21 tetor 2009

Kaka do ta harrojë Milanin kur të hyjë në fushë

Vëllai i Ricardo Kaka, Digao, thotë se superylli brazilian do ta harrojë Milanin gjatë 90 minutave të përballjes në Santiago Bernabeu.
Kaka ka kaluar gjashtë vite të shkëlqyera te Rossonerët, ndërsa këtë verë ai u transferua te Real Madridi. Të mërkurën mbrëma braziliani do të përballet me ish-skuadrën e tij, të cilën ende e ka për zemër, mirëpo sipas vëllait të tij, Kaka në fushë do të mendojë vetëm për Los Blancos.
“Do të jetë një ndeshje me shumë emocione. E pyeta Kaka-n se si ndjehet që do të luajë kundër skuadrës që e bëri të njohur, dhe ai më tha se do të harrojë gjithçka porsa të hyjë në fushë”.
“Ai do të bëjë gjithçka për të fituar, por ai do ta respektojë Milanin. Ai do të japë më të mirën nga vetja për ekipin aktual”, ka thënë Digao për Tuttomercatoweb.com.