Klubi kuqeblu zyrtarizon trajnerin e ri: “Përforcimet vijnë pas analizës”
Pritej prej kohësh, por vetëm dje është zyrtarizuar. Trajneri i Vllaznisë do të jetë Edi Martini. Një emër i njohur, i cili prej disa javësh ka qarkulluar si një trajner “hije”, deri në momentin e shkarkimit të ish-teknikut Roland Luçi, aventura e të cilit zgjati vetëm 12 javë, pasi kishte zënë vendin e Hasan Likës pas javës së pestë të këtij sezoni. Dje është bërë në klub edhe prezantimi para mediave. Ish-futbollisti i njohur shkodran, Edi Martini, do të ketë në krahun e tij të djathtë si këshilltar teknik një tjetër emër të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, pikërisht Ramazan Rragam. Ky i fundit do të japë kontributin e tij për të dhënë këshilla në lidhje me merkaton, procesin stërvitor etj. Ceremonia e prezantimit të tyre është zhvilluar dje në orën 13:00, në zyrat e klubit. Vetë trajneri i ri ka pohuar se gjithnjë ka pasur një dëshirë të madhe për të drejtuar një ditë Vllazninë, skuadrën e tij të zemrës. Ndaj nuk mund ta refuzonte në këto momente, edhe pse është në një situatë të vështirë. Por ai ka theksuar se nuk u trembet sfidave, të cilat kanë qenë gjithnjë pjesë e karrierës së tij. “Për çdo trajner është kënaqësi të drejtojë Vllazninë dhe kuptohet edhe për mua është kështu. Ndoshta diçka më tepër, ngaqë kjo skuadër më dha emër.
Megjithatë unë falënderoj presidentin Fushaj për besimin që më dha. E kam të qartë se gjërat nuk janë aty ku duhet, por mund t’ia dalim. Kam besim për këtë dhe kur ke besim, edhe rezultatet do vijnë”, nënvizoi Martini. Edi Martini, 34 vjeç, ka një karrierë relativisht të re si trajner. Eksperienca e tij nis me Luftëtarin, kur skuadra gjirokastrite bënte pjesë në Superiore në sezonin 2006-2007. Martini drejtoi sezonin e kaluar, duke arritur ta shpallë skuadrën kurbinase kampione të Kategorisë së Parë, madje shkodrani kreu edhe një pjesë të mirë të fazës përgatitore të Laçit. Në karrierën si trajner të Martinit është edhe Kombëtarja shqiptare e minifutbollit. Në sezonin aktual të kampionatit të 7-të të Futbollit në Sallë, Martini luante me ekipin e minifutbollit të Vllaznisë, madje duke qenë golashënues i rregullt. Gjatë karrierës së tij si futbollist, përveç Vllaznisë, ka luajtur edhe me Luftëtarin, Besëlidhjen dhe Apoloninë, duke fituar edhe “këpucën e artë” me 14 gola në sezonin 1993-1994 me fanellën e Vllaznisë.
Martini ka luajtur edhe jashtë Shqipërisë, në Slloveni (Svoboda), Austri (Klagenfurt) dhe Gjermani (Entraht Frankfurt). Menjëherë preferon t’i futet punës. Merkatoja e dimrit dhe faza përgatitore shihen si shpëtimtaret për objektivat e minimizuara maksimalisht tashmë të Vllaznisë. “Do fillojmë punë më 4 janar me fazën përgatitore. Gjatë këtyre ditëve, ndërkohë do shohim mundësinë e afrimit të ndonjë lojtari cilësor. Kuptohet që është e vështirë, sepse lojtarët e mirë nuk janë të lirë në këto momente, por do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Besoj se do bëjmë diçka, por më mirë t’ia lëmë kohës”. Për momentin ende nuk është bërë e njohur pjesa tjetër e stafit teknik, ndërsa pritet që në rolin e ndihmëstrajnerit të jetë sërish Esat Rakiqi, me të cilin ka punuar edhe te Laçi.