28 dhjetor 2009

Ferguson: Rooney është fitues natyral

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lavdëruar rolin e Wayne Rooneyt pas fitores së djeshme prej 3-1 ndaj Hull Cityt.
Ishte një mbrëmje e ngarkuar për Rooney-n, i cili ishte i përfshirë në të katër golat. Pasi kishte çuar në avantazh Djajtë e Kuq në fund të pjesës së parë, ai ndihmoi në dhënien e penaltisë për Hull që barazoi rezultatin. Por sërish ishte Rooney që pati fjalën e fundit, pasi krijoi golin e dytë dhe të tretë të United.
“Ai ishte kërcënim gjithë kohën. Ai është një fitues natyral dhe dëshira e tij është e lindur. Po, ai bëri gabim, por krahas atij një momenti të keq, ai ishte jashtëzakonisht i mirë. Ai mund të ishte goditur më shumë se çdokush nga gabimi, por ai e rregulloi atë në mënyrë të shkëlqyeshme”, ka thënë Ferguson.