30 tetor 2009

Debutimi i Akuilanit kënaq Benitezin

Mesfushori italian i Liverpulit ka luajtur 15 minuta cilësore ndaj Arsenalit në Kupën e Ligës
Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, ka thënë se Alberto Akuilani e tregoi me debutimin e tij se çfarë aseti i mirë do të jetë për skuadrën e Liverpulit. Italiani, që u ble në verë nga Roma për 20 milionë stërlina, ka pasur kaviljen e thyer, por e ka marrë veten dhe luajti 15 minutat e fundit të ndeshjes në humbjen e pësuar parmbrëmë kundër Arsenalit me rezultatin 2‑1 në Carling Cup. Akuilani pati shumë kontakt me topin në ato 15 minuta dhe mund të jetë ndier se nuk i është dhënë një penallti kur topi i gjuajtur prej tij preku mbrojtësin Filip Senderos në dorë.
Edhe pse të kuqtë u mundën nga Arsenali me golin e Niklas Bendtnerit në fillim të pjesës së dytë, pasi mbrojtësi Emiliano Insua kishte anuluar epërsinë e Fran Meridas, Benitezi ka preferuar të flasë për gjërat pozitive të asaj ndeshjeje. “Shumë lojtarë treguan pasion, karakter dhe cilësi në fushën e lojës dhe Akuilani ishte njëri ndër ta”, tha trajneri i Liverpulit. “Ai ka kualitetin e duhur, por fizikisht duhet ta marrë veten akoma. Ai po përmirësohet çdo ditë dhe mund të bëjë diferencën në fushë. Eshtë çështje kohe. Mendoj se do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne.
Ne duam ta aktivizojmë sa më parë, por nuk mund ta kalojmë masën, sepse mund të rrezikojmë. Ai do ta shtojë minutazhin e lojës çdo ndeshje”, ka shtuar Benitez. Ashtu si vendasit, Liverpuli kishte shkuar me një skuadër të ndryshuar nga ndeshja e shkuar me Mançester Junajtid, madje Dirk Kajt dhe Insua ishin të vetmit lojtarë që kishin luajtur kundër Mançesterit.
Benitez është i mendimit se skuadra nuk e ka humbur entuziazmin e shkaktuar nga fitorja kundër rivalëve historikë. “Eshtë zhgënjyese kur eliminohesh nga një kompeticion, por të paktën u eliminuam duke bërë një ndeshje të mirë dhe me plot gjëra pozitive. Eshtë më pak e hidhur sesa kur eliminohesh duke luajtur keq.
Ishte një ndeshje e mirë kundër një skuadre po aq të mirë të Arsenalit, duke i kënaqur tifozët.” Sulmuesi Fernando Torres ndërkohë mund të jetë në fushë kundër Fulhemit, por Xherrard ndoshta jo. “Të dy lojtarët janë duke u rikuperuar. Xherrardi ka akoma punë me mjekun, prandaj do të na duhet të presim. Shpresoj që Torres do të jetë mirë, ndërsa për Xherrardin mendoj se e ka të vështirë”, ka thënë trajneri i Liverpulit.