28 dhjetor 2009
Pa Champions, Torres dhe Xherard mund të largohen
Fernando Torres mund të mos jetë më pjesë e Liverpulit në fund të këtij sezoni. Edhe pse sulmuesi spanjoll dëshiron të vazhdojë karrierën në "Anfilld Roud", ai mund të jetë i detyruar që të largohet. Nëse "Reds" nuk arrijnë ta mbyllin kampionatin në vendin e katërt, i cili do t‘i siguronte një vend në Champions League dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të pronarëve të klubit, "En Ninjo" mund të kërkojë një tjetër skuadër. Torres është një element shumë i rëndësishëm i trajnerit Rafa Benitez, i cili ka refuzuar një ofertë prej afro 78 milionë eurosh (70 milionë sterlina) nga Mançester Siti. Edhe Çelsi ka shfaqur interes për sulmuesin 25-vjeçar. Sipas "News of the World", në situatën aktuale, Siti dhe blutë e Ançelotit po përgatisin oferta më të larta për Torres. Nëse Liverpuli nuk do të luajë në Champions, kjo mund të shkaktojë edhe lamtumirën e kapitenit Stiven Xherard. Mesfushori dëshiron ta mbyllë karrierën në klubin ku është rritur, por ai pretendon siguri nga drejtuesit, se do të përforcojnë skuadrën.