Zyra e presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, të premten, e ka dërguar një shkresë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), nëpërmes së cilës ka caktuar terminin për takimin mes zyrtarëve të saj dhe udhëheqësve të futbollit kosovar dhe atij serb.
Kështu, ky takim trepalësh do të mbahet më 5 nëntor në selinë e FIFA-s, e cila gjendet në qytetin zviceran Zurich, nga ora 15.
Nëpërmjet kësaj shkrese, shtëpia e futbollit botëror ka njoftuar se delegacioni i vetë, i cili do të takohet me palën kosovare dhe atë serbe, do të përbëhet nga presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter; zëvendëspresidenti i saj, Geoff Thompson; i cili njëkohësisht është kryesues i Komitetit të Federatave, sekretari Gjeneral i FIFA-s, Jerome Valcke dhe drejtori i çështjeve ligjore, Marco Viliger.
Më herët edhe FFK-ja ka bërë përzgjedhjen e delegacionit të vet, i cili do të marrë pjesë në këtë takim. Delegacioni kosovar do të përbëhet nga kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, dy nënkryetarët e tij, Agim Ademi dhe Bekim Haxhiu, sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe zëdhënësi i saj, Fazli Berisha.
Derisa FIFA e FFK-ja tashmë janë të gatshme për këtë takim, si duket një gatishmëri e tillë nuk ekziston tek Federata e Futbollit e Serbisë. Drejtuesit e futbollit serb po vazhdojnë të heshtin rreth ftesës që presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ua ka bërë atyre për këtë takim.
Ky takim do të mbahet me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për futbollin e Kosovës.