28 dhjetor 2009

Speciale / Gjysmë-verdiktet e Bundesligës

Në përfundim të fazës së parë në kampionatin gjerman mbretëron ekuilibri. Bundesliga rinis më 15 janar me ndeshjen midis Bajernit të Mynihut dhe Hofenheimit.

Bajer Leverkuseni me meritë gjendet në krye, por lufta për titull mbetet e hapur. Le të shohim kush ka bindur dhe kush ka zhgënjyer deri tani.

Tre më të mirat – Bajer Leverkusen, Shalke 04, Mainc

Bajer Leverkuseni është kryesuesja e kampionatit. Kishte mundësi të mirë për të thelluar distancën nga ndjekësit, por barazoi ndaj Hanoverit dhe Hertës pak para pushimeve. Megjithatë, deri tani ka treguar se është skuadra që ka më tepër vazhdimësi dhe në kampionat është e pamposhtur, ashtu si Barcelona në Spanjë.

Shalke 04 u ka marrë barazim Bajer Leverkusenit dhe Bajernit të Mynihut dhe gjithashtu fitoi ndaj Verder Bremenit në javën e 16-të. Kështu, blutë nga “Gelsenkishen” shfaqen si një kandidaturë serioze në luftën për titull. Një garanci më tepër për këtë është edhe emri në krye të pankinës, Feliks Magat. Ai e ka ngritur tre herë trofenë e kampionit të Gjermanisë gjatë pesë sezoneve të fundit. Tashmë dëshiron ta bëjë të njëjtën gjë në një qytet që e pret këtë ditë që prej vitit të largët 1958.

Mainc, skuadra e ngjitur këtë vit në elitën e futbollit gjerman ka pasur disa luhatje gjatë ndeshjeve të fundit, por ishte protagoniste e një fillimsezoni fantastik. Udhëheqësi i skuadrës është Andreas Ivanshiç, që deri tani ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë po kaq asiste. Me 24 pikë të grumbulluara, shpëtimi për skuadrën e trajnerit Tukel duket pothuajse i sigurt.

Tri zhgënjimet – Herta Berlin, Shtutgart, Volfsburg

Herta Berlin, me 13 humbje në 16 takime, 13 gola të shënuar dhe 39 të pësuar, skuadra kryeqytetase me meritë mban vendin e fundit me vetëm gjashtë pikë. Trajneri Favre u shkarkua në fund të shtatorit, megjithatë Funkel nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Të mos harrojmë se sezonin e kaluar berlinezët e mbyllën kampionatin në vendin e katërt. Një dështim, që nuk mund të justifikohet me largimin e Panteliç, Simuniç dhe Voronin gjatë merkatos së verës.

Shtutgarti u kualifikua për në 1/16 e Ligës së Kampionëve “në fije të perit”, gjë që i kushtoi vendin trajnerit Markus Babel, duke i lënë vendin Kristian Gros. Sezonin e kaluar Shtutgarti e mbylli në vendin e tretë, ndërsa këtë vit, gjenden të katërtët nga fundi me 16 pikë.

Volfsburgu u eliminua nga Liga e Kampionëve në një grup ku ishte favorit për t’u renditur në vendin e dytë. Kampionët në fuqi të Bundesligës nuk po tregojnë aspak nivelin e sezonit të kaluar. Ndoshta kjo ka ardhur si pasojë e “ndarjes” së dyshes së sulmit që vjet ishte tmerri i çdo mbrojtjeje kundërshtare. Dzeko e ka shprehur hapur dëshirën për një klub të madh europian, kurse Grafite nuk i ka mirë marrëdhëniet me Armin Veh, trajnerin që zëvendësoi Feliks Magat.

11 më të mirët
Për çdo rol në fushë, do të përzgjedhim lojtarët më të mirë, duke shtuar edhe shtatë rezerva të mundshme (4-2-3-1).

Portier: But (Bajern Mynih);
Mbrojtës: Bek (Hofenheim), Bordon (Shalke 04), Van Bujten (Bajern Mynih), Kastro (Bajer Leverkusen);
Mesfushorë: Jarolim (Hamburg), Frings (Verder Bremen); Muler (Bajern Mynih), Kros (Bajer Leverkusen), Ozil (Verder Bremen);
Sulmues: Kisling (Bajer Leverkusen)
Rezerva: Muler (Mainc), Hipia (Bajer Leverkusen), Fridrih (Bajer Leverkusen), Ze Roberto (Hamburg), Bender (Borusia Dortmund), Oliç (Bajern Mynih), Hant (Verder Bremen)

11 të dështuarit
E njëjta gjë, por tani për ata futbollistë që deri tani kanë zhgënjyer.

Portier: Lehman (Shtutrart);
Mbrojtës: Pejçinoviç (Herta Berlin), Rozenhal (Hamburg), Ulf (Nuremberg), Pfercel (Bokum);
Mesfushorë: Niku (Herta Berlin), Kaio (Eintraht Frankfurt), Manike (Këln), Hleb (Shtutgart);
Sulmues: Freis (Këln), Viçniarek (Herta Berlin)
Rezerva: Baili (Borusia Mynshengladbah), Keloci (Shtutgart), Fuks (Bokum), Çiçero (Herta Berlin), Dabrovski (Bokum), Eigler (Nuremberg), Podolski (Këln)

Brezi i ardhshëm
Ja cilët janë pesë lojtarët më të mirë me datëlindje prej 1989 e këtej:

1 - Kros (Bajer Leverkusen)
2 - Muler (Bajern Mynih)
3 - Bender (Borusia Dortmund)
4 - Marin (Verder Bremen)
5 - Badstuber (Bajern Mynih)

Blerja më efikase: Roben (Bajern Mynih)
Blerja më pak efikase: Pejçinoviç (Herta Berlin)

Gjysma e parë e Bundesligës, si zakonisht është karakterizuar nga ekuilibri. Ajo që bie në sy është se skuadra si Bajer Leverkuseni, Shalke 04, Hamburgu dhe Verder Bremeni, kanë shfrytëzuar më së miri rastin për të fituar njëfarë avantazhi ndaj Bajernit të Mynihut. Bavarezët patën një fillim aq të keq të sezonit, sa u trondit edhe pankina e hollandezit Luis Van Gal. Megjithatë, mjaftoi një muaj tepër pozitiv, që ata të rifuten bindshëm në luftën për titull.