Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka shpjeguar arsyet pas vendimit të drejtuesve të klubit që ekipi të shkojë në kamp stërvitor. Ai beson se kjo do ta reformojë dhe stabilizojë klimën aktuale negative. Ai po ashtu ka kërkuar përkrahje nga tifozët për të dalë nga kriza e rezultateve të dobëta, javët e fundit.
Lazio ka dëshpëruar me rezultate, deri më tani, gjatë këtij sezoni në Serie A dhe aktualisht gjenden në pozitën e 15-të me 10 pikë, në 10 xhiro. “Kemi marr vendim të tillë, sepse jemi të brengosur me situatën aktuale. Dëshirojmë të jemi të përqendruar dhe të punojmë me kokë të qetë”, tha Tare, para ndeshjes së ardhshme kampionale kundër Sienas, të dielën.
“Të gjithë janë të dëshpëruar, sepse qarkullon dëshira për të arritur rezultate të mira, na ka munguar edhe fati, por kemi kualitete për t’u rikthyer në rrugën e drejtë”, shtoi ai.Tare ka kërkuar përkrahje nga tifozët, në këtë situatë të vështirë për klubin. “Tifozët duhet të jenë afër nesh për t’i ndihmuar ekipit. Duhet të mendojmë për secilën ndeshje të radhës. Siena është përballje shumë e rëndësishme”, përfundoi ai.