30 tetor 2009
Kombëtarja U-19 mposht 3-1 Renovën
Kombëtarja U-19 jep sinjale pozitive nga faza përgatitore që po zhvillon në Strugë të Maqedonisë, në prag të eliminatoreve të Kampionatit Europian të kësaj moshe, që do të zhvillohet nga 13 deri më 18 nëntor në San Marino. Pas fitores 2-0, të regjistruar të mërkurën me Vllaznimin, skuadra e drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu ka triumfuar edhe në ndeshjen me Renovën, klub i Tetovës. Rezultati përfundimtar i 90 minutëshit ishte 3-1 në favor të kuqezinjve të vegjël, pas golave të realizuar nga mbrojtësi Hoxha dhe sulmuesi Tepshi në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të takimit shënoi edhe Koni. Fakt interesant është se në miqësoren me Renovën, 19-vjeçarët shqiptarë mund të kishin shënuar edhe më shumë gola, mbi të gjitha në pjesën e parë kur skuadra ka dominuar lojën. Përpara startit të eliminatoreve, Under-19 do të zhvillojë edhe dy miqësore të tjera në Qipro, në datat 5 dhe 7 nëntor. Gjatë ndeshjeve me përfaqësuesen e kësaj moshe nga ishulli i Afërditës në vendin tonë, djemtë e Ramadanit kanë regjistruar dy barazime.