79 lojtarë, përfshi Xherrardin, nuk luajnë në fundjavë për shkak të problemeve fizike. Evertoni ka 10 të dëmtuar
Numri i lojtarëve të dëmtuar rritet edhe në Premier Ligë. Madje sipas faqes web physioroom.com janë 78 lojtarë të dëmtuar të kategorisë superiore angleze. Por në fakt janë 79 së bashku me portierin e Arsenalit, Lukasz Fabianski, që do të qëndrojë të paktën tri javë larg fushës pas dëmtimit të pësuar kundër Liverpulit në Kupën e Ligës.
Duke i hedhur një sy listës së lojtarëve të dëmtuar, sheh se Evertoni ka dhjetë lojtarë në infermieri dhe nëse Baines, Osman, Jobo e Pienar do të futen në lojë këtë fundjavë, për Aniçebe, Jagielka dhe Arteta pritja do të zgjasë edhe një javë, kurse për Nevil edhe tri javë. Ndërsa Biljaletdinov dhe Vogan nuk dihet saktë se kur mund të rifuten në lojë. Edhe Birminghem ka probleme, pasi ka shtatë lojtarë të dëmtuar, pasuar nga Fulhem me 6, kurse Uigan mbyll listën me vetëm një të dëmtuar, që është Figueroa.
Për sa u përket katër skuadrave kryesuese, Liverpuli dhe Arsenali kanë nga pesë të dëmtuar (Riera, Keli, Kirjakos, Xherrard dhe Dosena për Liverpulin; Rozicki, Uollkot, Denilson e Djouru për Arsenalin), Çelsi ka katër të dëmtuar (Kol, Zhirkov, Bosingua e Mikel) dhe Mançester Junajtid vetëm tre (Fleçher, Ji‑Sung dhe Hargrivs). Në lidhje me Liverpulin, kapiteni Xherrard, që dukej se do të rikthehej kundër Fulhemit, ka shumë mundësi të mos jetë.
Madje ai mund të humbë edhe ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lionit të martën që vjen. Gazeta “Daily Mail” ka shkruar se Xherrard mund të operohet për të hequr qafe dëmtimin e pësuar në ndeshjen kundër Ukrainës, por që e ka keqësuar kur vendosi të luante kundër Lionit në “Anfield”.