Janë plot 79 futbollistë të skuadrave të kampionatit anglez që vuajnë për shkak të problemeve të ndryshme fizike.Sipas faqes së internetit “physioroom.com”, numrit prej 78 lojtarësh të dëmtuar deri javën e kaluar, në mesjavë iu shtua edhe portieri i Arsenalit, Lukas Fabianski, që pati një problem në ndeshjen e Carling Cup përballë Liverpulit, duke e çuar në 79 numrin e të dëmtuarve në Premier Ligë.
Ekipi me numrin më të madh të dëmtimeve është Evertoni. Janë jo pak, por plot dhjetë gfutbollistë të kësaj skuadre që vuajnë problemet e ndryshme fizike. Jo më pak vuan Birmingami, nga radhët e të cilit janë shtatë lojtërë të padisponueshëm për t’u aktivizuar. Më pas vjen Fulhami me gjashtë, ndërkohë që Uigani mbyll listën me vetëm një dëmtim.
Kurse përsa u përket katër të mëdhenjve, Liverpuli dhe Arsenali mbajnë vendin e parë me nga pesë lojtarë të dëmtuar. Më pas vjen Çelsi me katër, ndërkohë që më mirë qëndron puna me Mançesterin, që ka vetëm tre futbollistë të dëmtuar.
E meqë ra fjala për Liverpulin, kapiteni Stiven Xherrard dukej se do ta rimerrte vendin në ndeshjen e fundjavës kundër Fulhamit, por kjo nuk do të ndodhë. Jo vetëm kaq, por mesfushori anglez është në dyshim edhe për sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Lionit në transfertë. Sipas “Daily Mail”, kapiteni mund t’i nënshtrohet edhe ndërhyrjes kirurgjikale, për të zgjidhur përfundimisht problemin në gju që e shqetëson prej kohësh.