
Ndeshja ndaj Napolit ka treguar një Ronaldinjo jo në formë në fushën e lojës dhe shumë të nervozuar jashtë saj. Pas një paraqitjeje aspak pozitive, braziliani e ka mbyllur natën zhgënjyese të “San Paolos” duke protestuar dukshëm ndaj Leonardos në momentin e një zëvendësimi që, objektivisht, nuk mund të vihej në diskutim.
Ronaldinjo ka refuzuar përshëndetjen e trajnerit, duke bërë një lëvizje mosaprovimi me dorë, para se të ulej në stol për të ndjekur pjesën tjetër të takimit. Edhe gjatë pjesës së parë, telekamerat kanë kapur një moment tensioni midis lojtarit dhe teknikut pas humbjes së radhës të një topi në mesfushë nga Dinjo: Leonardo, nga stoli, e thëriste për ta stimuluar dhe për t’i dhënë këshillat e rastit, Ronaldinjo nuk është kthyer nga ai dhe ka vazhduar të ndjekë lojën.
Braziliani, gjatë turnit të mesjavës, nuk ka qenë i vetmi, që ka protestuar ndaj trajnerit të tij: në Livorno, e njëjta skenë është zhvilluar midis Donit dhe Kontes, me kapitenin e Atalantës që ka filluar të duartrokasë duke thirrur “bravo, bravo”, kur ka parë se ishte ai lojtari që do të zëvendësohej.
“Gota është gjysëm e mbushur, - ka thënë mesfushori holandez Klarens Sedorf -, tani duhet të vazhdojmë kështu. Ka qenë me të vërtet një ndeshje e bukur, sepse Milani ka dhuruar një spektakël të madh edhe pse rezultati mund të kishte qenë i ndryshëm. Kam parë një Milan në formë sidomos në fillimin e ndeshjes, më pas kemi kërkuar të mbrohemi nga një Napoli i madh”.
Në lidhje me rekuperimin e disavantazhit nga vendasit, kur takimi dukej i mbyllur, Sedorf nuk është shprehur i zemëruar: “Kanë shënuar golin e parë pas një episodi me një gjuajtje nga larg dhe kanë rihapur ndeshjen. Pas këtij momenti Napoli ka besuar tek barazimi, duke e arritur atë në fund. Edhe ne kemi krijuar shumë raste. Mendoj se kemi marrë një pikë në një fushë të vështirë dhe do të shohim se çfarë rezultatesh do të marrin skuadrat e tjera këtu. Mund të kishim rekuperuar pikë të rëndësishme në renditje, është e vërtetë, por tani do të vazhdojmë në këtë rrugë”.
“Skuadra e ka filluar ndeshjen në mënyrën e duhur, kemi shënuar dy gola shumë shpejt, në disa momente Napoli na ka vënë në vështirësi, ndërsa në momente të tjerë kemi administruar shumë mirë ndeshjen. Marrja e kartonit të kuq nga Abate në minutën e 88-të mund edhe të ketë qenë vendimtare. Rezultati është pak i hidhur për ne, por përsa i përket paraqitjes së Milanit, ajo ka qenë shumë pozitive”, ka thënë trajneri kuqezi.