31 dhjetor 2009

Arbeloa: Reali mund t’i fitojë të dy titujt

Mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, thotë se mbretërit synojnë të fitojnë Ligën e Kampionëve dhe kampionatin spanjoll këtë sezon.
Ekipi i mbushur me yje të shtrenjta pati nevojë për ca kohë për t’u stabilizuar, por së fundi ata kanë fituar gjashtë nga shtatë ndeshjet në kampionatin spanjoll dhe qëndrojnë vetëm dy pikë prapa liderit, Barcelonës.
“Mendoj se ne të gjithë pajtohemi se kemi bërë progres. Ne kemi ecur një hap më përpara në lojën tonë, ne shënojmë shumë dhe jemi të fuqishëm në mbrojtje”.
“Të fitojmë La Ligan dhe Ligën e Kampionëve është vështirë, por ne kemi potencial dhe jemi duke luftuar dhe dëshmuar se mund t’i arrijmë të dyja. Liga e Kampionëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u fituar. Duhet të luani kundër më të mirëve në Evropë”, ka thënë Arbeloa.