Përgjegjësi i gjyqtarëve të Serisë A është shprehur në favor të teknologjisë
Episodi i fundit i rëndë ka qenë goli me dorë i Henrisë që i ka lejuar Francës të kualifikohet në Botërorin e ardhshëm. Pas kësaj ngjarjeje janë rikthyer sërish diskutimet në lidhje me përdorimin e moviolës në fushën e lojës. Më pas, në ditët e kaluara, Platini ka deklaruar: “Televizioni ka vrarë arbitrimin”. Plotësisht dakord me presidentin e UEFA-s ka qenë edhe Pierluixhi Kolina: “Problemi më duket i qartë: është njësoj sikur një doktori t’i kërkohej të operonte me mjetet e dikurshme ligamentet e gjurit të një lojtari.
Më përpara një dëmtim i tillë do të thoshte karrierë e përfunduar. Tani pas 5 muajsh mund të rikthehesh në fushë. A do të kishte kuptim të fajësohej ai doktor, sepse nuk ka qenë në gjendje të shërojë pacientin siç bëhet në një spital superteknologjik? Nëse edhe arbitri do të kishte të njëjtat mjete të atyre që shpesh e kritikojnë, gjithçka do të ishte ndryshe”. Në përfundim Kolina ka përgënjeshtruar se janë vetë arbitrat që, për të qëndruar protagonistë, refuzojnë përdorimin e teknologjisë në fushën e lojës: “Nuk është aspak e vërtetë.
Para së gjithash arbitrat nuk mund të marrin vendime për rregullat, detyrë që i takon IFAB-it (Bordi Ndërkombëtar i Rregullores së Futbollit), ku nuk ka përfaqësues të arbitrave. Më pas provoni t’ia thoni këtë Hansonit (gjyqtari i ndeshjes Francë-Irlandë). Një arbitër mund të shkatërrojë karrierën e tij për një gabim. Pas shumë vitesh sakrifica, një sekondë mund të fshijë gjithçka. Në disa raste ka pasoja edhe në jetën private, me kërcënime dhe gjëra të tjera. Dhe kjo për shkak se nuk i ke rënë bilbilit për një episod që në televizor shikohet nga 20 kënde të ndryshme. Nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar teknologjinë”, ka thënë Kolina..