Lorik Cana brengoset për faktin se ekipi i tij Sunderland, nuk po luan si duhet si mysafir, karshi ndeshjeve si vendës. “Macet e Zeza” i kanë humbur dy ndeshjet si mysafirë nga skuadra jo dhe aq të forta, para fitores së madhe ndaj Liverpool në shtëpi.
“Ne po luajmë shumë mirë në shtëpi, mirëpo kemi humbur si mysafir në ndeshje me Stoke e Burnley”, theksoi mesfushori kosovar, i cili megjithatë beson se ekipi anglez do t’u kthehet fitoreve edhe jashtë shtëpisë së vet. “Mirëpo, në 3-4 ndeshjet e fundit ne patëm paraqitje të mira dhe kjo na jep besim të madh. Mendoj se ekipi po shkon mirë e më mirë”, tha Cana për Goal.com.
Përfaqësuesi shqiptar nuk ka mundur të mos flasë për paraqitjen e shkëlqyeshme të Sunderland, në fitoren minimale ndaj Liverpool, mbi të gjitha për paraqitjen e tij brilante, e cila bëri bujë të madhe në Angli.
“Kam luajtur kundër Liverpool në Ligën e Kampionëve duke e fituar një ndeshje dhe duke humbur tri herë. Ndërsa, të shtunën në u mbrojtëm mirë, por i humbëm disa raste të mira për ta shënuar golin e dytë. Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, e shijova atë mjaft”, vazhdoi 26 vjeçari.
Në pjesën e dytë, Cana u rikthye në pozitën e qendërmbrojtësit, pas daljes nga loja të George McCartney. Shqiptari luajti jashtëzakonisht mirë në atë pozitë.
“Ishin dy pjesë totalisht të ndryshme. Në të parën, ne luajtëm presing dhe shënuam me meritë. Në të dytën unë luajta në mbrojtje dhe nuk po mund të bënim shumë presing në mesfushë. Qendra e mbrojtjes nuk është diçka e re për mua. Unë kam luajtur si qendërmbrojtës për vendin tim dhe kam eksperiencë në atë pozitë. E kam përdorur atë eksperiencë për ta ndihmuar ekipin aq sa kam mundur”, theksoi ai.
Cana ka folur edhe për “beach ball goal”, përkatësisht për golin e Darren Bent ndaj Liverpool, të cilit i ndihmoi një top i volej-plazhit. “Ishte diçka e pabesueshme. Unë nuk kisha parë kurrë më parë një gjë të tillë, andaj është e natyrshme se për kundërshtarët kjo nuk është e lehtë të pranohet. Megjithatë, ne ishim ekip më i mirë në fushë”, tha Cana.
Ndërkohë, menaxheri i Sunderland, Steve Bruce, ka thënë se e dinte se Lorik Cana do të bëhej hero i Sunderland këtë sezon. Trajneri anglez e ka lavdëruar mjaft Canën për kontributin që po e jep tek “Macet e Zeza” dhe se si po e udhëheq ekipin si kapiten me shëmbëlltyrë
“Mendoj se çdokush dëshiron ta shohë futbollistin që e këput zemrën për fanellën e tij dhe që jep gjithçka për të. Nuk është mirë t’i veçosh futbollistët, por nganjëherë duhet ta thuash atë që e sheh. Paraqitja e tij, veçanërisht në pjesën e dytë, ishte e jashtëzakonshme, si futbollist dhe si kapiten. Liverpool do të mund të shënonte gol të shtunën vetëm në ‘trupin e tij të vdekur’, përndryshe jo. Unë pata thënë se ai do të bëhej hero këtu kur kishte nënshkruar, ndërsa ai po shkon drejt kësaj rruge”, theksoi Bruce për uebfaqen zyrtare të Sunderland.
Në ndeshjen e ardhshme, përkatësisht të shtunën, Sunderland do të jetë mysafir i Birmingham Cityt. Nëntë xhiro pasi kanë kaluar në Premierligë, Sunderland zë pozitën e shtatë në tabelë me 16 pikë të tubuara, sa ka edhe Aston Villa, që është e gjashta.