Gëzime, zhgënjime, emërime, shkarkime, rrahje, pakënaqësi, thyerje rekordesh, e ngjarje të tjera të mira dhe të këqija - kanë shënuar vitin 2009 në sportin kosovar. Të renditura prej A deri në ZH, këto janë shenjat e një viti të pasur dhe të çuditshëm.
A është për...
Albert Bunjakun dhe Agim Kasapollin. I pari u emërua selektor i përfaqësueses së Kosovës në futboll, derisa i dyti përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Bunjaku zëvendësoi Edmond Rugovën, kurse Kasapolli Arben Krasniqin.
B është për...
Besnik Kollarin, ish futbollistin e njohur kosovar, i cili dha dorëheqje nga posti i trajnerit te skuadra e Prishtinës, pas rezultateve jo të mira në Superligën e Kosovës.
C është për...
Christof Daum, i cili gjatë verës e vizitoi Kosovën, ku mbajti ligjërata teorike për trajnerët kosovarë. Ligjërata e tij u përcoll nga një numër jashtëzakonisht i madh i trajnerëve të këtushëm, të cilët më pas thanë se mësuan shumë nga trajneri gjerman.
Ç është për
Çrregullimet shëndetësore të cilat janë evidentuar te një numër i madh i futbollistëve kosovarë gjatë kontrollimeve të obligueshme të tyre në Qendrën e Mjekësisë Sportive në Prishtinë.
D është për...
Dinamon, skuadrën nga Tirana, e cila për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës zbriti në kryeqytetin tonë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me FC Prishtinën. Dinamo është klubi i parë nga Shqipëria që pas përfundimit të luftës vjen në Kosovë për të zhvilluar një ndeshje.
DH është për...
Dhuratat e kapitenit të Sunderland, Lorik Cana, i cili ditë më parë 100 mijë euro të fituara në poker i dha për bamirësi në Kosovë. Por, kjo nuk ishte ndihma e vetme e 26 vjeçarit këtë vit, pasi që ai ndihmoi 500 familje gjakovare me ushqim.
E është për...
Edmond Rugovën, i cili dha dorëheqje nga posti i selektorit të përfaqësueses së Kosovës. Edhe pse punën e filloi me entuziazëm shumë të madh, ai e përfundoi para kohe. Megjithatë, nuk mbeti pa punë, pasi u emërua drejtor i FC Prishtinës.
Ë është për...
Ëndrrat e futbollistëve dhe basketbollistëve kosovarë për pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare mbetën vetëm ëndrra.
F është për...
Feriz Parllakun, kontrollorin e ndeshjeve në Superligë, i cili pas ndeshjes Drita – Kosova (V), zhvilluar më 3 maj 2009, ishte rrahur brutalisht në dalje të qytetit të Gjilanit nga disa tifozë të klubit bardh e kaltër.
G është për...
Grumbullimin e përfaqësueses së Kosovës në futboll nënë drejtimin e selektorit të ri Albert Bunjaku. Ekipi kosovar u mblodh dy herë gjatë muajit tetor dhe nëntor, ku pjesë e tij ishin futbollistë nga Superliga e Kosovës.
Gj është për...
Gjakovën, skuadra nga Liga e Parë e Kosovës, shikuesit e së cilës kanë rrahur futbollistët e Trepçës ;89. Ky takim është ndërprerë, derisa Komisioni i FFK-së e ka regjistruar me rezultat zyrtar 0:3 për “xehetarët”.
H është për...
Hysin, klubin e futbollit, i cili më 10 qershor 2009 fitoi Kupën e Kosovës, pasi në finale mposhti Prishtinën me rezultat 2:1. Ky ishte trofeu i parë në histori të klubit llapjan, i cili është themeluar pas luftës. Bardh e zinjtë edhe këtë sezon po vazhdojnë të shkëlqejnë në elitën e futbollit kosovar.
I është për...
Ismet Munishin, i cili pasi ishte pensionuar nga futbolli aktiv vendosi që sërish t’i kthehet fushës së gjelbër. Në pjesën e dytë të kampionatit, ai do t’i mbrojë ngjyrat e Vëllaznimit.
J është për...
Jeton Nixhën, ish trajnerin e Bashkimit, i cili menjëherë pas xhiros së parë dha dorëheqje nga detyra. Megjithatë, viti 2009 për të do të mbetet gjatë në mendje, pasi me skuadrën prizrenase u shpall nënkampion i Kosovës në Superligën e basketbollit.
K është për...
Kosovën e Vushtrrisë, e cila dy takime kundër Trepçës i humbi me rezultat zyrtar 0:3. Ndeshja e parë dhe ajo e dytë ishin ndërprerë para kohe, derisa Federata e Futbollit këto takime i regjistroi në favor të mitrovicasve. Këto ishin ndeshjet e vetme që janë ndërprerë në Superligë këtë vit.
L është për...
Lilian Thuramin, legjendën e futbollit francez, i cili më 20 tetor vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, ish anëtari i Juventusit dhe i Barcelonës diskutoi për luftën kundër diskriminimit dhe racizmit.
Ll është për...
Lloqin, i cili ishte i pranishëm me bollëk edhe këtë vit nëpër stadiumet e futbollit kosovar.
M është për...
Marius Vizer, kryetarin e Federatës Botërore të Xhudos. Ai në fillim të dhjetorit vizitoi Federatën e Xhudos së Kosovës, të cilës i premtoi përkrahje. Vizer gjithashtu ndau një fond për xhudisten e talentuar Majlinda Kelmendi, që do t’i shërbejë për ta arritur normën për pjesëmarrje në Olimpiadë.
N është për...
Nuriman Ismailin, futbollistin me prejardhje nga Maqedonia. Ai nga Bolivia, respektivisht skuadra e La Pazit, në dhjetor u transferua te Trepça. Anëtari i U21 të Maqedonisë me mitrovicasit ka nënshkruar kontratë për një sezon e gjysmë.
Nj është për...
Njohjen e kartonëve të futbollistëve kosovarë që shkojnë për të luajtur jashtë. Kjo ishte kërkesa kryesore e krerëve të FFK-së në takimin e tyre me homologët e tyre nga FIFA. Kjo kërkesë e palës kosovare pritet të miratohet shumë shpejt.
O është për...
Ora për sportin kosovar ende nuk ka ardhur. Sportistët mbeten të izoluar.
P është për...
Prishtinën, skuadrën e futbollit që arriti të shpallet kampion i Kosovës në futboll dhe të fitojë Superkupën e Kosovës. Viti 2009 për drejtuesit e Prishtinës do të mbahet gjatë në mendje, edhe për startin e dobët që pati klubi në sezonin 2009/2010.
Q është për...
Qebapat, që mbeten ushqimi më i preferuar për sportistët e Kosovës.
R është për...
Rikthimin e mbrojtësit Arben Zhjeqi në futboll pas më shumë se dy vjetësh. Futbollisti prishtinas gjatë vjeshtës luajti për Trepçën, ndërsa ekipi i tij i radhës nuk dihet ende.
Rr është për...
Rrogat e futbollistëve. Përpos që janë të vogla, ato u vonohen sportistëve deri në 4 muaj.
S është për...
Stadiumet e futbollit në Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë në gjendje të mjera. Fushat e shumicës së stadiumeve nuk janë të përshtatshme për lojë, kurse në mot të ligë aty lloçi arrin deri në gju.
Sh është për...
Shpat Qerimin, i cili në verë të viti 2009 la skuadrën finlandeze Honka për t’iu bashkuar Vëllaznimit. Mirëpo, ende pa përfunduar sezonin vjeshtor iku nga ekipi gjakovar. I zhgënjyer me futbollin kosovar, ai u rikthye në Finlandë.
T është për...
Trepçën ’89, e cila dështoi ta zhvillojë ndeshjen miqësore me gjigantin kroat Dinamo Zagreb për ditën e pavarësisë së Kosovës. Edhe pse ky takim ishte paralajmëruar se do të luhej, kroatët në momentet e fundit e anuluan ardhjen.
Th është për...
Therandën sërish. Ky qytet ka mbetur pa klub të futbollit, ngase Ballkani në fund të vitit mori një vendim të çuditshëm, duke u tërhequr nga garat e Ligës së Parë të futbollit, pas një vendimi të FFK-së.
U është për...
Urën e Shenjtë. Për dallim nga vitet e kaluara, kur mbaheshin rregullisht garat, vitin që e lamë pas ato nuk u mbajtën për shkak të problemeve të ndryshme, sidomos financiare.
V është për...
Visar Berishën, i cili nga FC Prishtina u transferua te skuadra e FC Schaffhausen, që garon në ligën e dytë zvicerane (Challange League).
X është për...
Xehetarët, përkatësisht Trepçën e moçme, e cila derisa tri vjet më parë garonte në Ligën e Dytë të Kosovës. Ajo bëri përparim të hatashëm, pasi këtë sezon arriti të bëhej kampion i vjeshtës në Superligë.
Xh është për...
Xhavit Bajramin, kick-boksierin kosovar me nënshtetësi zvicerane. Ai më 22 nëntor në Prishtinë arriti ta mposhtë francezin Freddy Kemayo dhe ta mbrojë titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë të kick-box, në versionin ISKA (International Sport Kick-boxing Association).
Y është për...
Yll Hoxhën, i cili edhe pse kishte oferta nga klube evropiane, vendosi të nënshkruajë me skuadrën e Hysit. Ai gjatë viti 2009 ishte pjesë e skuadrës finlandeze TPS Turko, po nuk pranoi të vazhdojë kontratën duke preferuar të rikthehet në vendlindje.
Z është për...
Sulmuesin Zeqir Hasi, i cili iu kthye futbollit pas një kohe të gjatë. Ai sezonin vjeshtor e luajti me Kosovën e Vushtrrisë..
Zh është për..
Zhonglerin kosovar, i cili me goditjet e njëpasnjëshme të topit me kokë, e përshkoi tri herë tri xhiro ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.