Emmanuel Adebayor ka rihapur armiqësinë me tifozët e Arsenalit, duke theksuar se kapiteni Cesc Fabregas do të jetë ylli i ardhshëm, i cili do të largohet nga klubi.
Mbrojtësi Kolo Toure e përcolli Adebayorin në largim nga gjiganti londinez në Manchester City, gjatë verës, ndërsa sulmuesi beson se Fabregas do të jetë futbollisti i ardhshëm, i cili do të largohet nëse Arsenal dështon të fitojë ndonjë titull këtë sezon.
“Mendoj se futbollistët si Fabregas do të kërkojnë të largohen, nëse nuk janë konkurrentë në Ligën e Kampionëve, edhe pse përqendrimi im tani është tek City. Futbolli është më tepër se goditja e topit dhe ndërhyrjet. Ekziston një lidhshmëri mes njerëzve, futbollistëve, tifozëve dhe kjo shkon në shkallë të lartë. Kur mungon kjo, gjithçka dështon. Ju duhet të ndiheni i adhuruar dhe këtë e ndiej në City”, deklaroi Adebayor, i cili zgjoi skena shpërthyese, me mënyrën e kremtimit të golit kundër ish-klubit të tij në City of Manchester, muajin e kaluar.
Ai ishte dënuar për tre ndeshje nga Federata angleze e Futbollit, pas shkeljes ndaj ish- bashkëlojtarit të tij nga Arsenal, Robin van Persie, gjatë fitores së Cityt 4-2.