28 dhjetor 2009

Leo Mesi, preferenca e Kuzhesë dhe Skelës

Shqipëria ka votuar Lionel Mesin si "Lojtarin më të mirë në botë" për vitin 2009. Përfaqësuesit kuqezi, trajneri Josip Kuzhe dhe kapiteni Ervin Skela, të vetmit që kishin të drejtë vote në çmimin prestigjioz të FIFA-s, të zhvilluar vetëm një javë më parë në Zyrih, nuk kishin asnjë dyshim: ylli i Barcelonës e meritonte të bëhej argjentinasi i parë që fitonte këtë vlerësim individual. 22-vjeçari ka përjetuar një vit të jashtëzakonshëm, duke udhëhequr "blaugranat" e Pep Guardiolës drejt një sezoni historik, ku skuadra fitoi gjashtë trofetë, në të cilat ka luajtur: Kupën e Botës për klube, Champions League, La Liga, Kupën e Mbretit, Superkupën e Europës dhe Superkupën e Spanjës. Zgjedhja e Kuzhesë dhe e Skelës, e cila u është shtuar votave të 145 trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve përfaqësuese nga e gjithë bota, bën që Mesi të grumbullonte 1,073 pikë. "Pleshti" kishte diferencë të dukshme nga ndjekësi më i afërt, portugezi Kristiano Ronaldo (352 pikë), spanjolli Ksavi (196), braziliani Kaka (190) dhe spanjolli tjetër, Andres Iniesta (134).Në votimin e tij, të kaluar nëpërmjet zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, ashtu si kishin bërë edhe shumë kolegë të tij, Kuzhe ka renditur të parin Mesin. Pas lojtarit që gjatë këtij viti fitoi edhe "Topin e Artë", tekniku kroat ka përzgjedhur emrat e mesfushorit të Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi dhe atë të sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimoviç. Riberi duket një zgjidhje logjike e drejtuesit të stolit shqiptar. Përveç kualitetit, francezi është lojtari ideal për mënyrën sesi 57-vjeçari e interpreton futbollin: teknikë e jashtëzakonshme dhe i shpejtë në sulmet nga krahët, karakteristika që Kuzhe ëndërron t‘i ketë te mesfushorët ofensivë në skemën e tij 4-1-4-1. Fakt interesant është se Riberi ka marrë vota nga Shqipëria edhe në vitin 2008. Ish-trajneri Ari Han e kishte zgjedhje të parë, ndërsa kapiteni Altin Lala e kishte renditur të dytin. Sa për Ibrahimoviç, vota e tij u bazua te paraqitjet fillimisht me Interin dhe më pas me Barcelonën, pasi me Suedinë (kundërshtare të kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit 2010), sulmuesi bëri shumë pak.Në mungesë të Altin Lalës, të dëmtuar prej shumë muajsh, ishte Skela ai që votoi si kapiteni i përfaqësueses sonë. Fantazisti vlonjat i dha pikët maksimale Mesit, ndërsa pas argjentinasit ai përzgjodhi dy lojtarë që janë më pranë karakteristikave të tij në fushë: brazilianin Kaka, i cili ka qenë fitues i çmimit "Lojtari më i mirë" në vitin 2007 dhe spanjollin Ksavi, i cili u shpall "Lojtari më i mirë" në Euro 2008.