28 dhjetor 2009

Ferrara studion për të ndryshuar Juventusin

Tekniku bardhezi është në kërkim të një moduli të ri, që do t’i ringrinte brazilianët Melo dhe Diego

Juventusi do të qëndrojë pushim deri ditën e sotme, por për Çiro Ferrarën këto kanë qenë pushime pune. Për trajnerin nuk ka qenë e mundur të harrojë gjithçka në lidhje me futbollin për disa ditë, sepse të shumta kanë qenë problemet që ndërprerja e kampionatit ka lënë mbi tavolinën e punës pas dhjetorit të zi që e ka hedhur atë dhe skuadrën e tij në krizë të plotë. Midis të tjerëve, problemi më delikat është ai që ka të bëjë me Felipe Melon, i zëvendësuar me Katanian pas vetëm gjysëm ore lojë, një vendim ky që sigurisht nuk ka ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënieve midis trajnerit dhe lojtarit.

Pra, ekziston një marrëdhënie që duhet rregulluar, dhe kjo do të jetë detyra e parë e Roberto Betegas, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ri që do të prezantohet pikërisht sot. Por mbi të gjitha duhet gjetur pozicioni i duhur taktik për mesfushorin brazilian që, siç kanë shpjeguar Prandeli dhe Dunga, nuk është një regjizor klasik. Zgjidhjet janë vetëm tre: shitja, zhvendosja dhe ndryshimi i modulit.

SHITJA - E para është më e komplikuar: të shitet tani Melo pa dalë me humbje të madhe (gjashtë muaj më parë janë paguar 25 milionë euro) është praktikisht e pamundur. Më së shumti mund të jepet borxh, por as kjo nuk është e lehtë. Mund të ketë një interesim për lojtarin nga ndonjë klub anglez, Arsenali mbi të gjithë, ose spanjoll, ku midis 2005-ës dhe 2008-ës Felipe ka bërë paraqitje shumë të mira me Rejsing Santander dhe Almerian. Por, për momentin, nuk rezulton asnjë kërkesë.

Në këtë rast, gjithsesi, për Juventusin do të hapej një problem tjetër, ai i zëvendësimit të lojtarit dhe domethënë një shpenzim tjetër në merkato. Lojtari është gjetur: Kristian Ledezma që, pas vendimit të Pandevit, presidenti i Lacios mund të kërkojë ta shesë për një shumë të vogël parash. Por duhet patur kujdes edhe për interesimin e Napolit.

ZHVENDOSJA - Pas zëvendësimit të Felipe Melos, të dielën e kaluar rolin e organizatorit e ka marrë Klaudio Markizio dhe, me përjashtim të gabimit ndaj Plazmatit në rastin e golit të dytë, nuk është paraqitur keq, duke patur parasysh se ka qenë një zgjidhje e momentit dhe jo e menduar më parë. Por në fundin e ndeshjes Ferrara ka deklaruar se aktivizimi i Markizios në atë pozicion është një mundësi. Në këtë rast Melo, që do të qëndronte para mbrojtjes në pjesën e ulët të rombit bashkë me Sisokonë, do të kishte detyra të tjera.

NDRYSHIMI I MODULIT - Në qoftë se Ferrara gjatë pushimeve nuk ka vendosur të rikthehet tek skema 4-2-3-1, moduli në të cilin Melo shkëlqen në Brazilin e Dungës, i njëjti i përdorur në nëntor nga Juventusi dhe i braktisur pas humbjes me Bordonë dhe Kaljarin. Ky sistem për pak kohë (Sampdoria, Atalanta) ka dhënë rezultate të mira dhe prezenca e Poulsenit në krah të Melos e lironte brazilianin nga detyra të caktuara.

Por, edhe në këtë rast ekziston një problem: Juventusi në verë është ndërtuar për të luajtur me skemën 4-3-1-2, kështu që mungojnë lojtarët e krahut. Eshtë e vërtetë se në janar do të kthehet në dispozicion Iakuinta, lojtari ideal për këtë skemë, por pas dëmtimit të Kamoranezit mungon një lojtar në krahun e djathtë.