28 dhjetor 2009

Lajme nga Lazio: Flokari drejt Fiorentinës, Zeniti kërkon Rokin

Kapiteni lacial nuk është më i pashitshëm, ndërsa sulmuesi i Xhenoas ka zhgënjyer këtë sezon
Ka qenë një nga blerjet më të shtrenjta të verës së kaluar. Serxhio Flokari, zotëria 12 milionë euro (të derdhur nga Xhenoa tek arkat e Atalantës), pak muaj më parë ka çmendur Interin e Mourinjos dhe pëlqehej nga shumë skuadra të mëdha. Por me Xhenoan nuk ka ndodhur ajo që të gjithë prisnin, ka patur pak paraqitje me skuadrën, gjithsesi të shoqëruara me 4 gola dhe një dëmtim.
Në janar, ka shumë mundësi, që lojtari të ndryshojë ambient, por sigurisht Preciozi nuk ka ndërmend ta “falë” dhe është gjithashtu e sigurt se Flokari pëlqehet nga shumë klube. Dhe gjatë këtyre ditëve ka dalë edhe emri i Fiorentinës, sepse kuqeblutë kërkojnë një mbrojtës qendre dhe në operacion mund të përfshihet njëri midis Natalit dhe Kroldrupit.
Sigurisht Flokari, duke parë impenjimet që ka klubi vjollcë në Champions, mund t’i bëjë punë Fiorentinës edhe pse drejtori sportiv Korvino, për momentin, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Kastijo (prej kohësh në shënjestrën e Barit). Por Flokari (dhe emri i zëvendësuesit të tij të mundshëm), nuk paraqesin të vetmen nyje në merkaton e Xhenoas. Nëse për Menegacon tashmë marrrëveshja është arritur, mbetet akoma gjithçka për t’u përcaktuar në lidhje me mbrojtjen.
Përveç lojtarit që mund të vijë nga Firence në çështjen Flokari, pëlqehet Bonuçi, por Bari nuk do ta shesë para qershorit. Ndërkohë, pavarësisht proçesit, që akoma nuk ka përfunduar, të kalimit të klubit në duar të reja, Siena vazhdon të lëvizë në merkato. Kërkohet një mbrojtës i krahut të djathtë dhe objektivi i parë është Kribari, gati për t’u larguar nga Lacio.
Më pas klubi po punon edhe në aspektin ligjor për të rregjistruar në kampionatin italian nigerianin Odibe (’89) ndërsa për pozicionin e mbrojtësit të qendrës flitet gjithmonë për Andrea Espoziton (Xhenoa); në mesfushë kërkohet Seimur, lojtar nga Kili me pasaportë komunitare. Në sulm po punohet për një shkëmbim midis Kalaiosë dhe Pocit, ndërsa Gezal do të shitet vetëm nëse do të vijë një ofertë e rëndësishme. Kievo ka lëvizur për austriakun Hofer (Napoli), teksa marrëveshja është thuajse e arritur. Duke pritur zyrtarizimin e Maksi Lopezit, Lacio mund të shesë Rokin. Kapiteni nuk është më i pashitshëm dhe pëlqehet nga Zeniti i Spaletit.

Lopez-Bolati, dy argjentinas për Lacion

Skuadra e Lacios ka filluar të lëvizë në merkato edhe për të përforcuar ekipin dhe jo vetëm për të shitur lojtarë. Pasi ka humbur sulmuesin maqedonas Goran Pandev, klubi bardhekaltër është vënë menjëherë në kërkim të përforcimeve të cilësisë së lartë.
Përforcime që mund të vijnë nga Argjentina, teksa në fillimin e javës së ardhshme preisdenti Lotito dhe drejtori sportiv i klubit roman, Igli Tare, do të përshpejtojnë proçedurat për të siguruar ish-sulmuesin e Gremios, Maksi Lopez, që tashmë ka zgjedhur Lacion, pas përvojës së shkurtër dhe të keqe me Dinamos e Moskës. Më pas, drejtuesit bardhekaltër do të përqendrohen tek objektivi i radhës, që është mesfushori i ekipit argjentinas të Hurakanit, Bolati.