Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) po vazhdojnë të heshtin rreth ftesës që presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ua ka bërë atyre dhe drejtuesve të futbollit kosovar, për një takim të përbashkët.
Takimi ndërmjet Sepp Blatterit, drejtuesve të futbollit kosovar, atyre serbë dhe të një zyrtari të UEFA-s, pritet të mbahet qysh në javën e parë të muajit nëntor në selinë e FIFA-s në Zvicër.
Derisa pala kosovare e ka konfirmuar pjesëmarrjen në atë takim dhe ka zgjedhur anëtarët e delegacionit, ende nuk dihet se a do ta pranojnë ftesën e Blatterit, udhëheqësit e futbollit serb.
Gazeta Express qysh para një javë ka kontaktuar nëpërmjet telefonit zëdhënësin e Federatës Serbe të Futbollit (FFS), Aleksandar Boskoviç, rreth pjesëmarrjes së tyren në takimin e përbashkët.
Por, Boskoviç i ka thënë Expressit se nëpërmjet telefonit nuk mund të japë asnjë koment, ndërsa ka sugjeruar se pyetje të dërgohen nëpërmjet postës elektronike, duke premtuar se menjëherë do të kthehen përgjigjet. Mirëpo një e gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Gazeta ka vazhduar përpjekjet për të kontaktuar me zyrtarët e Federatës serbe, por kjo ka qenë e pamundur. Se zyrtarët e futbollit serb po heshtin rreth kësaj çështje, më së miri e vërteton edhe fakti se as mediat serbe nuk e kanë komentuar fare këtë takim shumëpalësh.
Në anën tjetër, drejtuesit e futbollit kosovar thonë se janë të gatshëm për këtë takim, i cili pritet të mbahet më 5 nëntor.
“FIFA i ka lënë dy data në dispozicion tonin për të vendosur se kur ne duam të takohemi: 2 nëntor ose 5 nëntor. Ne i kemi dërguar FIFA-s një shkresë, dhe e kemi zgjedhur datën e takimit më 5 nëntor”, deklaroi për Express, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
Ai tha se për palën kosovare ka pak rëndësi pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e palës serbe në këtë takim. “Nuk e di se a do të merr pjesë pala serbe. Për ne nuk ka rëndësi kjo. Edhe nëse pala serbe nuk merr pjesë, prapëseprapë ne do të takohemi me Blatterin. Kur FIFA i bën ftesë për një takim një federate, dhe nëse refuzohet ajo ftesë, atëherë me atë problem merret FIFA”, theksoi Salihu.
Ai tregoi se delegacioni kosovar, në këtë takim do të përbëhet prej pesë zyrtarëve të FFK-së: Kryetarit Fadil Vokrri, dy nënkryetarëve Agim Ademi dhe Bekim Haxhiu, sekretarit të Përgjithshëm Eroll Salihu dhe zëdhënësit Fazli Berisha.
Zyrtarët e FFK-së, kanë paralajmëruar se në këtë takim do ta përsërisin kërkesën e tyre kryesore për pranimin e Kosovës në FIFA. Nëse kjo kërkesë nuk pranohet nga FIFA, atëherë drejtuesit e futbollit kosovar pritet të kërkojnë nga Sepp Blatter që së paku t’i lejohet Përfaqësueses së Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me reprezentacione të huaja.
Pala kosovare pritet të kërkojë në këtë takim që edhe klubet kosovare të lejohen për të garuar në garat evropiane, deri në pranimin e plotë të Kosovës në FIFA.
Kërkesë tjetër e delegacionit kosovar pritet të jetë ajo që klubet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblim ekipeve kosovare, në rast se përforcohen me ndonjë futbollist nga Kosova.