21 tetor 2009

Chelsea shkatërron Atleticon

Blutë e Chelseat kanë shpërthyer duke mposhtur me rezultat 4-0 ekipin e Atletico Madridit në takimin e grupit D të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Stamford Bridge.
Humbja ndaj Aston Villas gjatë vikendit ishte një stimulim i madh për ekipin e trajnerit Carlo Ancelotti, që dominoi tërësisht ndeshjen.
Salomon Kalou shënoi dy golat e parë, nga një në secilën pjesë, për t’i dhënë epërsinë e dyfishtë ekipit londinez.
Goli i parë i sulmuesit të Bregut të Fildishtë erdhi në fund të pjesës së parë (41’) pas një asistimi nga Michael Ballack, ndërsa tjetri erdhi disa minuta me të filluar pjesa e dytë (52').
Serinë e golave për blutë e vazhdoi Frank Lampard në minutën e 69-të, ndërsa dështimin e plotë të ekipit madrilen e vulosi një autogol nga Luis Perea në çastet e fundit të ndeshjes.
Chelsea ka tre fitore nga tre takime në grupin D të Ligës së Kampionëve dhe kryeson me nëntë pikë, derisa ndiqet nga Porto me gjashtë, që po ashtu shënoi fitore në fushë të vet ndaj APOEL Nicosia me rezultat 2-1