27 dhjetor 2009

Moxhi: Problemi i Juves nuk është Ferrara

Ish-drejtuesi i klubit torinez ka folur për momentin negativ, që po kalon “Zonja e Vjetër”

Kriza e Juventusit, e shpjeguar nga një njeri, që e njeh shumë mirë ambientin. Duket si titulli i një dokumentari, por në fakt është vetëm analiza e Krishtlindjeve e Luçiano Moxhit, ish-drejtor i përgjithshëm i Juventusit, që tani është thjesht një vëzhgues i kujdesshëm. Bardhezinjtë kanë ndryshuar drejtuesit e tyre, por këtë vit gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Megjithatë, Moxhi nuk ka fajësuar Ferrarën për këtë situatë: “Sigurisht, faji nuk është totalisht i Çiros, - ka thënë ai, - që ka në dispozicion lojtarë (si Melo) që nuk janë në lartësinë e Juventusit. Por, duhet nënvizuar fakti se skuadra nuk është rinovuar plotësisht. Ka disa lojtarë që janë pak të mëdhenj në moshë për t’u marrë me sport”. Përsa i përket merkatos: Juventusi nuk ka asnjë mundësi të marrë Pandevin (”Do të shkojë tek Interi”), ndërsa, për Ledezmën gjërat ndryshojnë: “Eshtë një lojtar i mirë, i denjë për Ligën e Europës”. Kritikat e Moxhit, në mënyrë të pashmangshme, kanë patur lidhje me drejtuesit e rinj të klubit torinez. “Juventusi duhej ta niste këtë kampionat me objektivin për të ruajtur vendin e dytë, sepse i pari është marrë tashmë nga më të fortët. Eshtë vetëm një pikë larg nga ai vend, kështu që nuk besoj se është një katastrofë”. Në lidhje me rishfaqjen e Andrea Anjelit në ambientet e klubit bardhezi: “Pronësia aktuale e klubit ka tentuar të shkatërrojë njerëzit që kanë punuar para se ata të merrnin drejtimin e skuadrës. E përjashtoj mundësinë, që Andrea të jetë i interesuar për të marrë një rol drejtuesi tek Juventusi. Vizita e tij në qendrën stërvitore të Vinovos ka qenë thjesht një gjest mirësjelljeje, një shkëmbim urimesh. Ai nuk shkon në stadium prej shumë kohësh”, ka thënë Moxhi. Më pas ka ardhur edhe përshëndetja për tifozët juventinë, që edhe kohët e fundit kanë lënë të kuptohet se janë akoma të lidhur me drejtuesit e vjetër: “Kjo ka lidhje me rezultatet që kemi arritur të marrim. Eshtë mirënjohje ndaj punës që kemi bërë”, ka përfunduar ish-drejtuesi bardhezi.