27 dhjetor 2009

Historitë më të bujshme të një dekade…

2000 - Nis epoka e “galaktikëve”
Florentino Perezi me t’u zgjedhur president i Realit në 2000, bëri premtimin e bujshëm për të ndryshuar kryekëput politikën e transferimeve të këtij klubi, pas një periudhe trevjeçare që kaloi jashtëzakonisht keq sepse Reali nuk kishte ngritur trofeun e kampionit të Spanjës. Në të vërtetë, shumë futbollistë kanë kaluar “Rubikonin” duke shkëmbyer klubet “armiq”, por të paktë kanë qenë ata që mund t’i afrohen polemikave, zemërimit dhe urrejtjes që ngjalli kalimi i ish kapitenit të Barçës, Luis Figo me fanellën e bardhë të kryeqytetasve. Në atë kohë portugezi ndërkombëtar, madje kapiten edhe i përfaqësueses së vendit të tij erdhi në Madrid për një shumë rekord, afro 40 milionë euro. Tifozeria katalanase, madje i gjithë rajoni nuk ia falën asnjëherë “tradhtinë”, madje si pa kuptim hodhin edhe një kokë derri në “Nou Camp”, kur ai u rikthye me rivalët e papajtueshëm. Perezi nuk u tut, por një nga një mblodhi pjesët e një skuadre galaktike, përreth Figos, duke afruar Zinedin Zidanin, Ronaldon, Devid Bekhamin.
2001 - Anglia “shkatërron” Gjermaninë
Emërimi i Sven Goran Eriksonit në krye të përfaqësueses angleze në janar 2001, në të gjithë vendin shkaktoi më e pakta habi dhe më e shumta indinjatë: Federata Angleze e Futbollit për herë të parë në historinë shekullore ia jepte këtë detyrë dhe përgjegjësi një trajneri të huaj. Por, më 1 shtator të gjitha dyshimet për suedezin me syze të përjetshme u daravitën, kur Anglia shënoi fitoren e saj më të rëndësishme ndërkombëtare, që nga ajo e mundjes së Gjermanisë Perëndimore në finalen e Botërorit londinez të 1966, kjo në një ndeshje kualifikuese për Botërorin e radhës. Nuk ishte vetëm natyra emfatike e fitores 5 1, në Gjermani, që mbetet mbresëlënëse, por me atë rast u ringjallën edhe shpresat e Anglisë për t’u kualifikuar për në Botëror. Një fitore e gjermanëve do të kishte vulosur kryesimin e tyre në Grup; fitorja angleze i dha inerci shpresave dhe pretendimeve angleze për të qenë të parët në renditje.
2002 - Roi Kin dërgohet në shtëpi
Më 23 maj, vetëm dy javë para përurimit të Botërorit 2002, kapiteni frymëzues i Republikës së Irlandës, Roi Kin, u ridërgua në shtëpi, drejtpërdrejt nga mjediset stërvitore të përfaqësueses irlandeze, pas një zënke të fortë me trajnerin Mik Makarti. Meafushori i Mançesterit. që më vonë përsëri, atë vit do të ngjallte polemika të shumta, pasi pranoi se me qëllim ishte përpjekur të dëmtonte në fushë, Alf Inge Halandin, kishte kritikuar haptazi dhe me shumë inat përgatitjet “joprofesionale” të Irlandës për finalet e atij Botërori, paçka se në fillim besohej se i kishte sqaruar gjërat me trajnerin Makarti, ai iu vërsul Makartit në fushën e stërvitjes.
2003 - Vdekja e Mark Vivien Foes
E gjithë bota e futbollit mbeti pa frymë, kur mesfushori i Kamerunit u shëmb në tokë dhe më pas humbi jetën në fushë, gjatë një ndeshjeje të vlefshme për gjysmëfinalen në Kupën e Konfederatave Francë 2003. 28 vjeçari u rrëzua në tokë, pa asnjë kundërshtar pranë, në 72′, në ndeshjen Kamerun Kolumbi, në Lion. Ai mori trajtim mjekësor në fushë dhe më pas jashtë saj, teksa personeli mjekësor përpiqej të riaktivizonte zemrën e tij për 45 minuta. Më vonë u zbulua se mesfushori një vit më parë në radhët e Man.Sitit, i huazuar nga Lioni, kishte pësuar vdekje të menjëhershme kardiake, si shkak i një problemi të pazbuluar më parë me zemrën e tij. Kameruni vendosi të luante në finalen e atij turneu, pavarësisht se iu ofrua mundësia të tërhiqej.
2004 - Greqia fiton “Euro 2004″
Një prej “Përrallave të Hirushes” më të bukura në historinë e futbollit. Greqia që në atë periudhë renditej e 35 ta në klasifikimin e FIFA s, realizoi një triumf madhështor, që në pjesmrrjen e saj të parë në një Evropian, prej 24 vitesh. Që në ndeshjet kualifikuese të asaj EURO je, pati shenja se skuadra e gjermanit Oto Rehagel do të ishte kockë e fortë për këdo, por askush nuk priste që të visheshin me atë lavdi. Pasi lanë mbresa befasuese, herët në atë kompeticion, duke mundur vendasit organizatorë, Portugalinë pretendente, 2 1, në ndeshjen përuruese të turneut, për të gjithë disi befasisht, një skuadër greke, emblemë e efiçencës dhe organizimit mundi edhe Spanjën, për të humbur me Rusinë në ndeshjen e fundit të Grupit. Sidoqoftë, Greqia bëri përpara në turin tjetër, çerekfinalet, duke larguar Spanjën falë golevarazhit më të mirë. Më pas i erdhi radha një pas një Francës dhe Republikës Çeke, para fitores së pabesueshme në finale, po kundër vendasve, 1 0, falë golit të një heroi grek, Angelos Karisteas në 57′.
2005 - Liverpuli merr Championsin
20 vite pas katastrofës tragjike në Stadiumin “Heisel”, paraqitja e fundit e Liverpulit në Ligën e kampionëve, Rafa Benitezi e udhëhoqi klubin e madh anglez në triumfin e pestë në historinë e tij evropiane. Benitezi në sezonin e parë në “Anfield Road”, i ardhur nga Valencia, e udhëhoqi Liverpulin në finalen e edicionit në Stamboll. Megjithatë, askush nuk kishte parashikuar se do të ishin aq dobët në të gjitha drejtimet në pjesën e parë të finales, teksa italianët e Milanit siguronin një përparësi 3 0 në përmbyllje të asaj pjese. Ndodhi përsëri e paparashikuara: Liverpuli në gjashtë minuta historike të pjesës së dytë shënoi tre gola. Koha e rregullt dhe pjesët shtesë nuk sollën asnjë ndryshim. Në gjuajtjet e 11 metërshave, portieri i Liverpulit, polaku Jerzhi Dudek errësoi fituesin e Topit të Artë, të vitit paraardhës Andrij Shevçenkon, duke pritur dy 11 metërsha dhe duke bërë kështu që skuadra e Benitezit të fitonte një prej finaleve më drithëruese të të gjitha kohërave të këtij kompeticioni.
2006 - “Calciopoli”, skandali italian
Goditja me kokë nga ana e Zinedin Zidanit, fatkeqësisht jo e topit, por gjoksin e qendërmbrojtësit italian, Marko Materaci, në finalen e Botërorit 2006, një moment çmendurie në stadin më madhor të futbollit botëror, konsumoi tone letre dhe boje pas përfundimit të Botërorit. Sidoqoftë, si kontradiktë e gjallë vëshirë të mos përmendësh skandalin e trukimit të ndeshjeve, që tronditi Italinë, në vigjilje të pjesëmarrjes së saj në Botëror. Në skandal u përfshinë kampionët në fuqi dhe fushë të Serie A, Juventusi, ndërkohë që homologët e Milanit, Fiorentinës dhe Lacios, po kështu ishin përmendur në procese gjyqësorë. Transkriptimet e përgjimeve telefonike sugjeruan se gjatë sezonit 2004 05, drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi ishte mes shumë zyrtarëve të klubit që kishte zhvilluar bisedime me përfaqësues të futbollit italian në përpjekje për të ndikuar në të mirë të Juves, duke emëruar gjyqtarët e pëlqyer prej tyre.
2007 - “Endrra amerikane” e Bekhamit
Në një prej transferimeve më të papritura të të gjitha kohërave, mesfushori i Real Madridit, anglezi ndërkombëtar Deivid Bekham, në janar 2007 bëri me dije se do të largohej nga Reali për të qenë pjesë e skuadrës amerikane të futbollit të Ligës së Parë Amerikane të Futbollit MLS, Los Anxheles Galaksi, sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare. Në atë kohë po përfundonte kontrata e tij me Realin, ndërsa ai po haste vështirësi të pëlqehej nga trajneri i kohës, Fabio Kapelo. Sidoqoftë, ai njoftim tronditi shumë botën e futbollit, pasi Bekhami u bë futbollisti më i madh, që i bashkohej MLS së, që nga krijimi i saj dhe futbollisti më i madh që luante në SHBA, pas kohës kur luanin Pele, Johan Krojf, Xhorxh Best, që hijeshuan Ligën e atëhershme të Futbollit Amerkano verior, në vitet 1970 1980 të.
2008 - Siti apo “një mal me para”?
Teksa manjati miliarder rus, Roman Abramoviç e bleu Çelsin në 2003, ai njëherësh përuroi një prirje për fillimin e pronësive të klubeve të Premier Ligës nga shtetas të huaj. Kështu, në 2008. Siti ishte klubi më i dëgjuar që voli përfitime nga investime të huaja. Ndryshimi me të tjerët ama është se ndërkohë që klubet e ngjashme si Man.Jun. dhe Liverpul vazhdojnë të shlyejnë borxhet e rritura me blerjet dhe pronarët e huaj, Siti u mbyt me parà nga xhepat e pafund të Grupit “Abu Dhabi United”, duke nisur që nga dita e mbylljes së blerjeve në shtator 2008. Pronarët e rinj, menjëherë ushtruan peshën e tyre, duke ofruan një marrëveshjeje “bombë”, 32.5 milionë paund për blerjen e brazilianit ndërkombëtar, Robinjo nga Reali, ky një rekord i blerjeve britanike. Pronarët e pafund të pasur të Sitit njoftuan qëllimin e tyre madhor, por vetëm të parë në radhë kohore: të prishnin monopolin e “katërshes tradicionale”, Junaidit, Liverpulit, Arsenalit dhe Çelsit, por edhe të sillnin në pjesën tjetër të Mançesterit trofe të munguara prej kaq shumë kohësh, plot 33 vite.
2009 Reali “rrëmben” Kristiano Ronaldon
Rekordi botëror i transferimeve u thye katër herë përgjatë këtij dhjetëvjeçari dhe çdo herë nga Real Madridi. Por klubi vendosi standarde të reja, të papërfytyrueshme, kur e tejkaluan ndjeshëm këtë rekord, dy herë, së pari duke sjellë në “Bernabeu” Kakanë për 74 milionë euro dhe më pas futbollistin më të mirë të vitit FIFA dhe fituesin, njëherësh të “Topit të artë”, Kristiano Ronaldo, për një shumë që vërtitet jo zyrtarisht rreth 100 milionë eurove. Ronaldo kishte shprehur më shumë se një herë haptazi dhe herë me nënkuptime se dëshironte pa masë të ishte pjesë e Realit, që në verën 2008, pas një sezoni me Mançesterin, ku shënoi 42 gola në 49 ndeshje për “Djajtë e Kuq” dhe kur fitoi thuajse gjithçka personalisht dhe me klubin. Trajneri Ferguson i rezistoi deri në fund këngës së sirenave madridase, aq joshëse për klubin dhe vetë Ronaldon. Sidoqoftë, Sër Alksi e bindi portugezin të qëndronte edhe për një vit. Ama, 34 gola në 66 ndeshje në sezonin 2008 09, bënë që Realit t’i rifocohej dëshira dhe vendosmëria për ta veshur “blanco” Ronaldon.