Valon Behrami ka insistuar se nuk do të largohet nga West Ham, pavarësisht interesimit të madh dhe startit të dobët të ekipit, këtë sezon. Gjiganti italian Juventus ka planifikuar të paraqes ofertë në janar për mesfushorin, i cili i kushtoi West Hamit 5 milionë funta, pas transferimit nga Lazio, në korrik 2008.
Klubi torinez renditet i dyti në Serie A dhe paraqiten në Ligën e Kampionëve, ndërsa ekipi i Gianfranco Zolas, gjendet në zonën e mbijetesës në Premierligë dhe ka probleme financiare.
Pavarësisht dallimit, Behrami dëshiron të mbetet në West Ham, e sidomos për faktin se vetëm disa javë më parë është rikthyer nga mungesa gjashtëmujore, për shkak të lëndimit serioz të gjurit.
“Nuk dua të largohem nga West Ham”, tha ai. “Kënaqem me punën time këtu. Ky klub më ka dhënë shumë, më parë, gjatë dhe pas lëndimit tim dhe dua të mbetem këtu të luaj për këtë klub” shtoi ai.
Stili i lojës së Behramit i përshtatet Premierligës. Në atë që konsiderohet si liga më e fortë në botë në shkallën fizike, 24-vjeçari është futbollist i cili rrallëherë ndalet. Në barazimin e javës së kaluar kundër Arsenalit, mesfushori vrapoi 12 kilometra dhe ishte zëvendësuar pak para përfundimit të ndeshjes.
Në takimin kundër Hull, sezonin e kaluar, intensiteti i vrapimit të tij ishte matur zyrtarisht si më i larti në Premierligë. Të shtunën, Behrami do të kalojë kilometrat e tij të zakonshme në Stadium of Light, kundër Sunderlandit.
“Për momentin jam në 80 për qind të formës fizike”, tha ylli kosovar, i cili lehtë mund të kishte qenë vrapues i shtigjeve të gjata. Forma e mirë fizike e Behramit është tepër e rëndësishme në shpresat e West Hamit, për dalje nga kriza.
Sezonin e kaluar para ndeshjes me Sunderlandin, West Ham ishte në pozitë të ngjashme. Ata kishin shkuar shtatë ndeshje pa fitore dhe shumëkush dyshonte në vendimin e klubit për emërimin e Zolas për menaxher.
Atë ditë Behrami shënoi golin e tij të parë për klubin, që doli të jetë i fitues për West Hamin dhe Zola nuk u kthye prapa. “Shpresoj ta përsëris të shtunën, sepse do të kishte qenë mirë për besimin e ekipit. Ndeshja kundër Arsenalit ishte shumë e çuditshme, sepse ne ishim në pikën më të ulët të sezonit dhe në disavantazh prej dy gola. Në fund të pjesës së parë ishim në situatë të vështirë. Ndoshta ndonjë futbollist nuk kishte besuar se mund të nxjerrim rezultat, por ne vazhduam përpara”, vazhdoi ai.
Reprezentuesi zviceran nuk do të dorëzohet kurrë – prejardhja e tij e dëshmon këtë. “Familja ime dhe shokët janë shumë të rëndësishëm për mua. Njerëzit nga Kosova janë gjithmonë në zemrën time. Kur luaj mendoj për ta dhe mundohem të jap më tepër. Ende kam familje atje. Jam kthyer për disa ditë kur isha i lënduar dhe më bëri të ndihem shumë më pozitivisht. Lufta ka përfunduar 10 vjet më parë dhe njerëzit atje nuk kanë shumë para, por prapë të gjithë janë duke buzëqeshur. Këtu dhe në shtete tjera, jeta është më e mirë, mirëpo është shumë e çuditshme, sepse në Kosovë gjërat janë shumë më të vështira dhe prapë ata janë pozitivë”, përfundoi ai.