27 dhjetor 2009

Zonja duhet të kopjojë modelin Selesao

Melo dhe Diego, që me bardhezinjtë po zhgënjejnë, me Brazilin kanë dhënë rezultate pozitive

I paprekshën tek Seleçao, zhgënjyes tek Juventusi. Kush është Felipe Melo i vërtetë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet analizuar sesi Dunga dhe Ferrara kanë aktivizuar talentin brazilian në skuadrat respektive. Tek kombëtarja braziliane Felipe Melo luan si shkatërrues (bashkë me Xhilberto Silvën) para mbrojtjes. Detyra e tij e parë është ajo që t’i pengojë kundërshtarët të sulmojnë nga qendra e mesfushës. Melo, ndër të tjera, është një mjeshtër në rekuperimin e topave. Dunga i ka besuar atij edhe detyra të sakta në fazën e kundërsulmit, që nuk kanë lidhje me organizimin e lojës. Felipe kur ka topin në zotërim, ka tre mundësi: të kërkojë Maikonin në krahun e djathtë, të vertikalizojë drejt Kakasë ose të bëjë një pasim të gjatë drejt Luis Fabianos. Gjithçka shumë e thjeshtë dhe e organizuar. Ndërsa, tek Juventusi, Felipe Melo është pika e nisjes e manovrës së skuadrës. Regjisor, i cili është i lirë të avancojë me topin në kërkim të Diegos, siç ka ndodhur në pjesën e parë në ndeshjen e humbur kundër Katanias, kur ish-lojtari i Verder Bremenit ka qenë pika e lartë e rombit të mesfushës që ka patur si organizator mbrojtës Felipe Melon. E gjitha kjo me skemën 4-3-1-2. Befason fakti që Ferrara nuk ka studiuar Fiorentinën e vitit të kaluar. Prandeli e filloi me Melon në vendin e Liveranit, pra si regjizor. Pas pak muajsh kuptoi se braziliani kishte karakteristika të tjera dhe, me kalimin e kohës, ka arritur ta aktivizojë edhe si mesfushor të avancuar. Konkluzioni? Për të patur një Felipe Melo më të mirë Juvja duhet të kopjojë formulën e Selesaos. Edhe Diego ka patur momentin e tij të lavdisë me Brazilin në Kupën e Amerikës të 2007-ës në Venezuelë. Dunga e aktivizoi në vendin e Kakasë, që mungonte. Domethënë, mesfushor i avancuar mbrapa sulmuesit të vetëm. Jo rastësisht trajneri vendosi të besojë tek Hulio Baptista. Dunga mendon se Diego është një numër 10 dhe i përshtatshëm për një skuadër që përdor skemën 4-3-1-2 dhe për këtë arsye nuk do ta grumbullojë për Botërorin e ardhshëm. Ai ka nevojë për fantazistë me karakteristika të ndryshme. Atëherë, për të patur Diegon më të mirë duhet të përdoret një skemë e ndryshme, mbi të gjitha është i nevojshëm një organizator i vërtetë. Jo Felipe Melo, por një regjizor i aftë për t’ia pasuar topin në momentin e duhur dhe për ta mbajtur gjithmonë në qendër të manovrës. Kështu, Ferrara dhe, mbi të gjitha, drejtuesit e Juventusit duhet të mendohen mirë.