
Florent Maluda beson se aftësia e Çelsit për të shënuar gola nga çdo aksion do të jetë ndër asetet më të mira këtë sezon. Lojtari 29-vjeçar shënoi golin e tretë të sezonit në fitoren 4‑0 kundër Boltonit në Carling Cup, duke e çuar në 13 numrin e golave të shënuar nga Çelsi në tri ndeshjet e kësaj jave. Lojtarët e Ançelotit kanë shënuar 35 gola në 17 ndeshje zyrtare dhe kanë qenë 10 lojtarë të ndryshëm ata që kanë regjistruar emrin në listën e golashënuesve.
Lojtari francez është i mendimit se skuadra do të vazhdojë të shënojë shumë gola gjatë gjithë sezonit. “Secili prej lojtarëve tanë është në gjendje të kërcënojë portën kundërshtare dhe mendoj se kjo do të jetë pika jonë e fortë këtë sezon. Nuk varemi nga një lojtar i vetëm. Sigurisht që në një sezon dikush mund të mos jetë në formën më të mirë, por ne kemi shumë lojtarë cilësorë në skuadër.
Eshtë e rëndësishme që çdo lojtar të jetë në gjendje të tregojë se çfarë mund të bëjë dhe të japë kontributin e tij. Kjo është fuqia jonë për momentin, sepse ne këtë gjë jemi duke bërë. Me lëvizjet dhe aksionet që ne bëjmë secili prej nesh mund të shënojë. Ne jemi përmirësuar shumë me sistemin aktual. Në fillim të sezonit fitonim me vëshitirësi, por për momentin jemi duke shënuar gola dhe po fitojmë bindshëm. Duhet të vazhdojmë të ruajmë këtë nivel”, ka thënë Maluda.
Starrixh dështoi të bëhej heroi i ndeshjes për tifozët e Çelsit, por megjithatë mori përkrahjen e trajnerit Karlo Ançeloti pas fitores 4-0 kundër Boltonit, që i siguroi Çelsit pjesëmarrjen në çerekfinalen e Carling Cup. Çelsi mundi Bolton Uonderersin me nga dy gola të shënuar në secilën pjesë loje. Salomon Kalu dhe Florent Maluda ishin autorë të golave në pjesën e parë, ndërsa në të dytën shënuan Deko dhe Drogba.
Por Starrixh, që debutoi kundër Boltonit para tifozëve të Çelsit, humbi dy raste në dy minuta lojë, duke i lënë tifozët e Çelsit që të presin ndeshjet e ardhshme për të parë golat e tij. Starrixh shkoi në “Stamford Bridge” me vetëbesimin e një 20-vjeçari, por tani e ka kuptuar realitetin e konkurrencës së ashpër në këtë klub.
Por debutimi i tij do të mbahet mend për rastet e tij të humbura për sa u përket tifozëve, ndërkohë që trajneri Ançeloti e ka përkrhahur atë: “Më vjen keq për të”, tha Ançeloti. “Mendoj se luajti mirë për 60 minuta. I kërkova të luante për skuadrën dhe jo të kërkonte të shënonte me ngulm.
Ai bëri atë që i kërkova. Për mua nuk ka rëndësi që nuk shënoi, duke qenë se shënuan të tjerët. Për të do të kishte qenë mirë të kishte shënuar, por unë jam i kënaqur me punën e tij në fushë.” Blutë e kanë bërë “Stamford Bridge” një fortesë me 13 golat e shënuar prej tyre në tri ndeshjet e fundit.