Sot dhe nesër luhet java e 11-të në Premier. “Blutë” kanë dy pikë avantazh ndaj “djajve”
Shanset e Mançester Junajtid për të imituar Çelsin dhe për të mundur Blekbërnin, që të marrë vendin e parë të Premier Ligës, sot duken të pakta: së pari për shkak se Junajtid ka disa lojtarë të dëmtuar dhe së dyti për shkak se Çelsi është në formë shumë të mirë. Junajtid duhet të djersisë shumë për të siguruar fitoren në një ndeshje ku i mungojnë Vidiç dhe Ferdinand, të cilët iu bashkohen lojtarëve të tjerë si Darren Fleçer, Geri Nevil, Park Ji‑sung dhe Deni Uellbek. Ndërkohë që Çelsi luan kundër Boltonit pas një serie fitoresh dhe 13 golash të shënuar në tri ndeshjet e fundit, Junajtid as fitorja mund të mos i sigurojë vendin e parë. Kampionët në fuqi u mundën 2-0 nga Liverpuli javën që shkoi duke e humbur vendin e parë. “Ne u mundëm edhe vjet në “Anfield”, por më pas fituam titullin”, ka thënë mbrojtësi Evans i Junajtid. “Liverpuli e meritoi fitoren, por ne e dimë se sezoni është i gjatë.
Kundër Blekbërnit do të jetë një ndeshje e bukur dhe fitorja mund të japë sërish kreun.” Junajtid mundi Barnslein në Kupën e Ligës të mërkurën, por i la shumë hapësirë skuadrës së kategorisë së dytë. Uellbek ishte autor i golit të dytë, por nuk do të luajë këtë javë sepse është i dëmtuar, ndërsa Nevil i skualifikuar pas kartonit të kuq marrë në atë ndeshje. Fleçer nuk luan sepse është i dëmtuar, ndërsa Park ka një muaj që nuk luan. Edhe Rajën Gigs mund të mos luajë. “Ne jemi në garë kundër kohës për të rekuperuar lojtarët”, ka thënë Ferguson. Çelsi nuk ka telashe të tilla kundër Boltonit, të cilin e mundi 4-0 në Kupën e Ligës këtë javë. “Ata e dinë se nuk duhet të përsërisin gabimet që bënë, se përndryshe mund ta pësojnë sërish 4-0.
Prandaj do të jetë një ndeshje ndryshe, ka thënë portieri Çeh i Çelsit. - Psikologjikisht ata e dinë se nuk ka si të shkojë më keq se kaq.” Mesfushori Xho Kol është rikthyer në skuadër pas 10 muajsh dhe do të luajë në këtë ndeshje. Salomon Kalu është autor i tre golave në dy ndeshjet e fundit, ku Çelsi nuk ka pësuar gol. Çelsi gjithashtu mund të mbështetet te përvoja e Xhon Territ, Frenk Lampardit, Rikardo Karvajos dhe Nikolas Anelkasë, që nuk kanë luajtur të mërkurën. Edhe Eshli Kol mund të rikthehet në skuadër. Liverpuli i dha fund katër ndeshjeve pa fitore duke mundur kampionët në fuqi të Junajtid, edhe pse u mund të mërkurën nga Arsenali në Kupën e Ligës, 2-1, por kishte aktivizuar skuadrën rezervë. Kundër Fulhemit sot do të ketë testin e vërtetë të ringjalljes së tyre.
Xhemi Karrager, Fernando Torres dhe Hoze Reina do të kthehen në skuadër duke e forcuar Liverpulin për këtë ndeshje. Po sot, Arsenali i vendit të tretë pret Totenhemin e vendit të katërt, ndërsa Aston Vila luan në fushën e Evertonit. Uigani luan kundër Portsmuthit të vendit të fundit, ndërsa Volves kundër Stok Sitit dhe Uest Hemi kundër Sandërlendit. Hull Siti luan kundër Bërnleit në atë që shumë gazeta angleze e kanë cilësuar si ndeshja e fundit e trajnerit Fil Braun në krye të “Tigrave”. Braun mbijetoi si trajner edhe pse e shmangu rënien nga kategoria vetëm në javën e fundit të sezonit që shkoi, duke fituar vetëm tre nga 32 ndeshje. Hull Siti renditet sërish në zonën e rënies nga kategoria dhe ka golavarazhin më të keq në kampionat. Mançester Siti luan në Birmingem të dielën.