27 dhjetor 2009

Adriano: Mbajini paratë, qëndroj në Rio

Sulmuesi brazilian ka konfirmuar se ndihet i lumtur dhe do të vazhdojë të qëndrojë te Flamengo. Pra, lamtumirë Europë!Pas fitimit të titullit kampion me Flamengon, shumë ekipe europiane ishin të gatshëm të shpenzonin për të pasur shërbimet e 27-vjeçarit. Por në një intervistë për të përditshmen braziliane “O Globo”, “Perandori” deklaroi se vendimi i tij për të qëndruar në Brazil nuk ka të bëjë fare me paratë.
“Nuk është aspak çështje parash. Zgjodha dashurinë e njerëzve këtu, në vend të një përvoje tjetër jashtë. Në Rio ndodhet familja ime, fëmijët dhe miqtë e mi. Ndodhen të gjithë personat që më duan dhe më mbështesin. Kam dashurinë e të gjithëve dhe jam i lumtur për këtë. Edhe lumturia e fitimit të titullit kampion me Flamengon ishte shumë e madhe dhe nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër”, theksoi ish-sulmuesi i Interit.