Komisioni i disiplinës ka marrë vendim në favor të futbollistëve Abraham, Fish dhe Pema
Tirana duhet të paguajë 20 milionë lekë borxhe
Javë më parë ishte Përmbarimi që i kërkoi Federatës Shqiptare të Futbollit t’i bllokonte të gjithë të ardhurat e klubit bardheblu për të shlyer borxhet që i kishte ish-presidentit Metush Seferi, që arrinin shifra kolosale, ndërsa dje komisioni i disiplinës e ka zhytur më tej në borxhe Tiranën. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës së dy ish-futbollistëve, Fish dhe Pema, si dhe lojtarit që vazhdon të mbrojë ngjyrat bardheblu, Abraham, u vendos që Tirana t’i shlyejë detyrimet e prapambetura.
7000 euro Tirana duhet t’ia paguajë Fishit, 602 000 lekë Eleandro Pemës dhe 6300 dollarë Abrahamit. Shuma në tolat shkon rreth 22 milionë lekë, një shifër e konsiderueshme për buxhetin e klubeve shqiptare. Fish Abada ka luajtur tre sezone më parë me bardheblutë, vit kur këta të fundit u shallën kampionë të Shqipërisë. Pas largimit nga Shqipëria, Fish ka pretenduar që nuk e ka marrë të plotë rrogën në bazë të kontratës së nënshkruar me Tiranën, që në atë kohë kishte katër donatorë. I njëjti problem është edhe me Eleandro Pemën, që ka luajtur bashkë me Fishin në radhët e bardhebluve.
Këtyre dy lojtarëve u është shtuar Abraham Aleçenu, që sipas fakteve të dërguara në federatë, Tirana nuk ia ka shlyer të gjitha detyrimet. Të tre futbollistët në fjalë kanë pasur të njëjtin menaxher, Gezim Mançen, që, duke i njohur në detaj rrugët ligjore, i është drejtuar komisionit të disiplinës për të përfituar qindarkën e fundit nga kontrata që ka nënshkruar me drejtuesit më të lartë të Tiranës. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit bardheblu do ta respektojnë vendimin e disiplinorit.
FSHF ka reaguar edhe ndaj presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili ka ofenduar rregullisht përfaqësuesit e federatës gjatë detyrës për mbikëqyrjen e ndeshjeve që ka luajtur Bylisi. Disiplina e ka gjobitur Kapllanajn me 50 000 lekë.
Vendimet e tjera të disiplinorit
- Kërkesa e lojtarit Neritan Novi për detyrimet që i ka Bylisi do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës. 1. Lojtari i Memaliajt, Alban Mullaj, për ofendim të arbitrit, pezullohet 2 (dy) si dhe gjobitet me 30.000 lëke.
- Lojtari Gramshit, Mishel Bilibashi, për gjeste fyese ndaj publikut pezullohet 2 (dy) ndeshje si dhe gjobitet 30.000 lekë.
- Lojtari i Luftëtarit, Neritan Novi, për pështyrje e fyerje të arbitrave, pezullohet 5 (pesë) ndeshje si dhe gjobitet 50.000 lekë.
- Lojtari i Vlorës, Klodian Skënderaj, për goditje të arbitrave pezullohet 1 (një) vit nga të gjitha aktivitetet si dhe gjobitet
me 200.000 lekë.
- Maliqi, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin e Butrintit, e humbet atë me rezultatin 2-0.
- Ekipi U‑19 i Shkumbinit, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin U‑19 të Partizanit, e humbet ndeshjen me rezultatin 2-0.
- Lojtarët e ekipit U‑17 të Tiranës, Dorjan Kërçiku dhe Armand Çela, për fyerje të arbitrit, pezullohen 2 (dy) ndeshje si dhe gjobiten me nga 5000 lekë.
- Ekipi U‑19 i Luftëtarit, për braktisje të lojës në ndeshjen me ekipin U‑19 të Bylisit, e humbet atë me rezultatin 2-0, ndërsa trajneri i Luftëtarit, Çaush Begaj, gjobitet 10.000 lekë.
10. Ekipi U‑17 i Bilishtit, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin U‑17 të Memaliajt, e humbet ndeshjen me rezultatin 2-0.
- Ekipi U‑17 i Gramozit, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin U‑17 të Sopotit, e humbet ndeshjen me rezultatin 2-0.
- Ekipet U‑17 e U‑19 të Burrelit, për mosparaqitje në ndeshjet me ekipet U‑17 e U‑19 të Turbinës, i humbasin ndeshjet me rezultatin
2-0.
- Ekipi U‑17 i Skraparit, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin U‑17 të Sopotit, e humbet ndeshjen me rezultatin 2-0.
- Ekipi U‑19 i Skënderbeut, për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin U‑19 të Skraparit, e humbet ndeshjen me rezultatin 2-0.