28 dhjetor 2009

Mançini: Belami është miku im!

Trajneri i Sitit mohon kontradiktat me uellsianin, që e nisi nga stoli ndeshjen me Stoken
Belami u fut në lojë në pjesën e dytë si zëvendësues, teksa rezultati ishte 2-0 kundër Stok Sitit, ndeshja e parë e Mançinit me skuadrën e tij të re, që pas shkarkimit të Mark Hjuxhsit. Si aleat i ngushtë i Hjuxhsit, Belami dihet se është i zemëruar për mënyrën se si e shkarkuan Hjuxhsin.
Trajneri i Totenhemit, Herri Redknap është në mesin e atyre që e ka ndjekur me kujdes situatën te Siti dhe pret mundësinë që të kërkojë Belaminë. Megjithatë, Redknapit nuk do t’i kenë pëlqyer fjalët që Belami dhe Mançini kanë shkëmbyer pas ndeshjes si dhe shtrëngimi i duarve mes tyre. “Belami është miku im”, ka thënë Mançini pas ndeshjes. “Nuk ka probleme mes nesh. Kam folur me të dy ditë më parë. Ai e kuptoi përse unë nuk do ta fusja si titullar.
Ne kemi dy ndeshje në tri ditë dhe i dua lojtarët në formë të plotë. Sot luajti Robinjo. Ka mundësi që të luajmë me Belaminë kundër Volvesit të hënën.” Tifozët e Sitit e treguan qartë preferencën e tyre, duke i dhënë një duartrokitje të gjatë Belamisë, teksa po futej në fushë për të zëvendësuar Robinnjon, që luajti me Tevezin në sulm, por pa bërë diçka. “Loja e Robinjos nuk qe e keqe. Ai luajti mirë, por pas 65 minutash u lodh dhe ishte i nevojshëm ndërrimi”, ka thënë Mançini, i cili do të duhet të përdorë të njëjtin sulm edhe në ndeshjen e ardhshme, pasi Rokue Santa Kruz, Benxhani dhe Emanuel Adebajor, që do të shkojë në Kupën e Afrikës me Togon, nuk luajnë sepse janë të dëmtuar.
Ndoshta loja jo e fortë e Stokut bëri që Siti të mos binte në pah shumë me lojën e vet. Mançini i ka shumë borxh portierit Shei Given, i cili bëri dy pritje shumë të mira kur loja ishte ende barazim, sidomos në gjuajtjen e Xhejms Beatit. Golat e shënuar nga Petrov dhe Tevez në pjesën e parë i dhanë pikët e çmuara Sitit dhe për Mançinin ishte fitorja, që i duhej pas një jave të vëshitirë.
Ai do të ketë qenë shumë i kënaqur kur do të ketë dëgjuar duartrokitjet e tifozëve që në fillim të ndeshjes, kur u prezantua. “Atmosfera ishte brilante”, ka thënë Mançini, i cili kishte vënë një shall bardheblu të Sitit, të cilin nuk e hoqi edhe 45 minuta pas mbarimit të ndeshjes. “Ishte një përvojë fantastike dhe tifozët më pritën ngrohtë. Jam i lumtur për këtë. Mark Hjuxhs ishte shumë popullor këtu. Unë nuk jam, në Itali po. Por do t’u përgjigjem tifozëve me punën time”.
Trajneri i Stok Sitit, Toni Pulis, kishte probleme me skuadrën e tij pasi pati një polemikë me Beatin, duke qenë se nuk e aktivizoi si titullar sërish. Duket se ky lojtar do të largohet në janar nga kjo skuadër. “Goli i parë ishte shumë i rëndësishëm në lojë. Nëse do të kishim shënuar ne, do të kishte qenë shumë interesante. Nëse rasti i Tuncait do të ishte bërë gol, reagimi mund të kishte qenë interesant, jo vetëm për lojtarët e Sitit, por edhe për tifozët.”