
Përballë problemeve të vazhdueshme që po demonstron futbolli shqiptar, probleme që shoqërojnë një zhvillim të dukshëm të tij në të gjitha aspektet, duket se krijimi dhe funksionimi i një strukture autonome të klubeve të Ligës Superiore do të jetë “ilaçi”, që do të eliminojë disa prej këtyre problemeve.
Krijimi i Ligës është së pari ndërgjegjësim i anëtarëve të FSHF-së, që duhet të luajnë një rol më aktiv dhe të jenë shumë më tepër subjekte vendimmarrëse se deri tani, duke u kthyer nga objekte në subjekte të organizimit dhe realizimit të aktivitetit të tyre të përbashkët. Në këtë mënyrë, kur vetë klubet të marrin përgjegjësinë e organizimit të aktivitetit të tyre, do të jetë shumë më e vështirë që të shfaqen dukuri të caktuara, që prej kohësh dëmtojnë cilësinë dhe objektivitetin e futbollit.
Liga është një stad i ri, ku futbolli shqiptar duhet patjetër të hyjë. Natyrisht, me shumë kujdes, por ajo që është e qartë, ka të bëjë me faktin se realiteti futbollistik shqiptar është i gatshëm dhe i ka të gjitha kushtet që ta përballojë me sukses këtë nivel të ri dhe modern të organizimit të tij të brendshëm. Asnjë arsye apo pretekst nuk mund dhe nuk duhet ta vonojë këtë hap cilësor, sepse realisht nuk ka asnjë pengesë objektive që shtyn krijimin dhe funksionimin real dhe serioz të Ligës Profesioniste. Por që Liga të krijohet dhe funksionojë siç duhet, ka nevojë për mbështetjen dhe kontributin e të gjithë institucioneve dhe individëve, që janë të përfshirë në këtë proces. Nëse të gjithë koordinohen dhe bashkërendohen, atëherë funksionimi është i garantuar. Nëse nuk ka vullnet apo ka dyshime dhe mëdyshje, atëherë krijimi dhe funksionimi i Ligës do të jetë i vështirë. Aktualisht janë të gjitha kushtet, që fillimi i 2010-s të na gjejë me një organizim të ri të Ligës Profesioniste. Të shohim nëse kjo do të ndodhë.