Portieri i Mançester Junajtid, Edvin Van der Sar, është larguar për në Hollandë, për t’i qëndruar pranë bashkëshortes të sëmurë.39-vjeçari ka marrë lejë nga klubi anglez për të qëndruar në vendlindje për një afat të pacaktuar, aq sa të jetë e nevojshme për të qenë pranë të shoqes. Annemarie Van Kesteren, 36 vjeç, pësoi një hemoragji cerebrale më 23 dhjetor, ndërkohë që familja e portierit hollandez po përgatitej për të festuar Krishtlindjet.
Ish-portieri i “Tulipanëve” ka kërkuar të qëndrojë në Hollandë. Vetë trajneri i Mançesterit, Aleks Ferguson, ka thënë: “I thashë Edvinit të rrijë aty, nuk ka kuptim të kthehet. Gjëja më e mirë për të është të qëndrojë pranë të shoqes, duke shpresuar që të bëhet më mirë”.
Nesër “Djajtë e Kuq” do të luajnë përballë Uiganit, megjithëse edhe nëse do të ishte në Angli, Van der Sar nuk do të luante, për shkak se është duke u riaftësuar nga dëmtimi..