
Le të futemi tashmë më në detaje të një analize teknike të javës së 17‑të, e cila, duhet pranuar, foli për Besën dhe Tiranën. Ngjeshja e kalendarit në muajin dhjetor, kaluar edhe kampionatit anglez, detyrimisht u shoqërua me një lodhje psiko‑fizike të skuadrave. Mjafton të kujtojmë faktin se skuadra të veçanta kishin luajtur të dielën dhe të mërkurën, pra brenda pak ditësh. Me të drejtë trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, dhe kolegë të tjerë të tij ankohen se nuk u dilte koha për të larë dhe tharë uniformat e lojtarëve, jo më për të riaftësuar dhe riedukuar formën e duhur sportive për ndeshjen e radhës. Ky, bashkë me rëndimin e terreneve sportive, ishin edhe faktorët kryesorë që ndikuan në frenimin dhe ngadalësimin e ritmit të garës në javën e 17‑të. Përjashto ndeshjen e Shkodrës, që pati bollëk golash, 4 të tillë, në sfidat e tjera të javës së fundit për vitin 2009 u shënua minimalisht. Çka tregon se skuadrave po u ndizej “drita e kuqe”, nuk kishin “karburantin” e duhur për të përballuar ngarkesa të tilla ndeshjesh, dy herë brenda javës.
Dinamo kryesuese zhgënjeu sërish, si në lojë, ashtu dhe në rezultat. Humbja e thellë në Peqin duket se kishte lënë gjurmë në memorien e dinamovitëve, të cilët u shfaqën të lodhur fizikisht dhe të paqartë në organizimin e lojës. Mungesa e ekuilibrit dhe e harmonisë mes reparteve të lojës e shoqëroi Dinamon në lënien e dy pikëve të tjera në shtëpi. Nga ana tjetër, merita qëndroi në aftësitë e lojtarëve të Laçit, që jo vetëm shfrytëzuan momentin delikat, që përjetoi në këtë fundviti skuadra e Muçës, por përsëritën lojën e bukur dhe të saktë të tyre në këtë kampionat. Mungesa e suksesit të Dinamos në këtë ndeshje qëndroi edhe në moskontrollimin dhe moskursimin e forcave gjatë pjesës së parë, me qëllimin që t’i shfrytëzonte ato në pjesën e dytë të lojës, kur pritej që Laçi të lëshonte në rendimentin e lojës.
Barazimi i vetëm i kësaj jave u arrit në “Loro Boriçi”, mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, të mërkurën. Barazimi 2‑2 flet qartë për lojën ofensive dhe agonizmin që demonstruan skuadrat në fushë. Interesante gjatë kësaj ndeshjeje ishte ndryshimi dhe përmbysja e rezultatit nga të dyja skuadrat, deri në barazimin final, të arritur nga Bala, dy minuta para vërshëllimës së gjyqtarit. Si rrjedhojë, nga një pikë për secilën nga skuadrat, që i mban jo shumë larg njëra‑tjetrës, në zonën e ftohtë të tabelës së renditjes. Njëra pranë tjetrës, po në fund të renditjes, ndodhen edhe Skënderbeu me Gramozin, të cilat e shohin përherë e më të vështirë dhe të komplikuar rrugën drejt shpëtimit nga rënia një kategori më poshtë. Në Kavajë, pas një loje të kontrolluar nga Besa dhe disa rasteve të saj për shënim, në fund të ndeshjes rezultoi fatal për kolonjarët ai gol i Dhëmbit, në çerekorëshin e parë të lojës. Pa dyshim, në këtë fitore të stërmunduar të skuadrës së vendit të dytë ka meritat e tij edhe Gramozi. I drejtë kontestimi i drejtuesve kolonjarë për atë penallti të mohuar nga gjyqtari Peza, ndërkohë që trajneri Canaj, me përvojën e tij, po i dhuron atë ekuilibër dhe identitet që i mungon skuadrës së Ersekës.
Ndërsa Kastrioti bie në gjunjë përpara Tiranës, që vazhdon të përmirësohet dhe zbukurohet nga njëra ndeshje në tjetrën, kësaj radhe fitorja bardheblu bëhet edhe më e madhe, kur mendohet vështirësia e fushës kundërshtare. Pavarësisht se minimale, fitorja 1‑0 tregon maturinë e futbollistëve të Tiranës, pavarësisht se në strukturën e saj po evidentohen edhe lojtarë të rinj, siç është rasti i Hajdarit, përcaktues në dy sfidat e fundit. Eshtë meritë e trajnerit Tafaj t’i drejtojë ata dhe t’i bëjë të jetojnë realitetin me sy hapur. Me këtë fitore, Tirana, së bashku me Besën, vlen të shpallen edhe skuadrat e javës, që po i afrohen dalëngadalë Dinamos kryesuese, duke e bërë kampionatin më të bukur, kur u mendua nga të gjithë se titulli kishte marrë rrugën për në kampin blu, qysh në përfundim të fazës së parë.
Euforia e Shkumbinit, skuadrës që ndaloi për herë të parë Dinamon pas 15 javësh kampionat, ngadalësohet nga një humbje në Durrës. Ndeshje pa shumë emocione, edhe pse me shumë agonizëm e grintë të lartë. Fundi i këtij viti rrit idenë dhe dëshirën e drejtuesve të Teutës dhe Shkumbinit, por edhe të skuadrave të tjera, për të përforcuar grupin gjatë merkatos së janarit, në funksion të arritjes së objektivave, kush për titull, kush për zonën e Europës, të tjerë për të mbiejtuar në superligë. Gongu ka rënë, festat kanë filluar edhe për futbollin, edhe pse nuk ka shumë kohë për skuadrat për të festuar. Sepse rifillimi i kampionatit, 29 janari, është vetëm një muaj larg.