30 tetor 2009
Benitez kryeson "planin B" të Realit
Trajneri i Liverpulit shihet si kandidati potencial i stolit, së bashku me Luis AragonesReali i Madridit në formatin "galaktik" të krijuar nga Florentino Perez vazhdon të mos paraqitet si një skuadër kompakte dhe drejtuesit e klubit po humbasin durimin me trajnerin Manuel Pelegrini. Edhe pse gjatë verës janë shpenzuar 254 milionë euro për blerjen e yjeve si Kristiano Ronaldo, Kaka, Benzema dhe Ksabi Alonso, "merengues" kanë fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit të luajtura. Pas humbjes së turpshme 4-0 përballë skuadrës së kategorisë së tretë, Alkorkon në Kupën e Mbretit, trajnerit kilian i janë dhënë dy javë kohë për të ndryshuar situatën. Në të kundërt, ai do të largohet nga drejtimi i stolit në "Santiago Bernabeu". Rezultatet pozitive kërkohen që prej dy sfidave të ardhshme, në kampionat me Getafen dhe në Champions League me Milanin. Reali ka planifikuar që pasardhës i Pelegrinit të bëhej drejtori i përgjithshëm, Horge Valdano, por duket se ai do të marrë në konsideratë vetëm detyrën e "trajnerit të emergjencës", deri në momentin kur klubi do të emërojë teknikun e ri. Për momentin, Pelegrini ka mbështetjen e plotë të drejtuesve, megjithatë në Madrid nuk duan t‘i lënë asgjë rastësisë dhe po punojnë në pista paralele. Ata po marrin në konsideratë dështimin e mëtejshëm të skuadrës dhe në rast se Reali nuk del nga kriza e rezultateve, janë përgatitur skenarët për "planin B". E thënë ndryshe, klubi ka përpiluar një listë me kandidatët e mundshëm që mund të marrin drejtimin e skuadrës, në krye të së cilës qëndron Rafa Benitez. Përkrah teknikut të Liverpulit mendohet se është edhe emri i ish-trajnerit të përfaqësueses spanjolle, Luis Aragones. Si alternativa janë përmendur gjithashtu edhe Roberto Mançini, Majkëll Laudrup apo Marko van Basten, por spanjollët kërkojnë t‘ia besojnë stolin një trajneri me shumë eksperiencë, detyra kryesore e të cilit do të jetë që t‘i bëjë "galaktikët" të luajnë si ekip.Pikërisht kjo kërkesë ka bërë që Benitez të jetë kandidati numër 1, edhe sepse ai e njeh mirë ambientin, duke qenë se ka punuar më parë në klubin e kryeqytetit iberik. Presidenti Perez u ka kërkuar tifozëve të kuptojnë se Reali është një skuadër e re dhe për këtë arsye hapat fals janë të lejueshëm. "I ftoj tifozët tanë që të tregohen të durueshëm. Nuk duhet të harrojmë se gjatë merkatos u afruan mjaft lojtarë të rinj dhe ata kanë nevojë për kohë që të adaptohen me lojën. Sezoni ka vetëm dy muaj që ka nisur dhe ende po punojmë që të krijojmë një skuadër", tha ai. Me gjithë "durimin" e shfaqur nga Perez në publik, Pelegrini duhet të shqetësohet për ato që drejtuesi më i lartë i Realit thotë në bisedat private. Nëse spekulimet janë të vërteta, Valdano po punon intensivisht që të rekrutojë trajnerin e ri dhe duke përfituar nga problemet e Benitez me bashkëpronarët e Liverpulit, Hiks dhe Xhilet, emërimi i spanjollit mund të bëhet shumë shpejt realitet. Nuk duhet harruar që përpara ndeshjes së fundjavës me Mançester Junajtid, e ardhmja e tij te "Reds" ishte në dyshim. Madje, qarkulluan zëra se një humbje përballë skuadrës së Ferguson do të sillte largimin e Rafës nga stoli. Me Benitez synohet edhe afrimi i kapitenit të Liverpulit, Stiven Xherard. Madrilenët e kanë rritur ofertën e mëparshme për mesfushorin anglez, e tashmë janë të gatshëm të paguajnë deri në 40 milionë euro. Emri i Xherard është i pari në listën e merkatos për sezonin e ardhshëm.....