Kievo blindon Bogdanin: S’është në shitje
Drejtori sportive i Kievos, Xhovani Sartori, hedh poshtë zërat për një kalim të mundshëm të Bogdanit te Katania
Ditët e fundit, sulmuesi shqiptar i Kievos, Erjon Bogdani, është vënë në qendër të zërave të merkatos, për një kalim të mundshëm te Katania ose te Bari. Në fakt, trajneri i Katanias, serbi Sinisha Mihajloviç, ka shprehur simpati për Erjon Bogdanin, por kjo nuk do të thotë që sulmuesi i kombëtares shqiptare do të transferohet në Sicili. Duke parë që emri i Bogdanit është lakuar më shumë se ç’duhet në media, ka ndërhyrë drejtori sportiv i Kievos, Xhovani Sartori. “Erjon Bogdani është një sulmues shumë i mirë, që ne e vlerësojmë shumë. Kam lexuar në shtyp për një largim të mundshëm të shqiptarit nga Kievo. Po ju konfirmoj që është një hipotezë e rreme. Bogdani do të qëndrojë me ne, pra nuk do të shkojë as te Katania, as te ndonjë skuadër tjetër e Serisë A,” - është shprehur Sartori.
Ndërkaq, merkatoja mbetet e hapur për futbollistë të tjerë kuqezinj, që nuk kanë gjetur hapësira në formacion te skuadrat e tyre gjatë pjesës së parë të sezonit. Të rinjtë Jahmir Hyka dhe Emiliano Vila mund të shiten ose të transferohen në formën e huazimit, po kështu edhe Edmond Kapllani i Augsburgut, ndërsa Klodian Duro mund të lëvizë brenda kampionatit qipriot, pasi kërkohet nga Etnikos Aknas.
Franc Veliu, në dyshim për “zborin” janarit
20 futbollistët e kampionatit tonë, të përfshirë në listën e trajnerit Kuzhe, do të nisen më 3 janar drejt Turqisë, ku do të zhvillojnë “zborin” e radhës. Sipas burimeve zyrtare pranë FSHF-së, mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veli, i grumbulluar edhe herë të tjera nga kroati Kuzhe, mund të mos udhëtojë me skuadrën, për shkak të një dëmtimi që ka pësuar javët e fundit të kampionatit. Kuzhe mësohet se nuk ka ndër mend të thërrasë një tjetër futbollist të superiores në rast se Veliu e ka të pamundur t’i bashkohet grupit.
Kuzhe do ndeshje miqësore gjatë “zborit”
Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë shumë pranë arritjes së kompromisit me homologen e Kuvajtit për zhvillimit e një takimi miqësor në fund të dhjetorit, për në çastet e fundit gjithçka u sfumua. “Mund të kishim luajtur një ndeshje miqësore me Kuvajtin tani në dhjetor, madje kemi shumë qenë shumë pranë marrëveshjes, por për arsye objektive kjo miqësore u anulua. Tashmë duhet të presim miqësoren e 3 marsit me Luksemburgun,” - është shprehur sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani. Gjatë qëndrimit në Turqi do të luhen disa ndeshje miqësore me skuadra të ndryshme që do të zhvillojnë në këtë vend fazën e janarit. Ka disa opsione, sepse ka shumë skuadra në këtë përiudhë që përgatiten në Turqi, por Kuzhe ka kërkuar kundërshtarë të një niveli të mirë.
Trajneri Martini: Më pret një punë e madhe
Trajneri i ri i Vllaznisë është i bindur në sfidat që e presin, prandaj ka filluar nga puna
Gjithnjë është shprehur se dëshira e tij e madhe është që një ditë të marrë përsipër drejtimin e Vllaznisë. Ajo është skuadra e qytetit të lindjes, skuadra që e bëri futbollist me emër dhe për rrjedhojë, asaj nuk mund t’i thuash asnjëherë “jo”. Ambiciet e tij si trajner e kanë bërë Edi Martinin që ta pranojë ftesën e presidentit Fushaj, ndonëse dëshira e tij më e madhe sigurisht që do të kishte qenë mosnisja e punës në këto momente. Kjo për shumë arsye, megjithatë nuk ka refuzuar ta pranojë ofertën e presidentit. Ndoshta edhe për të vërtetuar atë se nuk u trembet sfidave, sepse edhe karriera e tij ka qenë një sfidë më vete. Para mediave dje ai ka folur shkurt. Normale, sepse të gjithë tashmë presin punë prej tij dhe jo fjalë. “Për çdo trajner është kënaqësi të drejtojë Vllazninë dhe kuptohet edhe për mua është kështu. Ndoshta diçka më tepër, ngaqë kjo skuadër më dha emër, megjithatë unë falënderoj presidentin Fushaj për besimin që më dha, po ashtu edhe pjesëtarët e tjerë të klubit që dhanë mbështetjen për mua. E kam të qartë se gjërat nuk janë aty ku duhet, por mund t’ia dalim. Kam besim për këtë dhe kur ke besim, edhe rezultatet do të vijnë,” ka thënë në prezantimin e tij të parë si trajner i Vllaznisë, Edi Martini. E ka pritur mirë këtë emërim, por që nga mbrëmja e së dielës nuk është duke menduar më se si do të pritet në Shkodër kjo gjë. Ai tashmë ka nisur menjëherë nga puna. Ka filluar të mendojë për merkaton, fazën përgatitore dhe shumë gjëra të tjera. Kohë në dispozicion nuk ka shumë dhe ai e di këtë gjë. Prandaj kur e pyesim se nga do t’ia nisë, Martini përgjigjet: “Do të fillojmë punë më 4 janar me fazën përgatitore. Gjatë këtyre ditëve ndërkohë do të shohim mundësinë e afrimit të ndonjë lojtari cilësor. Kuptohet që është e vështirë, sepse nuk ka lojtarë të lirë të mirë në këto momente, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Besoj se do të bëjmë diçka, por më mirë t’ia lëmë kohës.” Sa i takon stafit që do të punojë me të, dje nuk janë deklaruar ndihmësit e Martinit, por nga sa bëhet e ditur, krahu i djathtë i tij do të jetë sërish i mirënjohuri Esat Rakiqi. Me të ka punuar së bashku edhe te Laçi dhe trajneri i ri i Vllaznisë duket se i beson shumë përvojës së Rakiqit në pankinë. Enigmë mbetet emri i trajnerit të portierëve, megjithatë shumë shpejt edhe kjo do të merret vesh. E rëndësishme është që Vllaznia tashmë pretendon të kthehet në origjinë, në futbollin e saj tradicional. Atë që nuk e bëri dot Luçi, do të tentojë ta arrijë Martini me ndihmën e Rakiqit, Rragamit dhe të tjerëve që do të jenë në krah të tij
Shkumbini, më 4 janar në Ulqin për stërvitje
Të hënën e ardhshme më 4 janar ekipi i Shkumbinit ka planifikuar të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku do të zhvillojë fazën përgatitore dimërore. Ky është lajmi i fundit që vjen nga kampi bardhekaltër, lajm që është konfirmuar edhe nga trajneri Përparim Daiu në përfundim të seancës së djeshme stërvitore. Nga ana e presidencës së Shkumbinit janë marrë të gjitha masat e nevojshme që ekipi të zhvillojë një minifazë përgatitore sa më të vlefshme për të qenë gati për pjesën e dytë të kampionatit, kur do të presë në fillim Vllazninë e më pas Flamurtarin për të vijuar në mesjavën e parë të shkurtit me Dinamon për Kupën e Shqipërisë. Grupi peqinas parashikohet të sistemohet në njërin nga hotelet e qytetit bregdetar të Ulqinit, ku do të qëndrojë për dy javë, duke u stërvitur, duke shfrytëzuar gjithashtu kushtet e mira që afron shteti qinj. “Në bashkëpunim me drejtuesit është vendosur që ekipi të grumbullohet për dy javë në Mal të Zi për të zhvilluar fazën përgatitore. Nisja e ekipit do të bëhet në paraditen e së hënës së 4 janarit 2010 dhe pasditen e asaj dite do të akomodohemi në një nga hotelet e Ulqinit për të zhvilluar në një nga komplekset sportive të këtij qyteti minifazën përgatitore, sepse periudha e pushimit është e shkurtër dhe nuk kemi kohë për të humbur”, - deklaron trajneri Përparim Daiu, që dy javë më parë zëvendësoi në këtë post trajnerin e shkarkuar Kristaq Mile. Ashtu si për ekipet e tjerë, edhe për Shkumbinin, tashmë është bërë e zakonshme që fazën përgatitore dimërore ta zhvillojë jashtë Shqipërisë në vendet fqinjë, si Maqedonia, ose Mali i Zi.
Sefa: Pa Bakajn, Këpuca e artë është imja
Sulmuesi “thumbon” me shaka Bakajn, por në krahun tjetër e dëshiron atë në skuadër
Fatjon Sefa, goleador me fanellën e Dinamos, dhe Fatjon Sefa, që dy vite më parë shpallej golashënuesi më i mirë i kategorisë së parë me Lushnjën, janë dy anët e kundërta të sulmuesit blu. Në fillimet e tij në radhët e Dinamos, Sefa shikohej si një lojtar i thjeshtë, fjalëpak e punëshumë, megjithëse në drejtim të nr.29 të bluve ka pasur shumë skeptikë. Por tashmë historia ka ndryshuar, Sefa është një pjesë e rëndësishme e Dinamos që nga koha e drejtimit të bluve nga ana e trajnerit Zllatko Daliç, i cili i dha besimin e parë për t’i thyer “akullin” shtatlartit lushnjar. 9 gola të shënuar, në 17 javë, karshi 10 të Elis Bakajt, janë shifra që flasin vetë, pa pasur nevojë për shumë komente. Dyshja Sefa-Bakaj ka prodhuar deri tani 19 gola në kampionatin e 71-të kombëtar. Dashje pa dashje brenda “familjes blu” ka plasur “lufta” për “Këpucën e artë”, por Sefa për batutë “thumbon” me shaka shokun e tij: “Është më mirë të iki, sepse e kam më të lehtë rrugën drejt “Këpucës së artë” në mungesë të Elisit,”- bën shaka lojtari i Dinamos. Por duke hapur një temë (largimin e mundshëm të Bakajt) të tillë, sigurisht Sefa kalon më pas në nota serioze: “Për mendimin tim, nga skuadra nuk duhet të largohet jo vetëm Elis Bakaj, por edhe Sebino Plaku. Janë dy futbollistë me të cilët merrem vesh shumë mirë dhe janë të rëndësishëm për Dinamon. Në të mirë të ekipit kam bindjen personale se ata duhet të qëndrojnë në radhët e Dinamos. Nëse Bakaj largohet në janar, është një mungesë e madhe për ne, por do ta zëvendësojmë, sepse s’mund ta lëmë vendin bosh për të plotësuar objektivat që kemi si kolektiv. Është një “gropë” e madhe nëse largohet Elisi, por them se do ta përballojmë. Unë nuk i druhem konkurrencës në skuadër, edhe nëse afrohen lojtarë të tjerë në merkaton e janarit në radhët e Dinamos. E kam deklaruar dhe më parë, që në planin individual bëj vetëm llogaritë e mia duke u stërvitur dhe djersitur në stërvitje. Për sa i takon derbit me Tiranën, shpresoj që ta ruaj traditën, pasi i kam shënuar edhe një vit më parë, kur u mundëm 4-2, por edhe në derbin e fundit, në atë fitore të bukur 2-1. Normalisht, do të jetë një ndeshje shumë e fortë ndaj bardhebluve dhe shpresoj që të jetë një spektakël i vërtetë si në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit. Por në fillim Dinamo duhet të mendojë për fazën përgatitore të janarit, e cila është tepër e rëndësishme për ne,”- citon për “Sportin shqiptar” autori i 9 golave me fanellën e Dinamos, gjatë sezonit 2009-2010, Fatjon Sefa. Ndërkohë, ditën e djeshme, dinamovitët kanë kryer një seancë stërvitore në ambientet e klubit blu, por në një numër të reduktuar, pasi shumica e lojtarëve janë pranë familjeve, ndërsa të huajt tashmë janë larguar për në vendlindjet e tyre.
Harbuzi, i privilegjuar
Labinot Harbuzi ndihet i privilegjuar me interesimin e gjigantit turk Galatasaray për të. Mesfushori kosovar thotë se ka lexuar në media për këtë interesim, të cilin thotë se do ta shqyrtojë, nëse është i vërtetë dhe i fuqishëm.
Interesimi i gjigantit turk, Galatasaray e ka bërë të ndihet shumë mirë Labinot Harbuzin. Mesfushori kosovar u ka thënë medieve suedeze se do të ndihej i privilegjuar me këtë interesim, nëse është i vërtetë dhe i fuqishëm, ashtu siç shkruanin mediet turke ditë më parë.
”Natyrisht se jam i privilegjuar, por duhet të shohim nëse ka diçka të vërtetë nga kjo. Nëse po, atëherë shohim nëse është momenti për të lëvizur”, ka thënë 23 vjeçari ueb faqen suedeze Sydsvenskan.
Gençlerbirligi e kishte blerë Harbuzin gjatë verës që shkoi për 750 mijë euro nga klubi suedez Malmo. Por, mund të ndodhë që eksperienca e tij te ky klub mos të zgjasë as gjysmë viti të plotë, kur bëhet fjalë për një interesim nga një klub aq i madh.
“Faktikisht, nuk ndodh shpesh që të largohesh nga klubi vetëm pas gjashtë muajsh, por është e qartë se paratë për të cilat shkruajnë mediet, tre milionë euro, mund të jenë vendimtare”, ka thënë Harbuzi.
Edhe para se të transferohej te Gençlerbirligi, Harbuzi ishte bërë shënjestër e Galatasarayt, mirëpo klubi turk nuk ishte i interesuar të paguante para si dëmshpërblim për këtë futbollist. “Po, kjo është e vërtetë, por nuk e di se sa i fortë ishte interesimi atëherë”, ka pranuar ai.
Në përgjithësi, Harbuzi është i kënaqur me përvojën e tij në kampionatin turk, edhe pse nuk ka kohë të gjatë që luan atje.
“Jam mjaft i kënaqur me sezonin tim në Turqi. Në përgjithësi, në ndeshjet me klubet e mëdha si Galatasaray, Besiktas e Fenerbahce, kam luajtur mirë. Kjo ishte loja që duhej ta bëja. Posaçërisht kundër Galatasarayt kam dëgjuar se edhe atyre u ka pëlqyer loja ime”, tha në fund përfaqësuesi U21 i Suedisë.
Atalanta, më afër Bashës
Mesfushori qendror i Frosinones, Migjen Basha duket të jetë afër transferimit tek Atalanta. Kështu shkruanin të hënën mediet italiane, të cilat e shihnin ekipin e Antonio Contes në avantazh karshi Napolit, për transferimin e mesfushorit shqiptar.
Ueb faqja italiane napolisport.net shkruan se Atalanta i ka avancuar bisedimet me Frosinonen, së cilës planifikon t’ia blejë gjysmën e kartonit të 22 vjeçarit prej 2.5 deri në 3 milionë eurosh. Nga kjo marrëveshje, Basha do të transferohej te klubi nga Bergamo qysh në janar.
Gjysmën tjetër të kartonit të Bashës e mban Rimini, kështu që në rast se klubi zi e kaltër dëshiron ta posedojë kartonin e tij 100 për qind, duhet t’ia paguajë edhe Riminit 2.5 milionë euro. Planifikohet që palët ta arrijnë marrëveshjen në ditët e ardhshme me Bashën në Serie A në sezonin pranveror.
Konfirmohet Kollari
Drejtuesit e Kosovës së Vushtrrisë të hënën mbrëma e kanë zyrtarizuar angazhimin e Besnik Kollarit në krye të shtabit teknik të kësaj skuadre.
Kështu, Kosova (V) në edicionin pranveror do të udhëhiqet nga Besnik Kollari, detyrë kjo të cilën gjatë stinorit vjeshtor e kryente trajneri prishtinas Arbnor Morina.
Lajmin e ka konfirmuar anëtari i Bordit të Kosovës (V), Fadil Krasniqi. Ai tregoi se Kollari do të jetë kryetrajner i Kosovës (V) për dy vitet e ardhshme.
“Ne e mbajtëm një mbledhje dhe e zyrtarizuam Besnik Kollarin kryetrajner të klubit. Kollari për dy vitet e ardhshme do ta kryen këtë detyrë”, deklaroi Krasniqi për GrandeJuve.
Ai paralajmëroi se gjatë afatit kalimtar të dimrit, skuadra e tij do të përforcohet edhe me lojtarë të tjerë.
“Kemi vendosur që të gjithë lojtarët t’i mbajmë në skuadër, edhe ata që kanë kontrata, por edhe ata që nuk kanë do të mbesin tek ne sepse do t’i vazhdojmë kontratat me ta. Ne do t’i bëjmë edhe dy apo tri përforcime. Rreth përforcimeve do të vendosë vetë Kollari. Varet se cilët lojtarë i duhen për t’i sjellë në ekip”, theksoi ai.
Krasniqi bëri të ditur se anëtarët e Bordit të Kosovës (V), në këtë e mbledhje, kanë emëruar edhe Isa Sadriun drejtor në shkollën e futbollit të këtij klubi.
Besnik Kollari edhe në të kaluarën ishte trajner i Kosovës (V). Ndërsa në fillim të stinorit vjeshtor, ai ishte shef i shtabit teknik në FC Prishtinë, por që dha dorëheqje nga ai post, shkaku i krizës së rezultateve nëpër të cilën kalonte klubi kryeqytetas.
Më pas, Kollari ishte drejtor i shkollës së futbollit në FC Prishtinë, të cilën punë e la për t’iu bashkuar klubit vushtrrias.
Stinorin vjeshtor Kosova (V) e ka përmbyllur duke u radhitur në pozitën e fundit të tabelës së klasifikimit, me vetëm 14 pikë të tubuara.
Rikthimi i Behramit, i madh për West Ham
Matthew Upson ka thënë se Valon Behrami, kur është në dispozicion dhe në formë të mirë fizike, është futbollist i rëndësishëm i West Ham United.
Përfaqësuesi zviceran u rikthye të shtunën në fushë pas një muaji në ndeshje me Portsmouth, të cilën e fituan londinezët me rezultat 2:0. Mesfushori kosovar luajti 20 minuta dhe pati paraqitje të pëlqyeshme. Upson beson se bashkëlojtari i tij do ta ndihmojë ekipin në vazhdim të sezonit.
“Ai luajti mjaft mirë kundër Portsmouth. Puna e tij që bën në fushë me të vërtetë i ka munguar ekipit, kur ai nuk luante. Kur ai është i gatshëm dhe kur luan, është lojtar i madh dhe mjaft i rëndësishëm për ne”, ka thënë Upson për televizionin e klubit WHUTV. Behrami ka luajtur të hënën nga minuta e parë në humbjen e West Ham kundër Tottenham.