Suksesi i vitit: Xhudistja Majlinda Kelmendi u shpall kampione e botës, e Europës dhe e Ballkanit në konkurrencë të juniorëve.
Dështimet e vitit: Asnjë federatë kosovare nuk ia ka dalur të anëtarësohej në federatat ndërkombëtare gjatë një vitit të tërë.
Ikjet e vitit: Dy boksierët kosovarë, Mahmut Gorda dhe Agron Nushi, ikën në drejtim të vendeve perëndimore një natë para se përfaqësuesja e kosovës të zhvillonte një turne në Ostrava të Çekisë.
Ardhjet e vitit: Trajneri i famshëm Christoph Daum dhe ish-futbollisti i famshëm francez Lilian Thuram vizituan Kosovën.
Humbjet e vitit: Klubi i hendbollit Kastrioti në konkurrencë të meshkujve pësoi fiasko në dy përballjet ndërkombëtare me ekipin gjerman VfL Gummersbach. Bilanci pas dy ndeshjeve ishte 86:34.
Ngritja e vitit: Albert Bunjaku nisi vitin 2009 në BundesLiga 3 te Erfurti, ndërsa e mbaroi vitin në Bundesliga 1 te Nurnbergu, si një ndër shënuesit më të mirë të ligës gjermane.
Anulimi i Vitit: Miqësorja mes Trepçës ’89 dhe Dinamos nga Zagrebi u anulua një ditë pasi skuadrat konfirmuan ballafaqimin. Ekipi kosovar dyshon se ky dështim erdhi pasi klubi rival, Trepça, e minoi marveshjen. Kjo e fundit e mohoi këtë.
Aventuristi i vitit: Arbnor Morina nisi vitin si drejtor i klubit Prishtina. Më pas u bë kryetar i Komisionit të Garave në FFK, për të vazhduar si trajner i Kosovës dhe për ta mbyllur vitin si drejtor sportiv i Hysit.
Deklarata e vitit: Futbollisti Taulant Dajaku me të kaluar në Prishtinë nga Drenica dha një deklaratë që se la kënd pa ia nxjerrur gazin: “ Me të bo ofertë Prishtina në futboll është njësoj si me të bo Teuta Krasniqi në dashuri. As njëra e as tjetra nuk refuzohen.
Shantazhet e vitit: Klubi i basketbollit Bambi, si edhe në vitet tjera, ka vazhduar të shantazhoj institucionet me kërcënime se do të largohet nga garat nëse nuk përkrahet financiarisht. Megjithatë, Bambi vazhdoi të luante.
Falsifikimi i vitit: Klubi i basketbollit Bambi në një ndeshje kampionale kundër Sigal Prishtinës shkeli me të dy këmbë rregulloret e Federatës, pasi aktivizoi pesë lojtarë që një natë më parë kishin luajtur për Sllogën e Kralevës. Federata heshti.
Përplasja e vitit: Asnjë nga dy duelet e vjeshtës në futboll midis Trepçës nga Mitrovica dhe Kosovës së Vushtrisë nuk gjeti fundin. Të dy takimet u ndërprenë pas turbulencave të krijuara në fushë.
Shqelmi i vitit: Futbollisti i Kosovës së Vushtrisë, Faruk Zeneli, shqelmoi arbitrin Zenel Qorraj në ndeshjen Trepça – Kosova. Pas kësaj ndeshja u ndërpre.
Udhëtimi i vitit: Peshëngritësi Hazir Brahimi bëri rreth 20 mijë kilometra rrugë: nga Kosova në Kore të Jugut dhe anasjelltas për asgjë hiç. Ai shkoi për të marrë pjesë por nuk mori. Më pas tha se në Kore kishte shkuar i lënduar dhe se atje i janë shtuar dhimbjet.
Rrahja e vitit: Feriz Parrllaku u rrah brutalisht pas një ndeshjeje kampionale në Gjilan. Ai ishte vëzhgues në këtë ndeshje.
Synimi i vitit: Drejtuesit e Trepçës në futboll pasi mbetën pa trajner dolën me deklarata se janë në negociata me lojtarin e famshëm kroat, tani trajner, Robert Jarni. Por të nesërmen emëruan Hysni Maxhunin trajner.
Transferi i vitit: Lorik Cana është transferuar nga Marseille në Sunderland dhe aty menjëherë i është besuar shiriti i kapitenit.
Rrena e vitit: Federata e Boksit e Kosovës gjatë gjithë vitit trumbetoi se do të marrë pjesë në Euroligë, por në fund mori pjesë në një ligë private të quajtur “ Boxing One.”. Zhvilloi dy meçe , i humbi të dyja, por në të dyja rastet gënjeu opinionin, duke plasuar rezultate që skishin të bënin me realitetin.
Paradoksi i vitit: Një komision i FFK-së ia anuloi kartonin e kuq një futbollisti me arsyetimin se kishte gabuar arbitri dhe në të njëjtën kohë arbitrit ia ngriti notën po për këtë ndeshje.