Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në xhirot e fundit të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, Besa ka filluar të mendojë seriozisht për ta ndjekur titullin e kampionit të Kosovës.
Ekipi pejan, të mërkurën, fitoi si mysafire e KEK-ut, me rezultat minimal 0:1. Kjo ishte fitorja e tretë me radhë që e arriti Besa. Tani kjo skuadër është ngjitur në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit dhe ka 23 pikë të tubuara, gjegjësisht katër më pak sesa lideri - Hysi, i cili ka 27 pikë.
Prandaj, kryetrajneri i kësaj skuadre, Genc Hoxha thotë se tani Besa do të përpiqet ta ndjekë më me seriozitet titullin e më të mirit, ndonëse ky ekip nuk e kishte këtë objektiv kur e nisi kampionatin.
“Do të përpiqemi që kësi lloj rezultatesh të mira të përsërisim sa më shumë, me qëllim që të mbesim në krye të tabelës. Por, nuk mund ta përjashtoj mundësinë që tash e tutje Besa të luftojë për titull të kampionit. Kur të përfundojë pjesa e parë e kampionatit, atëherë, ne do të ulemi dhe të bisedojmë me kryesinë e klubit për të bërë përforcime eventuale, të cilat do të mund të na ndihmonin në luftë për titull”, deklaroi Hoxha, për Express të enjten.
Ai i ka lavdëruar futbollistët e tij për sukseset që po i arrijnë, duke e veçuar kapitenin e skuadrës, Haxhi Zeka.
“Kemi vetëm dy apo tre futbollistë pak sa më të vjetër, kurse të gjithë futbollistët e tjerë kanë një moshë mesatare prej 20 deri 21 vjeç. Ata janë shumë kualitativ. Nuk kam dëshirë të bëjë dallime te futbollistët, por, prapë po them se Haxhi Zeka është lojtar shpëtimtar i Besës. Ai është njëri prej lojtarëve më të mëdhenj që ka dalë në futbollin kosovar të pasluftës”, përfundoi Hoxha, i cili para se të niste kampionati i shkuar e pati marrë detyrën e trajnerit të kësaj skuadre, që në atë kohë po përjetonte një krizë financiare.