Presidenti bardhezi përcaktion detyrat e zv.drejtorit të ri Betegës: Do të ketë fuqi të plotë vendimarrjeje
“Jam këtu për të prezantuar një njeri që e njihni shumë mirë”. Këto fjalë të thëna nga Zhan-Klod Blank përmbajnë dhe shpjegojnë të gjitha kontradiktat e rikthimit të Roberto Betegës tek Juventusi. Eshtë një çështje vazhdimësie, ka bërë të ditur presidenti, “rifillimi i një rrugëtimi”, një operacion nostalgjik. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ri, ish-pjestar i “Treshes”, ka punuar me Blankun në sezonin 2006/07 si këshilltar merkatoje. “Ishim në Serinë B dhe ka qenë një periudhë aspak e lehtë, - ka kujtuar presidenti.
- Megjithatë kemi punuar mirë bashkë, e njoh stilin e tij dhe cilësitë e tij, midis nesh ka besim dhe harmoni në këndvështrim, kështuqë është njeriu i duhur për t’u përshtatur lehtësisht në mekanizmat tona. Në bazën e eksperiencës jam i bindur se jemi më të fortë me të sesa pa të. Eshtë një vlerë e shtuar. Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë, kam dashur që ai të rikthehet”.
Në qershorin e 2007-ës, pasi Marko Tardeli ka dhënë dorëheqjen nga këshilli administrativ pikërisht për shkak të këshillimit, kontrata nuk është zgjatur, sepse Betega ishte nën hetim në gjyqin për falsifikimin e bilancit. Tani që gjykata e Torinos e ka shpallur të pafajshëm, mund të kthehet të japë kontributin e tij në ndihmë të Juventusit.
Megjithatë, nga e njëjta skenë, Blank sapo kishte marrë detyrën e presidentit e kishte përmbledhur skuadrën e tij në vetëm tre figura: Alesio Seko për sektorin sportiv, Marko Fasone për atë komercial dhe Mikele Bergero për atë financiar. As dy muaj më pas, për shkak të rezultateve të marra nga lojtarët e Ferrarës, ka vendosur të ndryshojë diçka në sektorin sportiv, “që është gjëja më e rëndësishme”.
“Kishte kohë që mendoja për përforcimin e këtij sektori, përtej momentit që po kalojmë tani, dhe besoj se Betega është njeriu i duhur për cilësitë dhe lidhjen e fortë që ka me skuadrën, të cilës i ka dedikuar 35 vite nga jeta e tij”. Kështu e ka shpjeguar Blank këtë rikthim që ka hapur diskutime brenda këshillit administrativ një javë më parë për shkak të bashkëpunimit të Betegës për 12 vjet me Moxhin dhe Xhiraudon.
“I kam kërkuar të bashkëpunojë me mua për 30 muajt e ardhshëm, domethënë deri në 2012-ën, për të treguar se kjo e imja është një zgjedhje strategjike, jo e diktuar vetëm nga vështirësitë që po kalojmë dhe që tani do t’i përballojmë bashkë për të rigjetur ekuilibrin e humbur. Kam vendosur unë t’i besoj zonën teknike dhe ta drejtojë në krahun tim, në mirëkuptim me Alesio Sekon, me të cilin kemi të dy një marrëdhënie të fortë”.
Një detyrë domethënëse, ajo e drejtorit sportiv, duke parë se funksionet e Betegës do të kryqëzohen me të tijat: “Kam dashur t’i jap Robertos fuqinë e duhur për të drejtuar të gjithë sektorin sportiv, që do të thotë skuadrën e parë, sektorin e të rinjve, atë mjeksor, atë të vëzhguesve dhe natyrisht merkaton, -ka thënë Blank. - Eshtë një pozicion qëndror, shumë i rëndësishëm. Merkato? Skuadra nuk do të ndryshojë, vetëm se do të jetë më e fortë, gjithashtu nuk do të ndryshojë as projekti. Nuk i hedhim poshtë tre vite e gjysëm punë për shkak të një muaji me rezultate negative”.