Kristiano Ronaldo: Kthehem shpejt, por Reali nuk varet vetëm nga unë. Do t’u rikthehemi fitoreve
Sipas tij nuk është e vërtetë, por Kristiano Ronaldo ka të ngjarë të jetë shpëtimtari i Real Madridit. Gjatë një reklame, të premten në Madrid, portugezi ka dalë përpara gazetarëve në një intervistë. Tifozët e Realit duan të dinë se kur do të rikthehet, duke parë rënien e lirë të skuadrës së tyre. Vëmendja mbi të është e jashtëzakonshme dhe portugezi e duron presionin duke i mbrojtur të gjithë: klubin, ekipin, Pelegrinin dhe “rebelin” Guti…
- Me ju në fushë Reali fitoi 7 nga 7 ndeshjet e para. Pa ju ka luajtur pesë dhe ka fituar vetëm 1, duke humbur 3…
- Unë nuk jam portier dhe nuk luaj as në mbrojtje. Gjithashtu nuk jam në qendër të mesfushës. Unë jam vetëm një nga 11 titullarët e Realit dhe mendoj se mund të humbasim edhe me mua në fushën e lojës. Duhet të përmirësohemi në aspekte të ndryshme dhe nuk është e mundur që një mungesë e vetme t’i ndryshojë fytyrën ekipit.
- Pra, s’kemi të bëjmë me “vartësi” nga Ronaldo?
- Këto janë terma që i krijon shtypi. Unë jam në një skuadër të madhe si Reali i Madridit, që asnjëherë nuk do të varet nga një futbollist i vetëm. Të gjitha klubet kanë një moment vështirësie, nuk mund të jesh gjithmonë në majë. Problemi është se këtu njerëzit e kanë të vështirë ta pranojnë se nuk fitohet çdo ndeshje. Në futboll ka raste kur luan keq dhe humbet ndeshjen, e rëndësishme është të fitosh trofe në fund. Mbi të gjitha, në rastin tonë jemi një ekip me futbollistë të rinj, me trajner të ri dhe jo gjithçka mund të arrihet me mua, duhet ende kohë.
- Mendoni se do t’ju japin kohë?
- Shpresoj…
- Ka filluar të flitet për largimin e trajnerit…
- Njerëzit mund të thonë atë që duan, por unë kam idenë time dhe me Pelegrinin jam shumë i kënaqur. Kur jam i kënaqur nuk dua t’i ndryshoj gjërat. “Shkatërrimet” janë pjesë e futbollit. Tani është momenti për të punuar fort, që të ngremë kokën dhe t’u rikthehemi fitoreve, sepse jam i bindur për një gjë: Reali do të rikthehet në majë.
- Ndeshja ndaj Milanit në Champions do të jetë testi i vërtetë…
- Padyshim që do të jetë një ndeshje shumë e rendësishme. Mundemi dhe duhet të fitojmë. Reagimi i Milanit në “Bernabeu” më befasoi. Ata nuk vinin nga një moment i mirë dhe të gjithë menduam se do të fitonim lehtësisht, por ndaj ekipeve të mëdha mund të ndodhë gjithçka. Milani ka futbollistë ekspertë, që pavarësisht se luajtën keq në pjesën e parë, arritën të shënojnë tri gola duke fituar ndeshje. Por kjo i përket së kalurës. Ne shikojmë përpara dhe do të shkojmë në “San Siro” për t’u kualifikuar.
- Kërkoni vendin e parë në grup?
- Nuk ka rëndësi. Për mua vlen vetëm kualifikimi.
- Do të udhëtoni me skuadrën për në Milano?
- Jo, do të qëndroj në Madrid për të vazhduar punën, sepse jam në ditët e fundit të fazës riaftësuese.
- Një parashikim?
- Do të fitojmë ne… shënon Kakà.
- Një fjalë për të përshkruar humbjen 4-0 në Alkorkon.
- Leksion i pabesueshëm.
- Çfarë mendoni për të sharat e Gutit ndaj Pelegrinit dhe tifozëve?
- Po ia u lë ju gazetarëve. Unë mendoj vetëm se Guti është një futbollist i aftë dhe shok shumë i mirë
- Kur do të riktheheni?
- Pas ndeshjes me Milanin do të stërvitem me grupin e shokëve dhe po pres me padurim të ndodh diçka e tillë. Do të doja të luaja në ndeshjen e kthimit të Kupës së Mbretit ndaj Alkorkon dhe pastaj të siguroj praninë në botëror me Portugalinë.
- E imagjinoni veten duke e para Botërorin nga televizori?
- Jo. Unë do të shkoj në Afrikë me kombëtaren time dhe jam i bindur për këtë.
- Cili është miku juaj më i mirë te Reali?
- Uffff, ka disa të tillë: Kakà, Pepe, Marselo, Diarra, Raul, Kasiljas…
- Atëherë nuk është e vertetë se djalli (ju) dhe ëngjëlli (Kakà) nuk mund të shkojnë mirë së bashku?
- Ju gazetarët dini shumë pak për jetën time private në Spanjë dhe kështu do të jetë gjithmonë. Nga ana tjetër unë dhe Kakà jemi bërë miq të mirë dhe sinqerisht mendoj se ai është një njeri special, i veçantë nga të tjerët.