krejt ndryshe paraqitet situata në “El Clasicon” shqiptare. Vllaznia e parafaundit, në një krizë të pashpjegueshme, pret Tiranën e mesit të renditjes, që në dy ndeshjet e fundit ka dhënë shenja “ringjalljeje”. Gjithsesi, për këdo dashamirës të futbollit tonë, mjafton të rikthehet në “aktin e fundit” të kampionatit të kaluar, kur Tirana dhe Vllaznia ndanë vendet, të parin dhe të dytin, në një ndeshje luksi për Shqipërinë, që t’i sinkronizojë sytë dhe veshët në “Loro Boriçi”. Aty ku nuk mund të mungojë as trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe. Pavarësisht situatave që po kalojnë, Tirana dhe Vllaznia kanë qenë dhe mbeten “qershitë mbi tortë” në futbollin shqiptar. Si të tilla, ato janë bukuria dhe dhembja, uji dhe zjarri, jo vetëm për dy tifozëritë respektive, por edhe cilësinë dhe rivalitetin e kësaj gare kombëtare, në përgjithësi. Dy ekipet në fjalë mund të mos gëzojnë fat të ngjashëm në të njëjtën kohë, si në sfidën e fundit, paraardhëse të së sotmes, por ama objektivi nuk ndryshon. Normalisht, janë të gatuara të luajnë futbollin e tyre të vërtetë, “pa dorashka” taktike, në funksion të rezultatit pozitiv, sepse kjo s’do të kishte asnjë kuptim në atë “shtrat me trëndafila”, siç mund të konsiderohet stadiumi “Loro Boriçi”. Kuqeblutë do të përballen me provimin e tyre të madh të sezonit, edhe pse ende dridhërohen, nën një neon shprese, çka u shfaqet ende e verdhë tifozëve të zjarrtë shkodranë, si limonë të shtrydhur, pa lëng jetësor, ndaj kanë ankth t’ua shohin sot fytyrën. Nga ana tjetër, bardheblutë, që po mundohen të krijojnë një profil të ri me Tafajn në krye, e kanë të qartë se nuk i pret në qytetin verior “një shëtitje në park”. Prandaj, përpos këtyre fakteve, nisur edhe nga e kaluara, në të cilën mund të rezonojmë shumëçka, sfida Vllaznia-Tirana ia vlen të përcillet si një “El Clasico” e futbollit shqiptar. Natyrisht, jo me një Mesi përballë K.Ronaldos, apo Ibrahimoviç përballë Kakasë, por me talentin Bala kundrejt potentit Memelli, të dy “verërave të vjetra”, Muka karshi Sinanit…
VLLAZNIA - Roland Luçi: Tirana nuk duhet mbivlerësuar
Ndeshja e kaluar me Laçin është lënë pas. Me të gjithë analizën dhe problematikën e vet. Të gjithë tashmë e kanë mendjen te sfida e sotme me Tiranën, një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet dhe në veçanti për Vllazninë, e cila nëse nuk fiton, do të zhytet edhe më tepër në gjendjen e saj jo të mirë që është duke kaluar. Trajneri Roland Luçi ka besim se në takimin e sotëm, skuadra e tij ka për të treguar formën e saj më të mirë dhe do të kërkojë pa dyshim fitoren. “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndonëse vjen në një moment jo shumë të favorshëm për ne, megjithatë do të bëjmë më të mirën në fushë dhe do të kërkojmë patjetër fitoren,” ‑ ka thënë ai. Sakaq, duke folur në lidhje me kundërshtarin, trajneri i Vllaznisë e vlerëson jo pak atë, por njëkohësisht deklaron se nuk ka frikë ndaj tij. Normale kjo dhe prandaj Luçi ka menduar edhe për mënyrën si do të mundohet ta godasë Tiranën, ndonëse nuk parapëlqen ta bëjë publike atë. “Nuk bëhet fjalë të kemi frikë ndaj Tiranës. Eshtë një kundërshtare për t’u respektuar, por jo për t’u mbivlerësuar. Ajo ka vetëm pak pikë më shumë se ne në renditje dhe njëkohësisht një gjendje pak më të mirë, sepse mund ta konsiderojmë të dalë nga kriza ku ndodhej deri para pak kohësh, ndërkohë që ne ende nuk e kemi bërë këtë hap. Do të mundohemi të luajmë me kujdes ndaj këtij kundërshtari, ndërsa sa i takon mënyrës së lojës që do të zhvillojmë, sigurisht që kjo hyn te sekretet profesionale, sepse ndryshe nuk do të kishte kuptim për ne trajnerët,” ‑ është shprehur numri një i pankinës shkodrane. Përgatitjet për këtë sfidë nuk kanë qenë të lehta, sepse Vllaznia vjen pas një humbjeje dhe loje jo të mirë që ka zhvilluar në Laç të shtunën e kaluar. Roland Luçi nuk kërkon të ndalet shumë tek ajo ndeshje, sepse e konsideron një “ëndërr të keqe”, nga e cila ka nxjerrë dobësitë dhe problematikën e duhur. “Ajo ndeshje është lënë pas për ne që të hënën, kur kemi zhvilluar analizën e saj. Nuk marr guximin të justifikoj atë humbje ndaj Laçit, sepse ishte e pafalshme për të gjithë ne, megjithatë duhet ta konsideroj histori të mbyllur. Tashmë duhet të shohim përpara, të mundohemi të mos bëjmë sërish të njëjtat gabime, sepse do të ishte e pafalshme për ne,” ‑ ka thënë njeriu që është duke drejtuar aktualisht Vllazninë nga stoli. Rëndësia e ndeshjes është e madhe dhe shkodranët si armën e tyre më të fortë konsiderojnë tifozët kuqeblu. Luçi e vlerëson shumë kontributin e tyre dhe për rrjedhojë edhe në një formë miqësore, u bën thirrje atyre që të jenë në stadium. “Shpresoj që koha të mos jetë e keqe ashtu si në ndeshjen e kaluar me Shkumbinin dhe tifozët tanë të mos kenë justifikim për mospraninë e tyre në stadium. Kemi nevojë për ta dhe jam shumë i bindur se tifozi i mrekullueshëm shkodran do të jetë një armë shumë e fortë për ne,” - thotë ai. Në fund, Roland Luçi tregon edhe sportivitet në deklaratën e tyre për fituesin e ndeshjes, duke treguar se është vërtet perëndimor edhe në ide, teksa në fund do të thoshte: “Ne do të hyjmë në fushë për fitore dhe kjo nuk ka as më të voglin diskutim, por nëse rezultati do t’i përgjigjej lojës dhe në fund do të merrnim edhe një pikë, duhet të jemi të kënaqur. Megjithatë, e përsëris, do të kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje.”
Gjobë dhe pezullim Erion Rizvanollit
Erdhi me bujë te Vllaznia pikërisht në ditët e fundit të mbylljes së merkatos së verës, por deri në këto momente nuk ka dhënë asgjë nga ato çfarë duhej të jepte. Sulmuesi tiranas Erion Rizvanolli jo vetëm që nuk ka dhënë atë çfarë ka premtuar për skuadrën, por njëkohësisht ka thyer edhe disiplinën dhe për rrjedhojë klubi shkodran ka vendosur të reagojë. Merret vesh se drejtuesit e klubit kanë vendosur ta gjobisin rëndë futbollistin dhe njëkohësisht ta pezullojnë për një periudhë të pacaktuar. Madje vendimi shkon edhe më tej, teksa ai nuk do të lejohet të stërvitet me skuadrën deri në një vendim të dytë. Duke qenë kështu, ai thuajse duket i larguar nga Vllaznia. Në Shkodër, në fakt, kishin kohë që kishin shprehur pakënaqësinë për të. Kulmi do të mbërrinte ditën e mërkurë në seancën e radhës stërvitore të kuqebluve. Atë seancë trajneri Luçi kishte vendosur të zhvillonte për disa minuta një ndeshje kontrolli brenda skuadrës, gjithnjë me mendjen te sfida e radhës me Tiranën. Numri një i Vllaznisë ka hedhur në fushë formacionin e parë, atë me të cilin mendon të luajë kundër bardhebluve dhe në të nuk ka rezultuar emri i Rizvanollit. Ka ndodhur kështu, sepse ai në asnjë ndeshje të këtij kampionati nuk ka qenë titullar, sepse nuk ka formën e duhur. Ky veprim i trajnerit nuk i ka pëlqyer lojtarit, i cili në mënyrë demonstrative ka braktisur seancën stërvitore dhe u është drejtuar dhomave të zhveshjes. Sikur të mos mjaftonte kjo, merret vesh se Rizvanolli ka lëshuar edhe jo pak fjalë në adresë të stafit dhe kaq ka mjaftuar. Luçi dhe ndihmësit e tij kanë vendosur menjëherë pezullimin e tij dhe kanë njoftuar edhe drejtuesit e klubit. Me vendimin e tyre kanë qenë dakord të gjithë, madje ndëshkimin e sulmuesit e kanë plotësuar edhe me gjobë. Nga njoftimi zyrtar i dalë nga zyrat e klubit merret vesh se Rizvanolli është gjobitur edhe më parë me një shumë të vogël për mosimpenjim të duhur në stërvitje dhe ndeshje. Për vazhdim të kësaj gjendjeje dhe njëkohësisht thyerje të rëndë të disiplinës, është vendosur të gjobitet me një shumë të madhe financiare dhe njëkohësisht të pezullohet pa afat, duke mos u lejuar të stërvitet me skuadrën deri në një vendim të dytë. Thënë ndryshe, Erion Rizvanolli nuk do jetë më pjesë e Vllaznisë, sepse pezullimi i tij në një moment kur ka pasur dobësi të përgatitjes fizike, tashmë do të ndikojë edhe më tepër në gjendjen e tij fizike.
Formacioni, Ardit Beqiri jashtë tij
Për ndeshjen e sotme kundër Tiranës stafi drejtues i Vllaznisë është përpjekur të ndërtojë një formacion fitimtar. Me përjashtim të Rizvanollit të pezulluar dhe Alikajt që vazhdon të ketë një problem dëmtimi, të gjithë futbollistët e tjerë duket se do jenë të gatshëm për këtë takim. I vetmi lojtar që ka qenë në diskutim ishte Ardit Beqiri. Ai në ndeshjen e fundit në Laç ka marrë një goditje dhe si rrjedhojë nuk është stërvitur normalisht me ekipin. Duke qenë kështu, trajneri Luçi ka thënë dje se Beqiri mund të mos jetë i gatshëm për këtë ndeshje për arsye dëmtimi. Mungesa e tij ka bërë që Smajli të vendoset në pozicionin e tij të zakonshëm të mbrojtësit të djathtë, ndërsa në qendër të mbrojtjes do të kthehet Elvin Beqiri së bashku me Mrvaljeviçin, ndërsa në të majtë do të luajë Doçi. Nuk përjashtohet mundësia të jetë edhe Hallaçi dhe kjo duket një nga dilemat e stafit. Në mesfushë, ndërkohë, do të jetë Kasapi në të djathtë, Nallbani e Rustemi në qendër dhe Shtubina në të majtë, ndërsa në sulm dyshja Sinani‑Bala.
Kuqeblutë, të grumbulluar në “Meteor”
Ashtu si në ndeshjet e tjera, edhe këtë herë ekipi shkodran do të grumbullohet një natë përpara ndeshjes. Aq më tepër para një ndeshjeje shumë të rëndësishme, si kjo me Tiranën. Nga drejtuesit e klubit bëhet e ditur se Vllaznia është grumbulluar menjëherë pas seancës së djeshme, që është zhvilluar pasdite në Shtoj. Veçse këtë radhë grumbullimi është bërë në një hotel tjetër dhe pikërisht në “Meteor” në periferi të qytetit. Sa u takon çmimit të biletave, bëhet e ditur se një biletë në tribunën qendrore do të kushtojë 4 mijë lekë të vjetra, ndërsa në tribunat e tjera 3 mijë lekë.
Shkodranët kontestojnë gjyqtarin Pashaj
Klubi shkodran ka kontestuar fuqishëm sapo ka marrë vesh emrin e gjyqtarit të takimit. Bardhyl Pashaj është shpallur i padëshirueshëm ka kohë nga klubi i Vllaznisë, ndërsa ai caktohet në Shkodër, aq më tepër në një ndeshje si kjo e sotmja. Kuqeblutë janë të irritur edhe për faktin që Pashaj është nga kolegjiumi i Tiranës dhe gjykon pikërisht një ndeshje të bardhebluve.
TIRANA - Devi Muka: Me Vllazninë i zgjidh unë ndeshjet
Kampionët u kanë dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës së sotme, që do të luhet në impiantin shkodran, “Loro Boriçi”. Me përjashtim të mbrojtësit shtatlartë Osmani dhe sulmuesit Abilaliaj, stafi i ka të gjithë lojtarët të gatshëm për ndeshjen e sotme. Bardheblutë kërkojnë të vazhdojnë rrugën e fitoreve, pavarësisht se kjo me shkodranët për ta do të jetë një transfertë e vështirë, por jo e pakalueshme. Kapiteni dhe lideri i bardhebluve, Devi Muka, nuk ka se si të mungojë në një ndeshje të tillë, madje forma e tij po vjen në rritje dhe dëmtimi që pësoi ndaj Stabaekut në Champions, tashmë i përket së kaluarës. U rikthye me Teutën pas një mungese të gjatë, ndërsa ndaj durrsakëve tregoi se mbetet pa dyshim një nga shtyllat e kryeqytetasve, duke bërë në fushë liderin. Pas durrsakëve, Tiranën duket se e pret një ndeshje mjaft e vështirë për vetë objektivat që kanë të dyja skuadrat, si bardheblutë ashtu dhe shkodranët. Kapiteni Devi Muka është i bindur se Tirana do të arrijë ta mposhtë Vllazninë në mes të “Loro Boriçit”, edhe pse nuk ka për të qenë aspak një përballje e lehtë për vetë pozitat që kanë të dy ekipet. Ashtu si majin e fundsezonit të kaluar, ku u bë protagonist gjatë gjithë lojës, madje shënoi dhe ngriti peshë “Qemal Stafën”, edhe sot Devi kërkon të vërë “vulën” dhe të bëjë shpëtimtarin në mes të Shkodrës, që ashtu si skuadra e Tafajt e konsideron ndeshjen e sezonit. Ja çfarë thotë ai para përballjes me kuqeblutë e teknikut Luçi: “Nuk ka më kohë për të humbur për Tiranën dhe për ne, lojtarët që jemi pjesë e saj. Sot në “Loro Boriçi” na pret një ndeshja mjaft e vështirë, aq më tepër që kemi edhe dy mungesa të rëndësishme. E kam fjalën për Osmanin dhe Abilaliajn, por me rikthimin e Memellit në sulm besoj se gjërat do të jenë ndryshe dhe besoj se do ta kemi më të lehtë në finalizimin e aksioneve. Për ne luhet një ndeshje vendimtare dhe përcaktuese për objektivin tonë sezonal, titullin kampion, ndaj do të japim gjithçka në fushën e lojës. Personalisht ia kam marrë dorën Vllaznisë, kam shënuar ndaj kuqebluve edhe në ndeshje delikate si kjo e sotmja. Besoj se të gjithë sportdashësit e Tiranës e kanë të freskët në memorien e tyre golin e vjetshëm, që sigurisht pati ndikimin e vet në fitimin e ndeshjes dhe titullit kampion, që ishte i 24-ti për skuadrën. Unë do të kërkoj që edhe sot të jem protagonist dhe të shënoj sërish në “Loro Boriçi”. Nuk është kurrsesi “tabu” që të fitoesh në transfertë,”- pohoi kapiteni i Tiranës, Devi Muka. Muka, tregoi edhe ecurinë e skuadrës dhe ndikimin e rikthimeve të disa titullarëve që, sipas tij, do të jenë faktor edhe në ndeshjen e sotme. “Normalisht, kur kemi pasur dëmtime, skuadra nuk ka funksionuar si duhet dhe si rrjedhojë vinin dhe rezultatet negative. Tashmë që grupi po plotësohet, në dy ndeshjet e fundit skuadra ka treguar rritje të nivelit të saj. Ndaj shpresojmë që të njëjtin ritëm të mbajmë edhe në Shkodër, ku Tirana shkon me synimin e vetëm për të dhënë më të mirën dhe mbi të gjitha që të marrë tri pikët e të vazhdojë e qetë rrugën drejt titullit kampion,”- përfundoi “labi” i 24 herë kampionëve, Devi Muka.
Tafaj: Do të jetë si “finalja” e 23 majit
Në prag të sfidës me Vllazninë, trajneri Alban Tafaj, edhe pse me dy mungesat e Osmanit dhe Abilaliajt, është i bindur te suksesi i skuadrës së tij. Gjatë një prononcimi për median, i pari i pankinës së bardhebluve e krahason përballjen e sotme njësoj si ajo e 23 majit të vitit të kaluar. Por ndryshe nga vjet, kur kryendeshja luhej në “Qemal Stafa, këtë radhë zhvillohet në “Loro Boriçi”, aty ku kampionët nuk kanë rrugë tjetër veç tri pikëve. “Vijmë nga një fitore e rëndësishme me Teutën, por kemi edhe mungesat e Osmanit dhe Abilaliajt, që të dy titullarë, por shpresoj që zëvendësuesit e tyre sot kanë rastin më të mirë që të tregojnë vlerat më të mira. Skuadra është e përqendruar në përballjen me Vllazninë pasi është një ndeshje mjaft e rëndësishme. Të dy ekipet janë të etura të fundosin njëra-tjetrën, ata janë afër fundit të tabelës, ndërsa ne kërkojmë që të ngjitemi drejt kreut. Jam i bindur se edhe sot do të jetë njësoj si sfida e vjetshme, një finale e vërtetë, pavarësisht se në çfarë pozitash janë aktualisht të dy ekipet. Shpresoj shumë që të përsëritet fitorja, pra ne të dalim me tri pikët në xhep. Më vjen mirë që shoh një grup të karikuar dhe mjaft të motivuar, çka është me të vërtetë tepër e rëndësishme për ne. Avantazhi ynë në takimin e sotëm do të jetë publiku, ku në një ndeshje të tillë besoj se do të kemi një mbështetje të madhe. Për momentin qendra e mbrojtjes është një pikë vendimtare, aq më tepër që Osmani kishte fituar edhe eksperiencë në këtë repart, por besoj se Bici dhe Pashaj nuk do të më zhgënjejnë sot pasi që të dy janë lojtarë me vlera dhe që kanë treguar se dinë të mobilizohen në situata të vështira. Për sa i përket qendrës së mesit të fushës, them se janë në “balotazh” Sefa me Karabecin, por them se do ta kemi zgjidhur këtë problem deri pak minuta para ndeshjes. Për sa i përket sindromës “Luzi i Vogël”, them se do të vazhdojë të ekzistojë deri javën e ardhshme, kur me luzjanët për Kupë të bëjmë kthesën dhe të jemi më të fortë se ndeshja që kemi zhvilluar atje,” - deklaroi trajneri i kampionëve, Alban Tafaj.
Stafi punon veç me titullarët
Pak minuta para së të përfundonte seanca e ditës së djeshme, dyshja e trajnerëve, Alban Tafaj dhe Nevil Dede, janë parë që të punojnë veç nga pjesa tjetër e lojtarëve me titullarët që mendohet të aktivizohen në sfidën e sotme. Tafaj ka praktikuar edhe skema mbrojtëse, por edhe sulmuese, gjatë seancës stërvitore që ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta.
Superliga, java e 9-të
Vllaznia-Tirana
Apolonia-Flamurtari
Shkumbini-Laci
Kastrioti-Besa
Teuta-Skenderbeu
Dinamo-Gramozi