30 tetor 2009

Denis: Mund të befasojmë edhe Juventusin

Ka qenë me të vërtet një natë me shumë emocione ajo e përjetuar të mërkurën në mbrëmje në “San Paolo”. Për këtë është i vetdijshëm, dhe ka qenë protagonist, sulmuesi argjentinas i Napolit, Xherman Denis. Pas një periudhe të kaluar në hijen e sulmuesit të ri Kualjarela, për argjentinasin ndeshja kundër Milanit ka qenë një hakmarrje e vogël. “T’i harrojmë polemikat, e kaluara nuk më intereson.
Pas ndeshjes kundër Milanit më pëlqen të mendoj për një të ardhme pozitive dhe kaq. Përtej golit, të mërkurën jam kënaqur edhe nga përqafimi me Kualjarelën, një sinjal që tregon se skuadra është e bashkuar dhe në këtë mënyrë mund të arrihen vetëm rezultate pozitive”. Në lidhje me ndeshjen: “Sipas mendimit tim në fund rezultati ka qenë i drejtë, sepse kemi patur shumë raste të tjera.
Ku mund të arrijmë? Nuk e di, por sigurisht kundër Milanit kemi treguar se kemi forcën e duhur në aspektin e mentalitetit për t’u përballur me të gjitha skuadrat. Jam i bindur se mund të paraqitemi mirë edhe të shtunën kundër Juventusit”. Kishte filluar jo mirë, por shkëlqyeshëm, për Milanin ndeshja në transfertë kundër Napolit. Dy golat e shënuar nga Inzagi dhe Pato në 5 minutat e para të ndeshjes dukej sikur i kishin hapur rrugën një nate në stilin e Championsit.
Ndërsa, kur “Djalli” po shijonte vendin e katërt në renditje vetëm dy pikë larg Sampdorias, që është shkatërruar në Torino, ka ardhur goditja e dyfishtë që ka bërë “San Paolon” të shpërthejë dhe që ka befasuar kuqezinjtë. Kjo nuk ka si ta kënaqë një ‘kanibal’ si Filipo Inzagi, i cili të mërkurën ka arritur në kuotën e 309 golave në karrierë: “Eshtë e pabesueshme të shpërdorosh dy pikë kështu, - ka qenë komenti i SuperPipos. - Më vjen keq sepse e kishim përgatitur mirë këtë ndeshje”.