Pas suksesit kundër Sampdorias të mërkurën, trajneri i Juventusit, Çiro Ferrara, kërkon patjetër tri pikët edhe në ndeshjen e radhës përballë Napolit në fundjavë.
“Ndaj Napolit duhet të jemi të përkryer: duam patjetër tri pikët. Duhet të marrim menjëherë përgjigje për të kuptuar nëse fitorja me Sampdorian ishte rezultat i një ndeshjeje të madhe, apo kjo mund të vazhdojë edhe më tej”. Ferrara motivon Juven në prag të sfidës përballë skuadrës së Mazarit: “Nuk mund të kemi gjithnjë të njëjtin nivel loje me atë që kishim të mërkurën, por duhet të gjejmë vazhdimësi në dëshirën për të fituar dhe në rezultate”.
Pas 5-1-shit kundër Sampit, trajneri bardhezi kërkon një tjetër provë force kundër Napolit: “Ajo që ndodhi ndaj Sampdorias sigurisht që është e rëndësishme. Tani e dimë se mund të luajmë në nivele të larta. Ndoshta nuk do të luajmë gjithmonë kështu, por ky duhet të jetë shpirti i skuadrës. Kjo ndeshje na dha përgjigje pozitive pas një periudhe disi të ngatërruar, kishim nevojë për një paraqitje të tillë. Tashmë duhet të dimë ta ruajmë këtë formë dhe të kërkojmë përherë rezultate”.
Por jo gjithçka shkon mirë për Ferrarën, pasi mesfushori malian, Sisoko, pak ndeshje pas kikthimit nga një dëmtim i gjatë, ka pasur një tjetër problem dhe do të qëndrojë jashtë fushave edhe për të paktën 20 ditë të tjera. Në vend të tij do të luajë poulsen që nga minuta e parë.