Zyrtarët e Trepçës, të enjten e kanë mbajtur një mbledhje, në të cilën e kanë aprovuar dorëheqjen e ofruar nga ana e trajnerit Hysni Maxhuni.
Trajneri i mirënjohur kosovar, ofroi dorëheqje nga posti i trajnerit të mërkurën, pas barazimit që skuadra e tij e arriti në shtëpi ndaj Gjilanit (1:1), me arsyetimin se futbollistët e ekipit nuk po e japin maksimumin nga vetja e tyre.
“Ne e mbajtëm një mbledhje dhe e aprovuam dorëheqjen e Hysni Maxhunit. Kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të pjesës së parë të kampionatit, dhe deri në fund ekipin do ta udhëheqin ndihmësit e Maxhunit. Kurse, gjatë pushimit dimëror do ta angazhojmë një trajner të ri. Dhe besoj se do ta bëjmë zgjedhjen më të mirë”, deklaroi për Express, drejtori i Trepçës, Eroll Vitaku.
Si pasojë e rezultateve jo të mira në xhirot e fundit, zyrtarët e Trepçës të mërkurën i kanë përjashtuar edhe tre futbollistë: Sheremet Isufin, Shpëtim Fetahun dhe Seid Onbashin, dhe po ashtu është dënuar Krasimir Stojev.