1. Skënderbeu, tetë lojtarë kërkojnë largimin
Shkëmbi, Guerrib, Tomashiç, Djarmati, Rukavina, Doku, Gjondeda e Frashëri, të gjithë me oferta Gjendje e nderë në kampin korçar, ku pas kapitenit Bledi Shkëmbi, janë disa futbollistë të tjerë që kërkojnë të largohen. Edhe pse vetë presidenti Niko Peleshi, vetëm një ditë më parë, ka deklaruar se askush nuk do të largohet, kërkesat për futbollistët korçarë shtohen nga dita në ditë. Shkëmbi ka qenë i pari që ka deklaruar se ka bërë “divorcin” me Skënderbeun, ndërkohë që oferta të shumta kanë mbërritur edhe për katër kroatët, Tomashiç, Guerrib, Djarmati dhe Rukavina, ku që nga Kastrioti dhe deri te Laçi e Shkumbini, janë skuadrat që kërkojnë shërbimet e tyre.
Nga ana tjetër, ditët e fundit ka mbërritur edhe një ofertë për Frashërin nga skuadra e Gramozit, ndërkohë që Gjondeda është ai që tashmë kërkohet nga Teuta dhe nga një ekip tjetër i superligës. Oferta më e fundit kanë mbërritur në adresë të futbollistit kryeqytetas, Elton Doku. Eshtë ekipi i Shkumbinit dhe i Gramozit, dy skuadra këto që kërkojnë ta rrëmbejnë këtë futbollist, që duhet thënë se në 17 javët e para ka qenë një lojtar vendimtar te Skënderbeu.
Pra, me pak fjalë, të gjithë në kampin korçar duket se kërkojnë të largohen, duke ndjekur edhe shembullin e kapitenit Shkëmbi. Kjo është situata më e fundit në kampin korçar, që po t’i shtosh edhe Krajën e larguar, por që ka qenë i vetmi që nuk ka pasur kontratë me Skënderbeun, atëherë numri i lojtarëve që presin “divorcin” shkon në nëntë. Kjo situatë nuk është aspak e mirë për Skënderbeun, që nëse nuk ndërhyhet sa më parë, atëherë do të jetë e vështirë që më tej skuadra të vazhdojë superligën në pjesën tjetër të kampionatit..
Të vjen çudi se si futbollistët korçarë kërkojnë të largohen, kur dihen që kanë një kontratë njëvjeçare me klubin korçar. Ndoshta me të drejtë presidenti Peleshi ka deklaruar se askush nuk largohet, por të gjithë këto zëra që janë ngritur ditët e fundit duhet të shuhen një herë e mirë dhe ata që mund ta bëjnë një gjë të tillë janë drejtuesit e skuadrës. Pritet që vetëm në ditët e para të 2010‑s të sqarohen të gjitha mosmarrëveshjet e futbollistëve..
2. Ervis Kraja tërheq kartonin nga Korça
Shkodrani Ervis Kraja mund të quhet zyrtarisht lojtari i parë i larguar nga Skënderbeu, pasi gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në Korçë, ku ka tërhequr edhe kartonin nga klubi juglindor. Vetë shkodrani dje është takuar me presidentin Peleshi dhe ka qenë ky i fundit që ka firmosur edhe largimin e futbollistit. Edhe pse kërkesa ka qenë që Kraja të qëndronte, ai ka vendosur që të largohet..
3. Shkumbini, pritem fluks ardhjesh të reja
Peqinasit u kanë dhënë fund dje seancave stërvitore për vitin 2009, për të rifilluar të hënën e ardhshme grumbullimin e ekipit në Ulqin të Malit të Zi. Deri të hënën e ardhshme mund të ketë të reja, pasi klubi është përfshirë në merkaton dimërore. Sipas drejtuesve, duhen disa përforcime nga superiorja, por edhe tregu kosovar, ku më pranë peqinasve është mbrojtësi Driton Krasniqi, që sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Besës. Ndërkaq drejtuesit konfirmojnë largimin e Hetlem Çapjes, që ka vendosur të kontribuojë për skuadrën e qytetit të lindjes, Elbasanin. Mesfushori elbasanas gjen rastin të falënderojë drejtuesit peqinas që nuk bëhen pengesë për largimin e tij. “Janë disa arsye familjare që bëjnë të kthehem në Elbasan.
Në Peqin ia kam kaluar shumë mirë. Këtu jam ndier i vlerësuar dhe i respektuar,” - shprehet Çapja, që prej janarit do të luajë në kategorinë e parë me Elbasanin. Me peqinasit Çapja luajti vetëm pesë muaj, ndërsa më parë ka qenë pjesë edhe e skuadrave kryeqytetase Dinamo dhe Tirana. Për të, Shkumbini gjatë pjesës së parë të kampionatit ka patur ulje dhe ngritje në lojërat e tij, por në vazhdim janë të gjitha mundësitë për realizimin e objektivave, sepse grupi është dhe do të bëhet më i plotë me përforcimet që do të vijnë..
4. Trajneri Martini nis stërvitjen me Vllazninë
Ka filluar nga puna trajneri i ri i Vllaznisë, që ka qenë më shumë një seancë njohëse me futbollistët
Trajneri i ri i Vllaznisë ka zbritur në fushën e stërvitjes vetëm 24 orë pas emërimit në krye të saj. Edi Martini nuk ka pritur datën 4 janar për të filluar punë me skuadrëm. Ndonëse fillimisht ka qenë i këtij mendimi, pas një konsulte edhe me drejtuesit e tjerë të klubit, ka vendosur të fillojë stërvitjen më shpejt. Ka ndodhur kështu dhe dje ka zhvilluar seancën e parë me ekipin. Në orën 14:00, në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” përpara tij kanë qenë thuajse të gjithë futbollistët aktualë të Vllaznisë.
Kanë munguar vetëm tre kosovarët Nallbani, Kasapi e Rustemi, ngaqë nuk është mundur të njoftohen, si dhe malazezi Mrvaljeviç për të njëjtën arsye. Futbollistët kuqeblu në fakt ishin lënë pushim nga trajneri i mëparshëm, Roland Luçi, menjëherë pas ndeshjes me Flamurtarin. Ai u kishte dhënë atyre nga një program individual stërvitor dhe e kishin lënë për t’u takuar më 4 janar. Sigurisht, 12 ditë pa stërvitje kanë qenë shumë dhe, për këtë arsye, trajneri i ri ka menduar që të ndryshojë diçka në këtë mes. Për rrjedhojë, që dje ka vendosur të nisë stërvitjen.
Në seancën e sotme kanë qenë prezentë edhe futbollistët e ardhur nga Tirana, Ardit Beqiri, Hallaçi dhe Alikaj. Po ashtu, edhe lezhjani Smajli, apo dhe malazezi Rajoviç, ashtu siç kanë qenë edhe të gjithë shkodranët që janë pjesë e kësaj skuadre. Ekipi i Vllaznisë do të stërvitet deri më 31 dhjetor dhe më pas do të ketë tri ditë pushim, për të nisur sërish stërvitjen më datë 4 janar, ndërkohë që dy ditë më vonë ekipi do të niset drejt Ulqinit, ku do të zhvillojë fazën përgatitore.
Stërvitja e djeshme ka qenë e lehtë, me disa ushtrime dhe vrapime rreth fushës. Për trajnerin e ri të kuqebluve, e rëndësishme është që lojtarët të mbajnë formën e duhur, në mënyrë që kur të nisë përgatitorja e Ulqinit, ata të jenë në parametrat e duhur. Edhe në këto dy ditë që kanë mbetur deri në fundin e këtij viti, stërvitja do të vazhdojë në këtë mënyrë. Trajneri Martini e ka të qartë në mendjen e tij atë çfarë duhet të bëjë me skuadrën. Siç është bërë e ditur, Vllaznia e nisi këtë sezon me jo pak probleme fizike, ngaqë faza përgatitore nuk u bë e rregullt. Pasojat u panë më vonë. Për të mos ndodhur kështu, trajneri i tretë i kuqebluve në këtë sezon po përgatitet që skuadra të marrë ngarkesat e duhura.
Po ashtu, ka filluar puna edhe për merkaton dhe në ditët në vazhdim sigurisht që do të ketë shumë lojtarë që do të vijnë në provë. Planet janë duke u hartuar, po bisedohet me shumë futbollistë dhe natyrisht që do të përzgjidhen më të mirët. Ajo çfarë ka rëndësi është se Vllaznia që dje ka nisur një epokë të re, epokën “Martini”. Trajneri i ri e ka marrë me shumë dëshirë këtë punë tashmë duhet pak kohë të presim frytet e kësaj pune.
5. Merkatoja shkodrane, nisin kontaktet e para
Prej më tepër se një muaji, Edi Martini ka qenë i ngarkuar së bashku me disa specialistë të tjerë të futbollit shkodran për të vëzhguar disa futbollistë nga Mali i Zi dhe Kosova. Tashmë që Martini e ka marrë detyrën e trajnerit, sigurisht që këto tratativa me këta lojtarë duhen mbyllur sa më shpejt. Në Mal të Zi është ndjekur një portier, një mbrojtës dhe një mesfushor. Ndërkohë, në Kosovë vetë trajneri i ri i Vllaznisë ka ndjekur edhe një sulmues nigerian që luan me skuadrën e Gjilanit. Bëhet fjalë për Ibrahim Musa Ali, një 26-vjeçar që ka luajtur më parë me Vardarin e Shkupit. Por këta janë disa nga mundësitë e merkatos shkodrane, pasi në ditët në vazhdim me skuadrën mund të vijnë për t’u provuar edhe futbollistë të tjerë.
6. Rakiqi i konfirmuar, ende trajner i portierëve
Krahu i djathtë i trajnerit të ri të Vllaznisë do të jetë një emër i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Bëhet fjalë për Esat Rakiqin, i cili ka punuar me Edi Martinin edhe te Laçi sezonin e kaluar. Moszyrtarizimi i tij ka ardhur për faktin se Rakiqi prej disa kohësh ndodhet në Amerikë. Ai do të kthehet në Shkodër në ditët e para të janarit dhe menjëherë do të nisë nga puna së bashku me Martinin. I vetmi problem që ende nuk është zgjidhur sa i takon stafit drejtues, është ai i trajnerit të portierëve, që nuk është konfirmuar ende.
7. Apolonia, jo vetëm Haxhibuliçi ikën
Numri i të huajve do të reduktohet, ndërkohë që nuk janë mësuar emrat e atyre që priten të vijnë
“Bum”‑i më i madh që po vlon këto ditë në mjedisin sportive fierak është pikërisht largimi i kapitenit të bardhejeshilëve, Sead Haxhibuliç, drejt verdhezinjve kavajas. Sido që të jetë pazari i bërë me këtë rast me drejtuesit e Besës për lojtarët që do të përfitohen nga shkëmbimi, largimi i një futbollisti me kaq peshë në skuadrën fierake, jo vetëm në vijën e parë të sulmit, nuk do të jetë e lehtë për Apoloninë.
Gjithsesi, ky është studim dhe vendim i marrë nga drejtuesit e skuadrës fierake, të cilët e kanë më të qartë mënyrën se si do të luajnë, duke e llogaritur si konkluzion të analizës së ecurisë së ekipit të tyre. Megjithatë, duke parë që Apolonia është ekipi i dytë që ka shënuar më shumë në këtë kampionat, duket se ndërhyrjet për largime në vijën e parë do të ishin të tepërta. Ndoshta Apolonisë do t’i duhej më tepër një futbollist i shpejtë në sulm, për të qenë një alternativë e duhur për dyshen Brkiç‑Sead Haxhibuliç.
Deri tani, nga ana e drejtuesve të Apolonisë po ndiqet me kujdes ritmi i merkatos dhe po vëzhgohet ashtu siç duhet gjithçka, duke qenë të qetë në përmbushjen e synimeve të veta në këtë merkato. Bardhejeshilët do të jenë të pranishëm në merkato për të siguruar minimalisht shërbimin e 3‑4 futbollistëve cilësorë, ku përfshihen dy mbrojtës, një playmaker dhe një mesfushor krahu, por pa harruar këtu që, në bazë të zhvillimeve, mund të ndërhyhet edhe për një portier.
Gjitashtu, duke vazhduar me rrjedhën e merkatos, duket se numri i të huajve të Apolonisë do të vijë në rënie, pasi, nga burime të brendshme, me shumë gjasa, mbrojtësi Edin Ferizoviç dhe mesfushori Semir Haxhibuliç, nuk do të jenë më pjesë e fierakëve për periudhën në vazhdim të kampionatit. Gjithashtu, të minimizuara janë këto mundësi edhe për mesfushorin shkodran të Apolonisë, Erion Hoti, i cili ndodhet përballë një sërë ofertash të ardhura nga skuadra të superligës, si Kastrioti, Vllaznia dhe më e fundit e ardhur nga debutuesit e Gramozit.
Ndërsa mesfushori Capa, nga ana e vet, ka deklaruar se nuk ka sgjë konkrete në lidhje me zërat që qarkullojnë për një rikthim të mundshëm të tij te skuadra mëmë, Partizani. Mesfushori 22‑vjeçar i Apolonisë ka deklaruar se, gjithsesi, ata që do të marrin vendim janë drejtuesit e klubit fierak. “Nuk më ka ardhur asgjë konkrete deri tani nga ana e Partizanit. Unë nuk di të them gjë me siguri, por çdo gjë duhet të kalojë përmes interesimit te drejtuesit më të lartë të klubit tonë, Apolonia, pasi kam kontratë me ta,” ‑ ka thënë mes të tjerash mesfushori Capa.
8. Albert Kaçi: Në Fier ia vlen të luash
Ai është i ardhuri më i fundit te fierakët këtë sezon. Mesfushori shkodran me tipare sulmuese, Albert Kaçi, pasi është larguar nga durrsakët si i padëshiruar pas vetëm dy javësh kampionat, është bërë pjesë e bardhejeshilëve të Apolonisë. Në ndeshjet e para të luajtura për skuadrën nga Fieri, Kaçi nuk është shfaqur i plotë, por, pak nga pak, ai arriti të bëhej një nga lojtarët vendimtarë të fierakëve, duke u shndërruar në i domosdoshëm në formacionin bazë. Shkodrani ka shënuar dy gola për skuadrën e tij, por më së shumti ka qenë një lojtar që ka dhënë një kontribut të veçantë në grintën e lojës së Apolonisë.
“Deri tani kemi zhvilluar një kampionat që duhet vlerësuar si pozitiv nga ana jonë. Ndodhemi në vendin e katërt, një arritje e konsiderueshme dhe e merituar për ne. Sigurisht që mund të ishim edhe më mirë, por edhe kjo paraqitje është mbresëlënëse. Grupi ynë, duke u përforcuar dhe me lojtarë të tjerë, do të punojë fort që të arrijmë ku duhet në fund të këtij kampionati. Eshtë një sfidë që më pëlqen dhe që ia vlen,” ‑ është shprehur mes të tjerash mesfushori shkodran i Apolonisë, Albert Kaçi.
9. Duro pohon vetëm tri blerje për Besën
Pavarësisht emrave dhe fjalëve të shumta, tek ekipi kavajas deri tani janë të sigurt 3 futbollistë
Eshtë krijuar një situatë konfuze te Besa, lojtarë që lakohen për të ikur, presidenti i përgënjeshtron, ndërsa nga krahu tjetër lojtarë që konfirmohen, por që në fund të fundit nuk kanë hedhur firmën për skuadrën kavajase, të paktën për pjesën e mbetur të këtij kampionati. Pavarësisht kësaj amullie, në të cilën është përfshirë edhe media, trajneri i Besës, Shpëtim Duro, pohon vetëm tri blerje tek ekipi që drejton.
I pari dhe më i hershmi është Bledi Shkëmbi, i cili u konfirmua që në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Gramozin nga trajneri Duro. Dhe në fakt duket punë e mbaruar. Edhe Shkmëbi deklaron nga Korça që do të luajë me verdhezinjtë duke filluar nga janari. Ai dje ka pasur për të marrë kartonin nga klubi korçar dhe më pas do t’u bashkohet kavajasve në fazën përgatitore.
Ndonëse drejtuesit korçarë kërkojnë ta ndalin atë, madje duke bërë edhe presione, ata e kanë tepër të vështirë, kjo edhe nga problemet financiare që po kalon Skënderbeu kohët e fundit. Të dytin që pohon trajneri Duro është kapiteni i Apolonisë, Sead Haxhibuliç, një ndër lojtarët më të lakuar jo vetëm në këtë merkato, por edhe në merkaton verore. Paraqitja e mirë që ka bërë serbo-boshnjaku në të dy sezonet me Apoloninë e ka detyruar presidentin Bizhdili të bëjë një sforco jo të vogël, duke e bindur homologun Kokëdhima.
Me këtë blerje, ndoshta më e madhja në këtë merkato dimri, pasi akoma nuk ka mbaruar, sulmuesi Xhafaj gjen një partner ideal në repartin ofensiv. Të dy shtatlartë, të shkathët, aq më tepër goleadorë të spikatur në kampionat. Në pjesën e mbetur të sezonit pritet që kjo dyshe të shënojë numrin më të madh të golave.
I treti që pritet të vijë këto ditë te Besa është mesfushori i majtë, shqiptaro-maqedonasi Osmani, pjesëtar i ekipit Shpresa të Maqedonisë, një lojtar i ndjekur më vëmendje. Siç shihet, mesfusha dhe sulmi marrin “gjak të ri”, ndërsa porta dhe mbrojtja nuk preken fare, kjo në fakt edhe siguria që kanë dhënë këto reparte, pasi dihet që Besa ka çaluar në fazën ofensive dhe jo prapa.
Por nëse presidenti Bizhdili këmbëngul që Mancaku nuk është larguar, homologu i tij, Hasanbelliu, thotë të kundërtën. Ai e bën fakt të kryer kthimin e sulmuesit durrsak te Teuta. Gjithsesi, këto ditë do të vendosen pikat mbi “i” qoftë për të ardhurit, qoftë për ata që do të largohen nga Besa. Ende nuk është konfirmuar se ku do të zhvillohet faza përgatitore, por nuk është çudi që ajo të bëhet brenda në Shqipëri, ndryshe nga vitet e tjera.