30 tetor 2009
Real Madrid : Polemikë Guti-Pelegrini, lojtari ofendon trajnerin
Rezultatet e dobëta të Realit të Madridit duket se kanë ardhur prej problemeve që ekzistojnë në dhomat e zhveshjes. Humbja në sfidën me modestët e Alkorkonit në Kupë, ka përkeqësuar marrëdhëniet e trajnerit Manuel Pelegrini me Hoze Maria Gutierrez Hernandez, i njohur ndryshe me emrin Guti. Në pushimin mes pjesëve në stadiumin "Santo Domingo", tekniku dhe mesfushori kanë debatuar ashpër. Guti, i zemëruar nga rezultati i pjesës së parë, u ka kërkuar shokëve që të reagonin dhe të jepnin gjithçka në fushë. Trajneri Pelegrini e ka ndërprerë, duke e i thënë me qetësi lojtarit se nuk do të luante në pjesën e dytë. Kaq ka mjaftuar që 32-vjeçari të humbasë toruan dhe t‘i drejtohet trajnerit me fjalët "ik p...". Pas debatit, Guti vendosi të qëndronte në stolin e rezervave, por edhe aty ka qenë protagonist i një tjetër episodi. Në momentin kur Reali u fut në fushë, tifozët vendas kanë filluar të tallen me yjet madrilenë. Në nerva e sipër, mesfushori u kap nga telekamerat kur përpara se të ulej në pankinë, u ka treguar gishtin mbështetësve të Alkorkonit. Gjithsesi, drejtuesit e klubit vendosën që për momentin të mos marrin asnjë masë ndëshkuese për lojtarin, ndërsa tashmë pritet se çfarë dënimi do të japë Federata Spanjolle, por edhe trajneri Pelegrini, që mund ta lejë Gutin në stol. Vetëm tri javë më parë, mesfushori ishte zënë në fushë me portierin Iker Kasiljas, gjatë sfidës së humbur me Seviljan.