27 dhjetor 2009

Mikoli: Dua një trofe ose Europën

Juventusi po zhgënjen dhe midis lojtarëve, që janë kritikuar është edhe Amauri. Për situatën e brazilianit ka folur Fabricio Mikoli, që me Amaurin ka luajtur (dhe mirë) tek Palermo: “Vështirësitë e Juves? Unë mendoj vetëm për Palermon. Megjithatë, më vjen keq për Amaurin, sepse është një kampion”. Fundi i vitit është dhe momenti për t’i vendosur vetes objektiva të rinj: “Në 2010-ën do të më pëlqente të fitoja një trofe me Palermon. Por do të kënaqesha edhe me një vend në Ligën e Europës”, ka thënë Mikoli.

Presidenti
Preciozi rihap portofolin për Xhenoan
Enriko Preciozi është i gatshëm të rihapë portofolin në merkaton e janarit: “Kemi një skuadër, që meriton besim dhe mirënjohje, e cila ka treguar qartë cilësitë profesionale dhe morale. Nuk do të jetë e lehtë të marrim lojtarë të rëndësishëm, por besoj se një mesfushor dhe një mbrojtës mund të vijnë në merkaton e ardhshme. Përfitoj nga rasti për t’u uruar festa të mbara të gjithë tifozëve të Xhenoas dhe të gjithë sportdashësve”, ka thënë presidenti i kuqebluve.

Mesfushorët
Simplisio dhe Breshiano drejt rinovimit
Australiani Mark Breshiano dhe braziliani Fabio Simplisio duket se shumë shpejt do të zgjasin kontratën e tyre me klubin e Palermos. Sipas lajmeve që vijnë nga klubi siçilian, dy lojtarët, kontrata e të cilëve është drejt skadencës, duket se kanë vendosur të rinovojnë bashkëpunimin e tyre me Palermon. Presidenti Zamparini dhe drejtori sportiv Sabatini do të kenë kohë deri më 31 dhjetor për të nënshkruar një kontratë të re, më pas të dy lojtarët do të jenë të lirë të kontaktojnë me skuadra të tjera.