Trajneri i Çelsit nuk mendon të ndërhyjë në merkato, pavarësisht nga mungesa njëmujore e sulmuesit afrikan
Karlo Ançeloti beson se kryesuesit e kampionatit anglez, Çelsi, do t’ia dalin mbanë edhe pa Didië Drogbanë, i cili do t’i bashkohet skuadrës së Bregut të Fildishtë në Kupën e Afrikës. Drogba luajti ndeshjen e fundit për Çelsin të hënën, në fitoren 2‑1 kundër Fulhemit, madje shënoi edhe golin e barazimit për Çelsin. Sulmuesi afrikan ka shënuar 19 gola për blutë këtë sezon dhe së bashku me Salomon Kalunë janë nisur drejt Angolës, ku do të luhet Kupa e Afrikës. Ançeloti ka mbetur vetëm me Nikolas Anelkanë si sulmuesi i vetëm me përvojë.
Anelka është aktualisht duke e marrë veten nga një dëmtim jo shumë i rëndë dhe Ançeloti ka shumë besim te sulmuesit e talentuar Daniel Starrixh dhe Fabi Borini. Ançeloti ka përjashtuar çdo aventurë në merkaton e janarit dhe beson se performanca e Çelsit në Ligën e Kampionëve ka treguar se mund t’i fitojnë ndeshjet edhe pa Drogbanë. “Ai ka shënuar 19 gola, por pa të këtë vit kemi ecur shumë mirë, kemi fituar në Ligën e Kampionëve pa të dhe mund të bëjmë të njëjtën gjë në Premier Ligë”, ka thënë trajneri i Çelsit. “Unë mendoj se në disa ndeshje ne mund të ndryshojmë sistemin e lojës, mund të përdorim lojtarët e krahut më shumë, nëse nuk ka hapësirë në mesfushë.
Starrixh mund të luajë në varësi të ndeshjeve”, ka shtuar ai. Fitorja e Çelsit ndaj Fulhemit ishte vetëm e dyta në tetë ndeshjet e muajit dhjetor dhe Ançeloti ishte i lumtur për t’i dhënë fund muajit me një notë pozitive. Ançeloti në lidhje me këtë fitore ka thënë: “Me këtë fitore dhe këtë performancë i kemi dhënë fund një momenti të vështirë. Nuk kemi pasur një muaj të mirë, por tashmë dhjetori po mbaron dhe shohim me shpresë janarin, kur mund të bëjmë lojëra edhe më të mira.” Ançeloti gjithashtu konfirmoi se nuk u takua me ish‑trajnerin e Çelsit, Hoze Mourinjon, i cili e ndoqi ndeshjen e fundit të Çelsit para përballjes së tyre në Ligën e Kampionëve. “E di që erdhi për të parë ndeshjen, por nuk u takova me të. Unë mendoj se Çelsi tregoi gjëra të mira në fushë, por jo aq mirë sa do të doja”, ka përfunduar Ançeloti.