Granit Xhaka, futbollist i Baselit të Zvicrës pikërisht kampion i botës me Zvicrën U-17, ka folur ekskluzivisht për web faqen “Grande Juve”. Futbollist i dëshmuar, në kampionatin botëror të mbajtur në Nigeri gjatë këtij viti, bëri kërdinë dhe ishte në qendër të vëmendjes nga mbarë mediat zvicerane e botërore. Një Granit i fuqishëm që çoi peshë tërë opinionin, madje shumë nga shqiptarët e zviceranët kërkuan edhe autografe nga ai. U prit si hero nga Parlamenti zviceran. Të gjitha meritat ia dedikon prindit të tij, Ragipit, por e falënderon edhe vëllain, Taulantin, që së bashku do të luajnë në skuadrën e parë të Baselit. Graniti që tmerroi edhe adhuruesit nigerianë, i cili së bashku me tre shqiptarë të tjerë, Pajtim Kasamin e Frederic Veselin ngrenë në qiell titullin e Botës. Graniti që u bë VIP brenda një kohe të shkurtër dhe që ngriti në këmbë tërë zviceranët me suksesin historik që e arritën në Nigeria.
“Bota sot”: Fillimisht, kur keni nisur hapat e parë dhe kush iu nxiti që të merreni më këtë sport?
Granit Xhaka: Të luaj futboll kam filluar që në moshën pesëvjeçare. Për këtë e falënderoj babin tim që e hetoj talentin tim dhe ishte iniciativa e tija që arrita deri këtu, ku jam - kampione bote me Zvicrën për U-17.
“Bota sot”: Granit, keni menduar ndonjëherë se me kombëtaren e Zvicrës U-17 do të jeni edhe kampion bote madje Ju iu cilësuan futbollistin më të mirë?
Granit Xhaka: Po. Një javë para se te nisem për në Nigeria e kisha ndjenjën se do të bëhem kampion, për faktin se e njohja grupin me të cilin do të ballafaqohemi. Isha 99 për qind i sigurt se do të jemi finalist dhe kjo ndodhi. Absolutisht nuk mund të them që vetëm unë isha futbollisti më i mirë, por çdo njëri prej nesh kemi dhënë maksimumin e duhur. Kjo që bëmë ne në botëror, nuk ishte dhuratë nga askush, por si pas mendimit tim, ishin fitore të merituara të njëpasnjëshme dhe në e fund e ngremë lartë titullin e botës.
“Bota sot”: Kur keni qenë fëmijë, çka keni pasur dëshirë të bëheni: futbollist, aktorë apo diçka tjetër?
Granit Xhaka: Natyrisht si çdo fëmijë i ka ëndrrat e veta. Si fëmijë gjithmonë e kam dashur topin dhe natyrën. Unë jam në shkollë dhe kam drejtimin “asistent i zyrës”, të cilën edhe dy vjet e përfundoj, e pastaj, pasi ta kryej shkollimin nëse kam shëndetin dhe nuk kam lëndime mendoj të vazhdoj sukseset me futboll.
“Bota sot”: Sa keni mundur të adaptoheni me klimën në Nigeria dhe përshtypjet tuaja për botërorin U-17?
Granit Xhaka: Në fillim, për ne ishte pak e vështirë sepse në tetor në Zvicër temperatura ishin diku 10-15 gradë celsius, kurse në Nigeri ajri ishte tepër i zënë me temperatura të larta 30 – 38 gradë. Fatmirësisht shumë shpejtë u adaptuam dhe nuk patëm probleme të mëdha.
“Bota sot”: Në botëror keni luajtur përballë Meksikës U-17, Brazilit, Japonisë, Gjermanisë, Italisë, Kolumbisë e së fundit në finale me Nigerinë. Mund ta veçoni cilat ndeshje iu ka mbetur në zemër?
Granit Xhaka: Mund të veçoj ndeshjen kundër Brazilit dhe Nigerisë. Ku të dy kombëtaret ishin shumë mirë të përgatitura, por ne e kuptuam shumë herët lojën e tyre dhe dolëm fitimtarë.
“Bota sot”: U bëtë kampion bote në zemër të Nigerisë. Mposhtët Nigerinë mikpritëse, si reaguan adhuruesit e kësaj kombëtare?
Granit Xhaka: Në fillim duke pasur parasysh që ishim në një stadium vendas, me një kapacitet 64000 shikues, në shikim të parë, mu duk shumë vështirë, por edhe vet nigerianët kur pan lojën tonë fantastike filluan të na përkrahin neve, dhe filluan të dilnin nga tribunat se nuk ishin të kënaqur me lojën e kombëtares së tyre.
“Bota sot”: Kur u kthyet në Zvicër, si iu pritën?
Granit Xhaka: Ishte kënaqësi e veçantë se përveç përkrahjes së mbarë popullit zviceran, kemi qenë të ftuar thuajse një javë rregullisht nga Parlamenti zviceran, nga përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, si dhe shumë personalitete të njohura te shtetit zviceran.
Bota sot: Përveç familjes që iu ka telefonuar vazhdimisht sa ishit në Nigeria, ka ndodh të keni ndonjë mesazh të papritur në celular nga shokët, shoqet apo thënë më mirë mikesh apo mik që nuk e keni pritur?
Granit Xhaka: Po. Kam të regjistruara mbi 2500 sms dhe mbi 2500 e-maila, që më kanë uruar për titullin e botës: si shqiptarët po ashtu edhe zviceranët. Për mua si një i ri më ka befasuar kur kam marrë një letër nga një grua e moshuar zvicerane, e cila më ka lutur që për gjashtë nipat e mbesat e saj t’ua jap një autografe dhe një fotografi për kujtim. Kjo për mua ka qenë e jashtëzakonshme, e paharrueshme.
Bota sot: “Keni shumë oferta nga klubet me më zë botërore, madje edhe nga ato të Premier Ligës. Pse i keni refuzuar?
Granit Xhaka: Po, është shumë e vërtetë që kam pasur dhe ende kam oferta shumë të mira. Por, mendimi im personal është që një kohë të qëndroj ende në Zvicër në skuadrën ku luaj tashmë, FC Baseli për arsye se jam ende i ri. Ndihem shumë i lumtur në FC Basel dhe nuk më mungon asgjë. E mira të mirës është se qëndroj afër familjes pikërisht prindërve të mi të dashur që më së shumti i dua në botë. Prindërit më përkrahin vazhdimisht së bashku me vëllain tim, Taulantin, i cili është futbollist së bashku në një klub me mua. Është gabim i madh nëse në këtë moshë largohem nga Familja ime dhe nga skuadra e Baselit.
Bota sot: Ka shumë thashetheme se Graniti mund të jetë pjesë e kombëtares së Kosovës, disa thonë se nuk përjashtohet mundësia ta vesh edhe fanellën e kombëtares së Shqipërisë. Mediat zvicerane këmbëngulin se Graniti do të mbetët pjesë e kombëtares së Zvicrës. Ju vet personalisht në cilën kombëtare më me dëshirë do të luani?
Granit Xhaka: Një herë është shumë herët të vendosi për cilën kombëtare do të luaj. Më vonë mundem të përgjigjem.
Bota sot: Cilët nga yjet i adhuroni dhe në cilën skuadër mëtoni ta vazhdoni karrierën të ardhmen?
Granit Xhaka: Për mua shembull është Cristiano Ronaldo, ndërsa nga skuadrat e adhuroj pamasë Bayern Munihun.
Bota sot: Përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitsfiled, ju shikon me kujdes. Iu ka kontaktuar ndonjëherë?
Granit Xhaka: Po kam kontaktuar shumë herë më të dhe jemi takuar personalisht.
Bota sot: Ushqimi i preferuar?
Granit Xhaka: Më pëlqejnë shpagetat, kurse ëmbëlsirat nuk i kam shumë dëshirë.
Bota sot: Çka iu ka dëshpëruar dhe gëzuar më së shumti në vitin 2009?
Granit Xhaka: Viti 2009 ka qenë një ndër vitet më të suksesshme për mua. Deri me tani duke e falënderuar Zotin dështime ende nuk kam pasur.
Jam i lumtur që jam me vëllain në një skuadër
Bota sot: Nga 6 janari do të filloni përgatitjet me skuadrën e parë të Baselit, skuadër e cila mëton titullin dhe kupën e Zvicrës, mbase ka pasur rezultate edhe të mira në garat e Leagua Europa. Çka premtoni Ju si debutues i kësaj skuadre dhe a keni kontakte më dy futbollistët e dëshmuar të kësaj skuadre Xherdan Shaqirin e Beg Feratin?
Granit Xhaka: Po, është e vërtetë, që më 6 janar fillojë parapërgatitjet me skuadrën e parë te FC Baselit. Do të mundohem që nga vetja ime të jap maksimumin që me takon, dhe sigurisht që jam i kënaqur që në këtë skuadër do të luaj së bashku me Shaqirin dhe Feratin. Më së shumti më gëzon që më është dhënë rasti të luaj në një skuadër së bashku me vëllain tim, Taulantin, i cili për mua është krahu i djathtë i imi..